Një samit europian ku fitohet një foto nga Macron
Samiti europian i Brukselit është interpretuar si një fitore e Macron përkundrejt kancelarit gjerman Olaf Scholz. Cicmicet e presidentit francez kanë korrur një arritje në letër, siç janë të gjitha arritjet e tij, teksa njoftohet se Franca, Spanja dhe Portugalia kanë firmosur një marrëveshje për ndërtimin e një gazsjellësi të ri i quajtur BarMar që lidh gadishullin Iberik, Francën dhe tregun europian.
Çështja është se Gjermania favorizonte gazsjellësin MidCat që sjell gaz nga Afrika Veriore por aktualisht ai është braktisur si politikë europiane. BarMar presupozohet të jetë një gazsjellës i gjelbër dhe për këtë është quajtur “një lajm shumë i mirë”. Mirëpo ai do të kërkojë më shumë kohë nga MidCat dhe Gjermania është vendi kryesor i prekur nga lojërat Putin me gazin.
Politico e ka përcjellë lajmin në dritën e një rivaliteti franko-gjerman, por teksa Emmanel Macron llaston veten me fotografitë e rastit, duhet thënë se Europa nuk e ka luksin të frustrojë Gjermaninë që po humbet më shumë nga të gjithë në këtë krizë. Ka patur shumë kritika se ekonomia e saj e eksporteve do të sillte dikur këtë krizë, pse bazohej te varësia e dyfishtë e tregut kinez dhe aziatik dhe gazit rus për lëndë të parë energjetike, por mirëqenien e saj deri diku e shijuan edhe të tjerët. Por edhe sikur të mos jetë kështu, vetë lojërat me çështjen e energjisë provojnë se BE nuk ka një gjeopolitikë të vetën kohezive, por dy apo tri, ndonëse pretendimin se ndjek politikë të përbashkët e ka gati mondan.
Nuk është çudi që ekspozimet e njëpasnjëshme të këtyre ngjarjeve dhe vendimeve si dështim i Scholz të çojnë në faktorizim politik alternativ në një Gjermani për të cilën nuk ka vend të dytë në Europë, përveç fotove me Macron, ku presidenti francez e ka fituar garën e brandit të buzëqeshjes.
Add new comment