Lëndët e para, materialet e rralla dhe teknologjia
Efektet e globalizimit na kanë rënë përsipër të gjithëve. Nisi me pandeminë, që u pasua nga ngadalësimi i logjistikës që krijoi mungesë mikroçipësh, më pas me luftën e Rusisë në Ukrainë, krizën energjetike dhe përplasjen ideologjike midis teokracive dhe demokracive ekzistuese, për t’i shtyrë vendet drejt një pavarësie më të madhe. Në 2018, ndërsa komentonte Brexit dhe doktrinën e Trump, "Amerika e para", filozofi i shkencës, Bruno Latour, theksonte se "teknologjia hap kufijtë, por bota e lirë po mbyllet”. Por në një botë plotësisht të ndërlidhur prej tridhjetë vjetësh, a është e mundur të shkohet drejt deglobalizimit?
Monopoli i lëndëve të para
Ten Siao Pin, babai i kapitalizmit të stilit kinez, i kishte idetë të qarta: "Lindja e Mesme", thoshte ai në 1987 - ka naftë, Kina ka metalet e rralla. Sot 90% e minierave të kësaj familjeje metalesh si ceriumi, disprosiumi dhe samariumi kontrollohen nga Kina. Janë metalet themelore për teknologjinë, nga e cila u bëmë akoma më të varur gjatë pandemisë.
Nuk është e rastit që Pekini nuk eksporton pothuajse asnjë nga këta elementë, për të mbajtur kështu një hapësirë të vetën në prodhimin dhe montimin e kompjuterëve, telefonave inteligjentë dhe gjithnjë e më shumë të teknologjisë aeronautike. Por tani të gjitha lëndët e para po kthehen në elementë të rrallë për shkak të konsumizmit teknologjik dhe dëshirës së Pekinit për t’i dhënë vetes një rol qendror në ekuilibrin e ri gjeopolitik. Komisioni Evropian ka identifikuar 30 elemente të tilla të konsideruara strategjike dhe për këtë arsye edhe kritike. Vetëm në vitin 2011 ishin 14 minerale të rralla. Le të marrim litiumin, metal me përçueshmëri të lartë elektrike dhe termike, thelbësor për bateritë, por edhe për qelqin dhe qeramikën. Kush e zotëron? Kili ka rezerva prej 9.2 milionë tonë, rreth gjysma e sasisë botërore; Australia 5.7; Kina 0.9. Evropa po ndërmerr hapa për të shfrytëzuar rezervat në territorin e saj, kryesisht në veri të kontinentit. Me një problem të madh: në krahasim me vendet e tjera kanë rregulla shumë më të rrepta për sigurinë dhe kontrollin e punës në minierë dhe në zinxhirin e furnizimit. Si rezultat, në Evropë kemi më pak dhe kushton më shumë, ndaj e blejmë pothuajse të gjithë sasinë që na duhet nga Kili, pak nga SHBA-të dhe para sanksioneve, edhe nga Rusia.
Çfarë ka Europa
Tungsten, indium, galium. Emra që mund të ngjajnë larg të përditshmes. Por që në fakt i "prekim" çdo ditë. Le të marrim indiumin. Përdoret për ekranet e televizorëve smart dhe në smartfonë, por edhe për rrjetet fotovoltaike dhe për saldim. Gjysma e minierave të tij janë në Kinë. Fatmirësisht është një nga ato minerale që ne si Europë arrijmë ta sigurojmë nga brenda. Gjendet në Francë, Belgjikë, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani dhe madje edhe Itali (5% e kërkesës së BE-së). Por me një përjashtim. Edhe kobaltin, i cili përdoret për bateri, superaliazhe, d.m.th katalizatorë dhe magnetët, ne e marrim 14% nga Finlanda, por pjesa tjetër vjen nga prodhuesi më i madh botëror, Republika Demokratike e Kongos. Tungsteni bën të mundur dridhjen e telefonave, galiumi është një pjesë integrale e teknologjisë së diodës elektrolumineshente (LED) e pranishme në llamba, gjysmëpërçuesve u duhet silic metalik ndërsa hidrogjeni dhe qarqet elektrolitike kanë nevojë për metale të grupit të platinit.
Të gjitha këto janë metale në listën e Komisionit Evropian të "lëndëve të para kritike". Për shembull, Kina furnizon BE-në me 98% të metaleve të rralla të rënda (REE), nga Turqia merr 98% të borateve dhe Afrika e Jugut i plotëson 71% të kërkesës për platin. Në 30 vitet e fundit ne kemi konsumuar më shumë metale se 300 vitet e mëparshme. Në thelb, nëse mbetemi brenda perimetrit të metaleve strategjike, ne jemi autonomë vetëm për stronciumin, të cilin e importojmë tërësisht nga minierat spanjolle. Gjermania na mbulon 35% të nevojave për galium. Norvegjia prodhon 30% të silicit metalik. Franca ka 84% të Afnios, i domosdoshëm për industrinë e ndarjes bërthamore.
