Negociatat Rusi-Ukrainë/ Tretet suksesi i arritur në Stamboll
Një zgjidhje diplomatike për konfliktin Ukrainë-Rusi duket ende larg. Ajo çka u arrit në takimin e Stambollit duket se nuk është materializuar në draftin paraprak të marrëveshjes.
Rusia thotë se projekt-marrëveshja e prezantuar nga Kievi më 6 prill është një shmangie nga ajo që u arrit në takimin e Stambollit më 29 mars.
“Ukraina paraqiti projekt-marrëveshjen e saj në grupin negociator më 7 prill, e cila shënon një largim të qartë nga dispozitat më të rëndësishme që u regjistruan në takimin e Stambollit më 29 mars në një dokument të nënshkruar nga kreu i delegacionit ukrainas, Arakhamia”, citohet ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, nga agjencia TASS.
Sipas Lavrovit, Kievi thotë në dokumentin e Stambollit se garancitë e ardhshme të sigurisë për Ukrainën nuk do të zbatohen për Krimenë dhe Sevastopolin. “Megjithatë, nuk ka deklarata të tilla në draft-marrëveshjen e paraqitur dje, përmendet thjesht një ‘kontroll efektiv’ si më 23 shkurt”, ka theksuar ai. “Përveç kësaj, ekziston një ide që çështjet e Krimesë dhe Donbasit duhet të përfshihen në axhendën e një takimi midis presidentëve rus dhe ukrainas”, tha Lavrov. "Me siguri, Ukraina do të kërkojë më pas një tërheqje të trupave [ruse] dhe do të vazhdojë të grumbullojë parakushte. Plani është i qartë dhe është i papranueshëm", theksoi ministri i Jashtëm rus.
Sipas Lavrov, dokumenti që Arakhamia nënshkroi në Stamboll thotë se Ukraina do të pranojë stërvitje ushtarake me palë të huaja vetëm me pëlqimin e të gjitha vendeve garantuese, përfshirë Rusinë. “Megjithatë, draft dokumenti i paraqitur dje nuk e përmban këtë dispozitë të qartë dhe flet për mundësinë e mbajtjes së stërvitjeve me pëlqimin e shumicës së vendeve garantuese, pa përmendur Rusinë”, shpjegoi Lavrov.
Add new comment