Një të shtyrë kryetarit me vulë

Postuar në 09 Mars, 2022 00:28

Qeni leh aty ku i japin për të ngrënë. Është kjo një fjalë e urtë që ndoshta tingëllon pakëz brutale dhe e vrazhdë kur e sjell si shembull ilustrimi për politikën.

Por vetëm kjo të mbetet si mjet për të lexuar dhe analizuar logorenë anti-Basha të atyre që deri më dje ishin neveritshmë në krah të tij. Gjekmarkaj, publicisti që humbi nuhatjen për të fituar luhatjen, dha të paktën dorëheqjen, pas shumë skena. Të tjerë dolën në media e thanë të vetën kundër Lulzim Bashës që po luan tanimë në një teatër ku është vetëm ai spektator dhe aktor.

Ne jemi në moshë madhore dhe për çdo gjë pyesim veten dhe analizojmë: ku po shkojmë? Çfarë fitoj? Dhe pse duhet? Minimumi i iminumit. Asambleja e ortakëve politikë të z. Basha po na shfaqet tani sikur të ishte në jerm, sikur të mos dinte kë kishte në krye, se çfarë po ndodhte. Mohonte dhe riprodhonte mohimin e realitetit, shante pa ndalim e mallkonte anakronikun Sali Berisha, të cilin sot e pëshpërit me siklet.

E harron kush p.sh patetizmin e Grida Dumës që thërriste “Udhëhiq Lulzim Basha”? Kërkojeni dhe nëse keni stomak shiheni deri në fund se me çfarë fytyre shfaqet shtirja dhe dalldia pas vetes. Dje zonja është kujtuar të dalë në faqen e vet në Facebook e të denoncojë udhëheqësin e vet si humbës. Ajo e hap statusin e vet prej gjimnazisteje  me një intonim frazeologjik bajat të stilit të Edi Ramës për të vijuar me ca mëri, e me ca “të vërteta” madhore politike që na dëshmokan pafytyrësinë e Bashës.

Kjo është një historiçkë dështakësh pa tru e pa busull, të rënë nga vakti i një rëndësie dhe një statusi të rremë që po flakin nga dritarja teshat e një lapërdhie politike që e kuptonin vetëm ata. Zonja përfaqëson një dukuri në shoqërinë tonë: ajo është pak Erjon Veliaj, pak Lulzim Basha, pak vetja, pak Instagram e pak Facebook, tallava në retorikë e në stonimin që ka me veshjet e pavenda, shtiret se po impresionon me fjalën, ndërkohë që investohet me pamjen. Një koketë me mbivlerësim për veten që shquan te politika një mundësi për të qenë stari i munguar i saj.

Në këtë sens qasja ndaj kësaj rrokullime “politike” të zonjës Duma ka rëndësinë e vet jo vetëm pse bashkë me argëtimin të ilustron edhe Shqipërinë ku jemi, por edhe sepse hamësa të tillë të kohës publike, duhet të shmangen nga i ashtuquajturi “bashkim” demokratësh që po vjen si thirrje nga Shtëpia e Lirisë së Sali Berishës dhe Ilir Metës. 6 marsi ndau dy të pabashkueshme dhe çdo pastiço që do të tentohet të gatuhet për të pajtuar ato që nuk pajtohen, thjesht shkon në favor të Edi Ramës.

E djathta ka nevojë të shërohet nga kanceri i mobesimit që mbollën skota e duksave si puna e zonjës Duma, pastaj të mendojë se çfarë do të bëjë. Ajo duhet të lajë duart edhe me Berishën që e di se nuk është e ardhmja. Është rrugë e gjatë dhe e vështirë. Por e vetmja.

Në fund, megjithë respektin e madh që kemi si faqe për talentin e z. Basha për të ujdisur me natyrshmëri të gjitha gabimet e mundshme politike, për të likujduar opozitarizmin thjesht me karakterin e vet, respekt të cilin e kemi shprehur në shkrime që nga viti 2017 kur ai siç na thotë kryeministri Edi Rama “ndenji gjashtë orë me të” – ne sërish mendojmë se as z. Basha nuk e meriton këtë pafytyrësi nga të Vetët. Sepse këta “të vetë” janë vetëm të tillë, asgjë më shumë në politikë. Por le të jetë një mësim i mirë edhe pse të mos habitemi që Bashën ta rikatapultojë të kastruar sërish Sali Berisha.

Comments

Submitted by Luani (not verified) on

Tani qe i dolen vendit te gjithe bullonat anijes se Bashes, tani e gjeten "guximin" per ti kerkuar doreheqjen keta. Sikur nje pale zgjedhje me pare (se behet fjale per pale-pale) ti kishin kerkuar doreheqjen do kishte pasur ndonje vlere, po tani? Tani qe as ambasada amerikane nuk foli me, tani e nuhaten mbytjen keta dhe u bene te "guximshem". Per te qesh me ka bere njehere ky prof. Gjekmarkaj kur ne emisionin Open deklaroj se Trumpi i paska dalur burre i keq, dhe se kishte vene re me pare e kishte pasur mendim te mire per te, por behet fjale kur Trump kishte humbur zgjedhjet e madje mbasi kishin deshtuar dhe kerkesat per vjedhjen e tyre, e ishte lincuar duke u hequr dhe nga Twitter. Atehere u poq mire "mendimi" i Profit. per ish Presidentin, mbasi u sigurua mire qe Trumpi kishte rene... kshu ishte burre jo i mire.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.