Bibi ose jo Bibi...
Në verën e vitit 2019, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu festoi një ditë triumfaliste. Në atë ditë, 21 korrik, ai numëronte 4 876 ditë të njëpasnjëshme në zyrë, një ditë më shumë sesa David Ben-Gurion, i cili në vitin 1948 u bë kryeministri i parë i Izraelit. Nga ajo kohë një brez i tërë izraelitësh, ka identifikuar termin Kryeministër me emrin e Netanyahut, njësoj si unë dhe njerëzit e brezit tim asocionim termin në fjalë me emrin Ben-Gurion. Netanyahu është i vetmi kryeministër që ka tejkaluar Ben-Gurion, por celebrimi i asaj dite mund të ketë qenë rasti i fundit i gëzuar në karrierën e tij politike: në fakt, duket se ajo ka shenjuar fillimin e rënies së tij.
Që nga ajo kohë, u duk se sa më shumë Bibi - siç e quanin - qëndronte në zyrë, aq më shumë izraelitë kishin mall për paraardhësin e tij. Në të vërtetë, një gjysmë shekulli pas vdekjes, Ben-Gurion ishte kthyer në një lloj figure kulti legjendar. Ndërsa po punoja për historinë e jetës së tij, në Izrael u publikuan katër biografi të tjera për Ben-Gurion dhe u prodhua një dokumentar i gjatë. Vështirë se mund të kalonte një ditë pa një referencë nostalgjike për të në media dhe diskursin publik.
Në disa çështje bazike, Netanyahu pati qasje në frymën e Ben-Gurion, por jo shumë njerëz e asociuan atë me integritetin e tij. Ai iu nënshtrua një gjyqi për korrupsion, përfshirë akuzat për rryshfet dhe u detyrua të largohej. Zëvendësimi i tij shënonte kulminacionin e dy viteve dramatike, përfshirë katër zgjedhje të përgjithshme jopërcaktuese.
Kriza më e gjatë në historinë e demokracisë së Izraelit koniçidoi me pandeminë e koronës dhe çoi në braktisjen nga shumë izraelitë të pasionit të tyre të njohur për politikën, për t’u ndarë në fakt kryesisht vetëm mbi një çështje: Bibi ose jo Bibi. Nën Netanyahun, Izraeli u zhvendos në mënyrë të qëndrueshme djathtas; E Majta socialdemokratike që dikur kishte udhëhequr vendin dhe në vijim opozitën – thuajse u zhduk tërësisht. Dhunimi sistematik i të drejtave të njeriut në territoret palestineze të pushtuar më 1967, u bënë një rutinë normale; numri i kolonëve izraelitë në këto territore arriti në thuajse gjysmë milioni; e ashtuquajtura “Zgjidhja e Dy Shteteve” për konfliktin izraelito-palestinez, u bë e vjetër.
Netanyahu ka folur rrallë rreth të ardhmes së Izraelit dhe Palestinës. Djalë i një historiani, ai ndjente se po përçonte projektin sionist që ka nisur në fund të shekullit të 19-të. Është e qartë se ai e di se sa më shumë që Izraeli vijon të sundojë palestinezët, aq më pak ka gjasë që ai të mbijetojë si një vend demokratik hebraik. Por ngjashëm me Ben-Gurion, Netanyahu nuk beson në paqen me palestinezët. “Ka një abis dhe asgjë nuk mund ta mbushë atë”, - deklaronte Ben-Gurion në fillim të 1919. Në fund të jetës së tij, ai besonte se konflikti në rastin më të mirë mund të menaxhohej, por jo të zgjidhej. Netanyahu gjithashtu, i sheh palestinezët fillimisht si një kërcënim permanent.
Por në dallim nga Ben-Gurion, që kërkonte të riformësonte fatin historik të kombit të tij, Netanyahu ka vepruar më shumë si kujdestar, i shqetësuar më tepër për sigurinë aktuale të Izraelit. Një besimtar i vendosur i parimit “përça e sundo” ai zhvilloi një bashkëpunim të arsyeshëm me Autoritetin Palestinez që kontrollon pjesë të Bregut Perëndimor dhe ia la Gazën Hamasit, rivali i egër islamik i AP-së.
