Moonfall/Investitura e teknologjisë me njerëzoren që çon në luftë

Postuar në 02 Qershor, 2022 12:20

Moonfall është një film i vitit 2022 nën drejtimin e Roland Emmerich, një emër i njohur i zhanrit të sci fi, sidomos në temën e apokalipsit astrofizik. Aktorët që luajnë janë të njohur: Halle Berry, Patrick Wilson, Donald Sutherland. Tema është intriguese, ndonëse huazon nga filma të tjerë: diçka e godet Hënën, fqinjin tonë të heshtur të përjetësisë dhe ajo del nga orbita e vet.

Mund të merret me mend se një gjë e tillë parathotë fundin e sigurt të Tokës, të jetës në të, por edhe të morfologjisë fizike siç e njohim. Mirëpo rezulton se Hëna nuk është ajo që ne dimë, është një sistem artificial i vendosur aty pas një emigrimi primordial, e shifruar nga një qytetërim i zhdukur. Të kujton kjo diçka nga “Kripton” i Superman, përherë në mbështetje të idesë kreacioniste se jeta u mboll në Tokë, nuk evoluoi.

Hëna nis kështu rrokullisjen e vet drejt Tokës duke i kujtuar të gjithëve se rendi i universit është një konstante që nuk e përfshin në ekucacion fuqinë e jetës inteligjente. E teksa apokalipsi nis, ai e zhvillon më lehtë skenografinë e Fundit, pasi atë na e thotë Fizika: Emmerich ndërton një dinamikë katastrofe që të të kujton pikturat e Rilindjes, kapitujt e Biblës, që në të vërtetë, japin Prag Fundin, por jo Fundin e vërtetë.

Dhe këtu vepron aktori i zakonshëm i kinemasë, heroi që bashkohet në një treshe krejt të pazakontë: një shkencëtare, një astronaut që ka humbur besueshmërinë dhe një studiues amator që beson në teori konspiracioni. 

Shkalla sipërore e iracionalitetit të Kaosit që mbjell Apokalipsi, e aktualizon si zgjidhje, si shpresë iracionalitetin e treshes në fjalë, në një inkenim tipik hollivudian që denoncon vetë kuptimin e qytetërimit tonë: sado logjik ky qytetërim dhe sado inxhinierik të jetë ai, përballja me Finalitetin i takon Besimit dhe Pasionit. 

Hëna është në këtë rast një meagastrukturë e ndërtuar dikur nga paraardhës të njeriut diku larg në univers, të cilët u mposhtën nga një rebelim asgjësues i Inteligjencës Artificiale(një tjetër temë e shumë rrahur kjo) dhe që u zhvendos në një sistem të ri, që qëllon të jetë yni. Më pas, me kushtet e duhura, jeta u mboll me kodin e ADN-së.

Deri këtu narrativa mban dhe ka një farë intrige, mbyllja mandej është në disproporcion me shkallën e shkatërrimit dhe të forcave që vihen në veprim. Përtej skenave të strukturës inxhinierike të Emmerich që realisht është dhënë mirë, shpëtimi i botës nga një haluçinant dhe një astronaut që komunikohet nga sistemi operativ i Hënës që është aty në pritje të këtij momenti dhe për këtë moment, asgjëson të gjithë kuptimin.

Ajo që nuk kuptohet mirë në të gjithë këto filma që tematizojnë luftën me teknologjinë, është pse Inteligjencës Artificiale i mvishet një synim shkatërrimtar, një tipar iracional i luftës asgjësuese, hakmarrëse. Si mundet një entitet kaq racional dhe i programuar të autorizojë veten në një marrëzi që sa vjen e i ngjan njerëzores ? Çfarë e shtyn një organizim artificial të konceptojë plane djallëzore përkundrejt një tjetër entiteti që ne ende nuk dimë nëse e percepton si diçka ndryshe nga sa një makinë percepton ?

Truku i mbylljes në fakt qëndron te paskatastrofa, kur Sistemi Operativ njofton shpëtimtarin e botës, studiuesin amtor, se i ka skanuar ndërgjegjen, një lojë me zarar që në fakt e pafajëson teknologjinë si të tillë, përderisa investitura me njerëzoren i jep kuptim edhe marrëzisë së shkatërrimit. Ose matematikës së tij.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.