Sha(h)Mata e portit të Durrësit
Është lëshuar sot për të mijtën herë në mëhallën parlamentare politikani Edi Rama. Ka zënë foltoren e me dihatje emocionale të dikujt që ka brenga historike tashmë për mosmirënjohjen që mileti ka ndaj veprës së tij për mirësinë e kombëtarizmës sonë, ka folur gjerë e gjatë, e po flet akoma, për portin e Durrësit. Për avenirin xixëllues të tij sipas modelit Ta bëjmë Shqipërinë si Dubai, duke e prezantuar këtë fener në cekinën shpirtërore tonën, të cilën ai e paska patur kusur të madhështisë dhe vizionit të rrallë në këto anë.
Ka ca kohë që ky zotëri flet për një mallkim historik, që nuk iu ndaka Shqipërisë qëkurse u krijua shteti. Mallkim nga dallakukëria, nga anadollakëria, nga e liga dhe djallëzia bërë bashkë në një urrejtje instinktive për të bukurën, për të mirën. Dhe nis e ligjëron kështu pa ndalim, lart e poshtë, anash e diagonal me referenca historike, pse të ardhmen ky e ka marrë në pronësi intelektuale si punonjës i dedikuar i gjeneratës tjetër, në luftë kulturore me të tashmen e zorzopëve të pafryrë e të padin, me ndihmën e historisë sonë të ndritur. Ku ai zgjedh e tjerr fraza e paragrafë sëndukësh ku këshillohet veç dëshpërimi.
Vjen e bëhet kështu afera e një porti, kauzë kulturore dhe madje e antropologjisë kulturore, edhe pse ajo është asgjë më shumë se një temë e krimit ekonomik, penale, apo qameti politike. Sepse ne jetojmë në këtë vend të përmbytur nga korrupsioni, i cili është tashmë e vetmja vijë horizonti, i vetmi breg që shpëton atë pako gjë që jep Shqipëria e rreckosur ku shkëlqejnë përherë Shkëlqesitë e Tij. Apo Shkëlqesat si na thuhej qëmoti. Dhe porti është në mënyrën sin a prezantohet jo një shpëtim, jo një zgjidhje ekonomike, as projekt zhvillimi, ai është një projekt për ta bërë zonë të lirë nga shqiptarët që as kanë këllqe, e as ndoshta nuk kanë pse ta duan të blejnë aty apartamentet që thuhet se po ua gatit muratori par excellence i këtij vendi.
Nuk e zhbën këtë dyshim të popullit më të zgjuar për politikë siç na thotë z. Rama, as lodra me mallkime, as kërkimi i paqes retorike te Mit’hat Frashëri dhe Faik Konica, për ironi dy njerëz të trumbetuar fort për prurejt letrare e publicistike, por dy dështakë politikë. Të cilëve, të paktën pse ishin të vërtetë në lidhjen e tyre me Shqipërinë, kjo e fundit ua shpërbleu, ndonëse hidhur, duke i nxjerrë nga skena përballë një kohe të re, një ideologjie të re dhe një grupimi, që ndonëse u zhyt në krim nga elita e vet, konfirmoi se ishte në veprim aktiv dhe të paktën pavarësimin e vendit e kushtëzoi me sakrificë reale.
Njerëz si Konica dhe Frashëri u fshehën ndoshta pas një mbiemri të famshëm, pas një historie personale dhe klase, por jo pas një emri rivali që anakronizon rrejshëm përjetësisht dhe as pas korrupsionit të këtij niveli.
Zoti Rama erdhi në pushtet duke u fshehur pas Berishës, referuar si anakronik i pandreqshëm, po qëndron në pushtet duke u fshehur pas Berishës si joalternativë dhe konkuron me Berishën edhe pse premtoi pensionimin e tij. Mallkimi për të cilin ai flet është e vetmja lidhëz verbale që ka mbetur për të qëndruar në karrigen e progresit, çka konfirmon se z. Rama ka pranuar se ka dështuar. Se Shqipëria është ashtu siç ka qenë dhe se koha e tij po mbaron.
Si njohës i historisë në atë sallë urithësh të cilën e katandisi vetë ashtu, pse egoja e tij rri drejt vetëm përballë nëntokësorëve të kësaj natyre, ai është i dënuar të replikojë me Flamur Nokën, të urdhërojë Olta Xhaçkën, të rrahë shpatullat e Ulsi Manjës, të shkelë syrin Enkelejd Alibeajt, të ketë skifter të polemikës Elisa Spiropalin e kështu me radhë, aradhën e zhvatjes dhe plaçkitjes, lyrosjes së luks e tenxheren e buxhetit të një projeki që ka për kokë stomakun.
Ndoshta z. Rama po vuan. Po vuan i ziu fatin e tij të cilin e vizaton vetë në imagjinatë, e ka hipur në një madhështi iluzore, e nxjerr shëtitje për ta parë mbarë mileti, i cili nuk e kuptoka. Dhe si ato turmat që nuhat se duhet të mahnitet, rri e vështron, dyshon se ka diçka aty dhe e pranon ta sodisë këtë kalim duke e përcjellë siç ka përcjellë ky vend të gjithë delirantët e këtij soji, me një stomak të fortë për të tretur kësilloj gjelle dhe për të humbur nga pak e nga pak atë dinjitetin tragjik që pati dikur. Pse i tillë është edhe dinjiteti i 1912-ës që na preferoka të flasë kaq shpesh z. Rama – pse shteti qe një dhuratë të cilën nuk e paskemi merituar, një gënjeshtër që nuk kapërdihet dot.
Comments
Dakord Rama, po Porti ku
Dakord Rama, po Porti ku eshte ketu?
Pastaj nuk te duket se po e kzagjeron kur e ben fajtor edhe per faktin qe kundershtar i tij qenkan disa emra? ("...ai është i dënuar të replikojë me Flamur Nokën, të urdhërojë Olta Xhaçkën,...të shkelë syrin Enkelejd Alibeajt...")
Si nuk foli dikush per shifra mor vlla? A do marre shteti shqiptar ndonje meter katror nga ndertimet? Nese po si do menaxhohet?Kush do paguaje koston e portit te ri? Dhe shume pyetje si keto qe do ta nxirrnin zbuluar Ramen me shume se njemije hartime.
O vlla, shifrat i nxjerr vete
O vlla, shifrat i nxjerr vete ai. Po merremi me menyren si komunikon zoteria, ndalohet kjo?
Ok. E kuptova. Kush dreqin po
Ok. E kuptova. Kush dreqin po te shterngon te lexosh cfare shkruaj ine. Kjo ishte idea besoj. Falemnderit. Do perpiqem ta ndreq gabimin.
Add new comment