Kushtet në Gaza u përkeqësuan mizorisht, duke iu afruar shpesh një katastrofe humanitare. Kohë pas kohe, Hamas u përpoq ta bënte po ashtu të padurueshme jetën në anë izraelite të kufirit, duke përdorur raketa të prodhuara prej tij apo mënyra të tjera të përmirësuara, si balona shumëngjyrëshe ditëlindjesh që u vinin zjarrin plantacioneve izraelite. Nën Netanyahun, Izraeli reagoi në mënyrë të përsëritur me forcë të madhe përfshirë me raste edhe goditjet ajrore dhe katër operacione ushtarake në shkallë të madhe. Loja fshihu-kërko mes avionëve luftarakë F-35 dhe balonave të fëmijëve mbeti në pjesën më të madhe pa përfundim.
Disa anëtarë ekstremistë të kabinetit të Netanyahut kërkonin veprime më hakmarrëse por ai shpesh preferoi pragmatizmin e përrllogaritur ndaj dogmave ideologjike. Në këtë mënyrë ai iu shmang me mençuri pushtimit të Gazës, nuk e aneksoi formalisht Bregun Perëndimor dhe i kufizoi shumicën e veprimeve kundër Iranit në taktikat e spiunazhit më tepër se në sulmet e hapura.
Vetëpërmbajtja e tij në pamjen e jashtme çoi shumë izraelitë të besonin se problemi palestinez ishte vënë pak a shumë nën kontroll; asnjë lëshim i dhimbshëm nuk dukej i domosdoshëm aty për aty. Ky iluzion i rehatshëm i dha Netanyahut një mbështetje të konsiderueshme. Kontaktet e afërta të pazakonta me presidentin amerikan të kohës, Donald Trump dhe normalizimi i raporteve me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vende të tjera myslimane përforcuan prestigjin e Netanyahut edhe në botë. Një performues i madh, fjalimet impresionuese të Netanyahut, përfshirë ato si i ftuar në Kongresin amerikan dhe Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, e portretizuan atë si një superyll ndërkombëtar, shumë më lart se çdo rival potencial në Izrael.
Izraeli nën Netanyahun shfaqi një histori dramatike suksesi në planin ekonomik. I diplomuar në MIT, ai kërkoi ta bënte Izraelin një “komb start-up”; në të vërtetë asnjëherë më parë nuk kishte patur kaq shumë izralitë në gjendje të mirë. Shumë prej pasuesve të tij e thërrisnin “Mbreti Bibi”, të tjerë “Magjistari”; ai dukej i pazëvendësueshëm edhe për kundërshtarët e tij. E kam ndjekur politikën izraelite dhe historinë e tij për aq gjatë sa mundem të mbaj mend. Në moshën 71 vjeçare, Netanyahu është i pari kryeministër i Izraelit më i ri se unë. Prisja pak supriza dhe kur Netanyahu humbi vendin e tij ngriva.
Ai nuk është lideri i parë izraelit që është proceduar. Ish-kryeministri Ehud Olmert kaloi 16 muaj në urg për korrupsion. Përgjattë viteve, një numër i madh anëtarësh të kabinetit të ministrave dhe kryebashkiakë janë çuar po ashtu në gjyq për shkelje financiare. Ndaj izraelitët janë të prirur të mos u besojnë liderëve të tyre derisa të provohet se janë të pafajashëm. Tajkunë ndërkombëtarë, cigare të shtrenjta dhe shambanjë – afera Netanyahu ka thuajse një fashino operistike të misterit. Megjithatë, rasti i Mbretit Bibi ishte veçanërisht një farsë. Sipas një pjesë të akuzës, ai përfitoi ilegalisht kuti me cigare të shtrenjta dhe shishe shampanje roze si dhurata nga disa dashamirës të huaj të Izraelit. Ai u deklarua i pafajshëm nga të gjitha akuzat; në të vërtetë Netanyahët mund t’i lejojnë vetes të gjitha cigaret që do të pijë kryeministri dhe shampanjën që thuhet se pëlqen të pijë e shoqja e tij. Bibi njihet si qejfli dhe kështu janë edhe gruaja e tij e tretë Sarah dhe djali i tij i madh, Yair.
