Refugjatët e vaksinës
Ata që kanë parashikuar emigracionin klimatik, nuk u ka shkuar ndonjëherë në mend se ai do të paraprihej nga emigracioni i vaksinës. “Der Spiegel” rrëfen historinë e një komuniteti të ri të ngritur rishtas në Bullgari: qytetarë gjermanë që janë larguar nga vendi i tyre për t’u shpëtuar masave anti-Covid dhe vaksinës, të cilat i konsiderojnë diktatoriale dhe në shkelje të të drejtave të tyre.
Zhvendosja e tyre duket se nuk është e përkohshme. Të mbërritur nga Berlini dhe Bavaria, ata janë vendosur në zonën e Château Aheloy në Bullgari. Kompleksi i apartamenteve në qytetin e Aheloy konsiderohet një bastion i skeptikëve të virusit dhe vaksinës.
Një roje sigurie qëndron para portës së hekurt në hyrje. Ata që thonë se janë të interesuar t’i bashkohen këtij komuniteti drejtohen te Dirk Gelbrecht, një burrë nga Gjermania veriore që ka themeluar një grup në Telegram të quajtur "Emigrantët gjermanë në Bullgari". Një vit më pas, grupi i tij është rritur në më shumë se 2 500 anëtarë.
Në Château, Gelbrecht është autoritet.
Ai hesht kur pyetet nëse personalisht e merr seriozisht koronavirusin dhe nëse është vaksinuar. Por nëse i hedh një sy grupit të tij në Telegram mund të lexosh për "idiotësinë" gjermane të C-19 dhe se si grupi kërkon që përgjegjësit në vend t'i dorëzohen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. “Sistemi i pandershëm dhe hipokrit politik dhe mediatik në Gjermani duhet të shkatërrohet”, shkruan ai.
"Shumë gjermanë po shqetësohen gjithnjë e më shumë se do të përjashtohen nëse nuk vaksinohen, se nuk do të jenë më në gjendje të marrin pjesë në shoqëri dhe se do të detyrohen të vaksinojnë fëmijët e tyre", thotë ai.
Aktualisht, në Gjermani, qytetarët duhet të paraqesin pasaportë vaksinimi apo vërtetim se janë shëruar kohët e fundit nga koronavirusi për të blerë në dyqane ose për të marrë pjesë në shumë aspekte të jetës publike, si hyrja në restorante ose bare.
Larg syve të publikut, një grup skeptikësh ndaj koronës dhe vaksinës janë organizuar përmes Telegramit për t’u larguar nga Gjermania. Një numër i konsiderueshëm prej tyre janë nisur për në Bullgari, ndër vendet më të varfra të BE-së. Pronat janë blerë ose marrë me qira, me një preferencë të qartë për bregun e Detit të Zi midis Burgasit dhe Varnës. Ëndrra e tyre mbetet jeta në një vend ku nuk duhet të mbajnë maskë dhe të mos kenë nevojë për pasaportë vaksinimi për të hyrë në restorante.
Këta “emigrantë” joshen kryesisht nga temperaturat që janë rreth 20 gradë Celsius në hije në fillim të dhjetorit të kombinuara me çmime të përballueshme. Statistikat e errëta të Covidit në Bullgari nuk i trembin. Vendi ka shkallën më të lartë të vdekjeve nga COVID-19 se çdo vend tjetër i BE-së, më shumë se 4 000 për milion banorë. Pothuajse një e dhjeta e popullsisë tashmë është infektuar dhe shkalla e vaksinimit, pavarësisht nga të gjitha paralajmërimet e qeverisë, është vetëm rreth 30 për qind. Këtë mungesë interesi për vaksinën e shpjegon më së miri thënia e një vendasi: "Për arsye historike, ne nuk i besojmë gjithçkaje që vjen nga qeveria."
Add new comment