Qeveria ndryshon statusin e mbrojtjes për Lagunën e Nartës
Në datën 26 tetor, qeveria ka vendosur, me propozim të ministrit të Turizmit dhe Mjedisit ndryshimin e statusit dhe sipërfaqes së ekosistemit natyror/ligatinor “Pishë Poro – Nartë” nga “Rezervat natyror I menaxhuar” në “Peizazh I Mbrojtur”. I njëjti vendim I heq sipërfaqes së pakësuar statusin e “Zonës së mbrojtur”.
Sipërfaqja e ekosistemit me statusin në fuqi ishte 21 238 hektarë dhe bëhet 16 124.61 hektarë, pra me një diferencë rreth 5.551 hektarë.
Peizazhi i Mbrojtur “Pishë Poro–Nartë” ndahet në tri nënzona ruajtjeje e administrimi:
Nënzona qendrore, me sipërfaqe 6 904.02 (gjashtë mijë e nëntëqind e katër pikë zero dy) ha, e shënuar në hartë me ZQ. Kjo nënzonë përfshin habitatet kryesore pyjore e shkurre dhe përcaktohet si zonë me vlera të larta e të rralla për trashëgiminë natyrore e biodiversitetin dhe në të zbatohet shkalla më e lartë e mbrojtjes, që siguron një territor të pashqetësuar. Në këtë nënzonë lejohen kërkimi shkencor dhe zhvillimi i veprimtarive ekoturistike të lira në natyrë.
b) Nënzona e përdorimit tradicional dhe zhvillimit të qëndrueshëm, me sipërfaqe 8 780.49 (tetë mijë shtatëqind e tetëdhjetë pikë dyzet e nëntë) ha, e shënuar në hartë me ZPTQ. Kjo nënzonë përfshin tokat pyjore e bujqësore, e kullotat, dhe territore ujore ku mundësohet vazhdimi i veprimtarive tradicionale, si punime për shëndetësimin e pyjeve, aktivitete bujqësore, kullotja, grumbullimi dhe kultivimi i bimëve mjekësore e aromatike, me përdorim të balancuar të tyre dhe nuk lejohen ndërtimet e veprimtaritë ekonomike që shkaktojnë ndryshimin e gjendjes natyrore të ekosistemit natyror. Në nënzonën e përdorimit tradicional dhe zhvillimit të qëndrueshëm zbatohet shkalla e dytë e mbrojtjes, që siguron një territor me ndikim të ulët dhe kontroll të veprimtarive ekonomike, sociale, agrobiznesit, argëtuese, sportive e ekoturistike, ndërtimi i infrastrukturës sipas planeve të zhvillimit urban e turistik, të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), të cilat nuk cenojnë integritetin ekologjik të ekosistemit natyror dhe respektojnë funksionet e zonës së mbrojtur, vlerat ekologjike dhe ato të peizazhit natyror e kulturor.
c) Nënzona e rekreacionit me sipërfaqe 440.1 (katërqind e dyzet pikë një) ha, e shënuar në hartë me ZR. Në këtë zonë përfshihen pjesët e habitateve pyjore dhe ujore. Në të zbatohet shkalla e tretë e mbrojtjes, që siguron një territor me ndikim të ulët dhe kontroll të veprimtarive turistike, si mundësi shëtitjeje në natyrë, shërbime turistike, në mënyrë të tillë që të respektojnë funksionet e zonës së mbrojtur, vlerat e tij ekologjike dhe ato të peizazhit natyror, në mbështetje të studimeve urbanistike, të miratuara nga KKT-ja
thuhet në vendim.
Në zonën në fjalë ka patur më herët projekte për resorte dhe apartamente, ndërkohë që pak më tej është parashikuar ndërtimi i aeroportit, kundështuar nga aktivistë të mjedisit me argumentin së dëmton lagunën e Nartës. Nga ana tjetër nuk është e qartë nëse zonimi i bërë nuk cenon kohezionin e ekosistemit si të tërë, diversiteti i të cilit është krijuar në kushte të një vijimësie territoriale mosndërhyrjeje nga njeriu.
Add new comment