Bashkëvendimmarrje me Inteligjencën Artificiale
Në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini” profesori i zhvillimit psikologjik në universitetin e Harvardit, Howard Garnder ka folur për Inteligjencën Artificiale që është lënda e parë e modës së diskutimit public së fundmi. Nga intervista bën përshtypje fakti se profesori në fjalë e konsideron pjesë të normalitetit të afërm ndarjen e vendimmarrjes me Inteligjencën Artificiale, një fakt ky me ndikim themelor për shoqërinë njerëzore.
Si qenie njerëzor ne duhet të vendosim nëse thjesht do të pranojmë se kemi më pak mprehtësi – për të përmirësuar vetë kapacitetet tona; për të punuar me IA-në apo të deklarojmë disa vendime si p.sh dilemat morale dhe etike si të papërshtatshme me me sistemet e Inteligjencës Artificiale e që duhen marrë vetëm nga qeniet njerëzore, duke punuar së bashku
shprehet ai.
Nga ana tjetër pyetjes nëse Inteligjenca Artificiale po sfidon kufijtë e kreativitetit njerëzor, profesori i përgjigjet në këtë mënyrë:
Mund ta motivojë apo mund ta minojë atë. Nëse IA bën muzikë të bukur mund ose të frustrojë ata që duan të bëhen kompozitorë, ose t’i stimulojë ata për të konkuruar apo madej tejkaluar. Fakti që IA luan muzikë në mënyrë perfekte, nuk më pengon mua të luaj piano çdo ditë. Nuk po konkuroj me teknologjinë, por me veten
Çështja është ndoshta më kryesorja në historinë e njeriut që nga periudha e revolucionit bujqësor meqenëse ai moment përfaqëson aktin e vendosjes në kontroll dhe menaxhim të burimeve njerëzore duke konfirmuar monopolin e inteligjencës te njeriu.
Sot Inteligjenca Artificale propozohet që në përkufizim si krijesë me inteligjencë kumulative më të lartë, aftësi procesi më të shpejtë dhe pa relacion me parimet e evolucionit që përcaktojnë të paktën sipas teorisë zyratre, përshtatjen e njeriut. Vetë termi Antropocene që përshkruan një epokë ku ndikimi i njeriut është i tillë sa njehsohet edhe në morfologjinë e brendshme të planetit, vihet në diskutim, pasi qysh tani, me dyshimin dhe të panjohurën e asaj që përfaqëson IA dhe apelin për bashkëvendimmarrje, ne thjesht nuk e dimë se çfarë pason.
Dhe sërish vazhdojmë pa ndalim nën peshën e jashtëzakonshme dhe të pamenaxhueshme të asaj që përfaqëson potenciali i përmirësimit teknologjik që e shtyn horizontin e mundësive përherë e më thellë, tej aftësisë sonë për të rrokur çdo pasojë. Është një rimodelim i shoqërisë, ku trupi i njeriut, imazhi i tij humbet kufijtë dhe rëndësinë e deritanishme për t’u objektifikuar si fillim në lëmin terminologjik, mandej imazherik dhe në fund edhe social.
Add new comment