Shkalla e varësisë nga BE
Është mjaftueshëm e fortë: ne blejmë antimon nga Turqia, Bolivia dhe Guatemala. Qymyrin koks, që është një tjetër domen kinez (55% e furnizimit botëror), e marrim nga Australia, Polonia dhe SHBA. Nuk kemi as gomë natyrale, një tjetër lëndë e parë strategjike: prodhimi botëror i saj kontrollohet nga Tajlanda (33%), Indonezia (24%) dhe Vietnami (7%). Shumë nga këto lëndët e para nuk janë thelbësore vetëm për industrinë aeronautike, automobilistike dhe elektronikë, por edhe për tekstile: si antimoni, boksiti, kobalti, goma natyrore.
Po SHBA?
Shtetet e Bashkuara kanë, ndër të tjera, miniera tungsteni baras me 6% të prodhimit në mbarë botën (aliazhet e avionëve dhe raketa), 8% silic (mikroprocesorë), 24% borat (qelq dhe magnet), 88% berilium (pajisje elektronike, industria e hapësirës ajrore), 10% fosfor (plehra). SHBA mban edhe 2% të prodhimit botëror të metaleve të rralla të lehta dhe të rënda. Nuk i kanë të gjitha, por duke kontrolluar disa tregje strategjike, kanë fuqi negociuese.
Komplikimi që sjell lufta
Nga Rusia, Evropa blen 40% të paladiumit. Por problemi nuk është vetëm importi i drejtpërdrejtë. Pozicionimi i Kinës po ndryshon dhe shumë vende nga të cilat ne varemi (për shembull Turqia) tani për tani e kanë një këmbë në dy këpucë. Le të marrim grafitin: sot 69% e tij del nga minierat kineze, të cilat mbulojnë gjysmën e nevojave të Evropës. Në kohën e Napoleonit, grafiti anglez nuk eksportohej më në Francë dhe francezëve u lindi ideja ta përzienin me argjilën, ide nga e cila lindi lapsi Conté, i famshëm edhe sot. Por sot nuk është më vetëm çështje lapsash: grafiti përdoret për elektronikë dhe për të prodhuar grafen, gjë që është thelbësore për bateritë e gjeneratës së re.
Globalizim pavarësisht të gjithave
Pra, nëse shikojmë lëndët e para, kush i ka i mban fort. Ata që nuk i kanë duhet të bëjnë marrëveshje, për aq kohë sa të jetë e mundur. Por nëse ndryshojmë këndvështrim, bota bëhet e ndërlikuar, për të gjithë. Nga të dhënat e publikuara nga Eurostat del se në vitin 2021, eksportet e 27 vendeve drejt Kinës ishin 223 miliardë euro (22.3% më shumë në krahasim me vitin 2020), ndërsa importet u rrit në 472 miliardë (30%). Si pasojë, deficiti tregtar i BE-së është rritur në terma përqindjeje me 47.8%. Evropa varet shumë nga Pekini, por Pekini varet megjithatë nga blerjet evropiane. Zinxhirët e gjatë të vlerave na lidhin me njëri-tjetrin. Dhe për më tepër nuk është vetëm tregtia. Pavarësisht financave dhe dixhitalizimit, bota vazhdon të jetë e përbërë nga gjëra fizike. Industria e aviacionit është ndoshta shembulli më i shkëlqyer i kësaj.
Rasti Aeroflot
Sipas të dhënave nga EASA, Agjencia e Sigurisë së Aviacionit të Bashkimit Evropian, gjysma e flotës ruse të Aeroflot, e përbërë nga Boeing (SHBA) dhe Airbus (Evropë) është në tokë për momentin. Sigurisht që ka një trafik të reduktuar për shkak të sanksioneve ekonomike, por këta avionë në tokë kanë një dobi tjetër: ato përdoren për të furnizuar me pjesë këmbimi gjysmën tjetër të flotës fluturuese. Kjo për shkak se vetëm prodhuesi mund të bëjë furnizimin e pjesëve që prishen dhe atyre që duhet të ndërrohen pas një numri të caktuar orësh fluturimi. Dhe është gjithmonë prodhuesi ai që kujdeset për mirëmbajtjen speciale.
Pra, industria amerikane dhe franko-gjermane. Çfarë do të ndodhë kur avionëve që nuk fluturojnë t’u jenë marrë të gjitha pjesët? Sigurisht që Putin mund të ndërtojë një partneritet me shokun e tij Xi, dhe në të vërtetë po e bën një gjë të tillë. Por duke pasur parasysh që edhe kinezët përdorin teknologjinë perëndimore, do të duhen të paktën 10 vjet që avionët e tyre të zëvendësojnë një flotë prej 182 avionësh. E vërteta është se edhe Rusia, me gjithë gazin dhe grurin e saj, nuk do të mund të bëhej e pavarur, përveçse në rast se vendos që në mënyrë progresive të kthehet në epokën para-industriale. Bota moderne nuk ka më strukturën që i lejon të kthehet në epokën e bllokimeve. Dhe as nuk mund të heqë dorë nga globalizimi.
Burimi: Corriere della Sera
Add new comment