Jo më balet klasik, formë elitiste e artit. Paralajmërimi: Revolucion Kulturor në Perëndim
Një formë elitiste e artit krijuar rreth ideve raciste të të bardhit europian dhe formave trupore. Kështu konsiderohet së fundmi baleti në Northern School të Kërcimit Bashkëkohor në Leeds të Britanisë së Madhe, një shkollë që konsiderohet ndër më të mirat në vend. Nisur nga kjo konsideratë shkolla ka vendosur të mos e kërkojë më baletin si pjesë të audicioneve për shkak të kostove të mësimit dhe idealizimit të formave të veçanta trupore dhe roleve të ndara gjinore.
Sipas drejtuesve të shkollës, degës përkatëse, rishikimi i baletit, është pjesë e një plani më të gjerë për “dekolonizimin e kurikulumit” dhe konsiderimit të ndikimit të racës dhe gjinisë në kërcim. Francesca McCarthy thotë se baleti duke qenë një formë elitiste e artit, përdor edhe terminologji me “rrënjë të forta gjinore” duke krijuar probleme në përfshirjen e individiëve jobinarë apo kërcimtarëve trans.
Sipas saj, shkollës i bie përsipër të punojë me komunitetet LGBT për këtë çështje. Dhe kjo e ashtuquajtur çështje në fakt që lidhet me “cancel culture” rimerret në një shkrim në “Le Figaro” me autore një artiste me origjinë kineze, e cila e vë në dukje se nëse në Perëndim nuk po kuptohet se çfarë po ndodh, ata që kanë jetuar Revolucionin Kulturor e dinë shumë mirë se çfarë po afron.
Duke privuar të rinjët nga artet klasike, duke i privuar nga zgjedhja dhe kufizuar potencialin e tyre, ky është akti më i madh i diskriminimit
shkruan Zhang Zhang.
Nën formën e një emancipimi dhe përfshirjeje, po ndodh para syve tanë një fshirje rrënjësore e një sistemi vlerash, e një hierarkie që po zëvendësohet nga diçka e cila nuk ka për të gjetur konsensus dhe që është irrituese pikërisht pse rritet e harlis paqësisht si parazit në trupin e po këtij sistemit të cilin sot e konteston.
Add new comment