Rritja e normës së interesit çon në rritjen e kësteve të kredive me 10-20%
Në një opinion për revistën “Monitor”, sekretarja e Përgjithshme e shoqatës Mikrofinanca Shqiptare, Brunilda Isaj, bën një sqarim mbi efektet që pritet të ketë në buxhetet familjare, rritja e normës së interesit nga Banka e Shqipërisë.
Norma bazë e interesit është norma me të cilën banka qendrore dhe institucionet financiare marrin dhe japin hua midis tyre…
Duke pasur parasysh strukturën e shpenzimeve të një familjeje me të ardhura mesatare në Shqipëri, ku ushqimet dhe pijet zënë rreth 42% të tyre, është një deduksion i thjeshtë që çmimet në konsumin e mallrave të përditshmërisë janë rritur tashmë në nivele dyshifrore, duke goditur seriozisht buxhetet familjare. Kjo goditje bëhet më e prekshme kur sjellim në vëmendje faktin që të ardhurat familjare nuk janë indeksuar aspak me rritjen e çmimeve, qoftë në drejtim të rritjes së pagave, qoftë të të ardhurave të tjera individuale.
Rritja e çmimeve, megjithëse një ogur i paralajmëruar jo vetëm nga lufta në Ukrainë, e cila solli kufizim të mallrave dhe produkteve të caktuara duke rritur automatikisht çmimet e tyre, por edhe nga kriza e pandemisë para saj, gjatë së cilës qeveritë u detyruan të injektonin likuiditet shtesë në ekonomi për të mënjanuar në një farë mënyre krizën e shkaktuar nga mbyllja e bizneseve, nuk po ndalet dhe askush nuk e di se si do të vijojë në muajt e ardhshëm
shkruan Isaj.
Kriza tashmë është konkrete dhe jo më parashikim. Ajo, të paktën sipas opinionit në fjalë, ka efektin e vet më ndikues të panjohurat që krijohen nga vijueshmëria e goditjeve që nisën me tërmetin, vazhduan me pandeminë dhe tani kapin pikun me çmimet e rritura në tregjet ndërkombëtare. Një tjetër element që ka rëndësi është ndikimi që ka rritja e normës tek ato familje që kanë marrë kredi.
Në këto kushte, kur një lek nuk ka vlerën që kishte një vit më parë, dhe shporta e familjes po bëhet gjithmonë e më e kushtueshme, rritja e normës bazë nuk është një lajm i mirë për ata qytetarë të cilët janë të ekspozuar me kredi, sidomos me kredi afatgjata. Në momentin që kjo rritje reflektohet në normën e interesit të kredive të indeksuara (ato kredi që norma bazë e interesit – qoftë kjo yield i bonove të thesarit 12 mujore apo norma e marrëveshjeve të riblerjes – u ndryshon një herë në vit në përputhje me kuotimin e datës kur bëhet ndryshimi), qytetarët dhe bizneset do të shohin një rritje në këstin mujor prej 10%-20%, dhe do të fillojnë të paguajnë më shumë për vitin në vijim.
Këtu përfshihen por nuk kufizohen, kredimarrësit ekzistues individë të kredive për shtëpi, kredive afatgjata konsumatore të siguruara ose jo, kredive të makinave, etj., ndërkohë që në segmentin e bizneseve kreditë e marra për investim gjithashtu do t’i nënshtrohen një ecurie të njëjtë
shkruan Isai.
Duket se anija po fut ujë nga të gjitha anët duke vënë nën presion qeverinë dhe çdo njësi ekonomike të sistemit. Njësia familjare, biznesi i vogël është më i ekpozuari ndoshta, çka ndoshta shpjegon deri diku nxitimin e qeverisë për të mbajtur në këmbë projekte masive të investimeve publike në mënyrë që të mos shkëputet zinxhiri qarkullues i ekonomisë. Edhe pse siç po duket qartë kjo situatë mund të relativizojë pyetjen mbi origjinën e parave që hidhen që nesër mund të ketë efekte të ndjeshme në strukturën ekonomike të vendit.
Add new comment