Presidenti i ri mund të betohet edhe te noteri

Postuar në 09 Prill, 2022 00:47

Kryeministri hodhi një gurë në lumin e politikës për një president konsensual. Për konsultime e të tjera marifete të dala boje tashmë. Do merren me një figurë, pa emër, ose me disa emra, që e ngrenë dhe e ngrenë në qiell në nivelin e një profeti, por që në fakt është asgjë më shumë sesa thiatroja e radhës.

Po flitet për një femër, ja truku modernist dhe emancipues i radhës. Pak e djathtë e pak e majtë, gjë e kollajtë kjo për femrën në Shqipëri që nuk ka patur dhe aq shumë nge të dallojë ideologjitë. Po ky president i ri patjetër që do ketë dinjitet, e do na përfaqësojë dinjitetshëm, por do flasin ambasadorë e diplomatë, do jetë ashtu e kështu, do betohet mbi Kushtetutën që së shpejti mbush 2 vjetorin e ndryshimeve të fundit. Kokteil, ceremoni, zhurmë në media. E gjitha për një ushtar të Edi Ramës në presidencë, për një firmë më shumë, për një hiçmosgjë që si e tillë e përfaqësonë më mirë se çfarëdolloj gjëje tjetër unitetin. Fundja duke mos besuar në asgjë, s’ke pse të mobilizohesh kundër. Kështu që figurë unitare do jetë padyshim.

Ndaj çe zgjasni kaq. Vini një aty, kushdo qoftë se fundja president në Shqipëri do jetë. Kush e njeh politikën tonë, e kupton se në kësi rastesh neve na mbetet vetëm sovraniteti i padiskutueshëm për të qenë palaço. Atë nuk na e cenon kush. Ndaj të mos e dramatizojmë me pesë raunde. Se edhe kryeministri që jep e merr me kësi marifetesh marketingu, sikur ka mbetur pa varak më fare. Ngjan i ziu me të gjithë xhingla minglat që sajon si ato kinkaleritë e ’90-ës, ku kishte brenda vetëm ndonjë fletore matematike e kukull llastiku dhe një erë boshi, dëshmi e një kohe të paformë. 

Ah, po. Presidenti mund të betohet me postë edhe te noteri. Pse ta lodhësh Parlamentin? Njësoj si ajo ideja e z. Rama për të çuar gjykatësit te noteri. Fundja le ta këndojë edhe Himnin, mjafton të ketë leje nga Bashkia për muzikën Live. 

s.zaimi 

Comments

Submitted by Tani (not verified) on

E bukur

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.