Ndërron jetë Irene Pappas
Ka ndërruar jetë në moshën 96 vjeçare aktorja e njohur greke, Irene Pappas. Një karrierë e gjatë që e shndërroi atë në një farë ikone të kinemasë greke, por edhe bukurisë femërore mesdhetare.
Lindur në vitin 1926 dhe përfundoi studimet në Shkollën Mbretërore të Artit Dramatik në Athinë. Në vitin 1951, Pappas u drejtua drejt kinemasë pas një përvoje në teatër. Portretizoi rolet e Antigonës, Elektrës në filma me të njëjtin titull.
Mori famë me filmin “Armët e Navarones” dhe “Zorba, greku” në vitin 1964. Ajo la Greqinë pas ardhjes në pushtet të Juntës ushtarake dhe u kthye pas rënies së saj. E nderuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare, ajo bën pjesë në një aradhë figurash femërore të kinemasë së viteve ’60 –’70 që krijuan pika reference në një kohë kur arti i kinemasë nuk ishte komercializuar ende deri në pikën që është sot.
Për publikun shqiptar të para viteve ’90 ajo lidhet më shumë me figurën e Penelopës te seriali “Odisea”.
Add new comment