Stili i tyre i jetës, shpesh në shoqërinë e tajkunëve ndërkombëtarë, ka ushqyer një kriticizëm skandalistik edhe para sesa ai të përfundontë në gjyq. E megjithatë, nuk arrij të kuptoj, sesi një njeri i tillë i shkëlqyer, oficer, diplomat, biznesmen dhe lider kombëtar të mund të rrezikojë kaq shumë për kaq pak, përfshirë karrierën politike dhe vendin e tij në histori. Sigurisht, do të kishte qenë një tjetër rast arrogance dhe budallallëku. Megjithatë, diçka më thotë se ka më shumë se kaq në këtë histori; vetëm me kaq sa kemi nuk mund të kuptoj se çfarë mund të jetë…
Disa akuza ngrejnë çështje të një rëndësie globale, veçanërisht në epokën e mediave sociale dhe lajmeve të rreme. Netanyahu dyshohet se negocioi një marrëveshje ilegale me botuesin e Jedi’ot Acharonot, tabloidi kryesor izraelit. Sipas këtyre akuzave, Netanyahu, në këmbim të mbulimit favorizues nga gazeta, do të mbështeste hapa legjislativë dhe administrativë për të ulur tirazhin e një tabloidi konkurent. Në një shkallë më të madhe, thuhet se ai ka favorziuar një manjat telekomunikacioni në këmbim të mbulimit favorizues në një faqe popullore online. Disa herë u aludua se ishte zonja Netanyahu që kërkonte një imazh më përkëdhelës në faqe. E sikletshme, por kështu doli në dritë korrupsioni në mediat izraelite. Kështu, gjykata e Jeruzalemit mund të detyrohet të formulojë udhëzime detyruese të paprecedenta për marrëdhënien e punës mes politikës dhe medias, një zonë kjo gri edhe në disa vende të tjera demokratike. Në këtë linjë, rasti i ish-kancelarit austriak Sebastian Kurz, një admirues i madh i Netanyahut, u ndoq me interes të veçantë në Izrael. Në një aferë shumë më dramatike, Netanyahu u pastrua në mënyrë misterioze pa akuza formale. Kjo ka të bëjë me blerjen e tri nëndetësve të tipit Dolphin dhe katër korvetave Sa’ar 6 nga ThyssenKrupp. Kjo aferë mund të jetë në të ardhmen subjekt i hetimeve të mëtejshme.
Dy vitet e fundit të tij në zyrë, ishin më të këqijat. Mijëra demonstrues mblidheshin para rezidencës së tij zyrtare në Jeruzalem çdo fundjavë duke kërkuar që “I Dyshuari” siç e quanin – të rrëzohej. Sipas ligjit izraelit, një kryeministër në gjykim për korrupsion nuk është i detyruar të dorëhiqet, por vijueshmëria e protestës dhe dështimet e vazhdueshme të tij për të shpëtuar koalicionin, dukej se po tregonte një zhvillim të ri dhe deri më atëherë të paimagjinueshëm: Mbreti Bibi po humbiste.
Humbja e Donald Trump mund të ketë ardhur si një goditje shtesë, më tepër psikologjike për karrierën e tij. Ai kishte qenë një ndër mbështetësit më të ashpër të Trump dhe ky i fundit konsiderohej më “pro-Izrael” se çdo president i mëparshëm amerikan. Kur ai më në fund u detyrua të largohej nga Shtëpia e Bardhë, në Washington nuk ndodhi hataja. Shumë izraelitë befas kuptuan se ka jetë edhe pas Netanyahut. Më domethënëse, problemet e tij treguan po ashtu se sesa e brishtë është matrica sociale e Izraelit.
Marshimet e protestës vinin nga i gjithë vendi, por ata përfaqësonin kryesisht atë pjesë të Izraelit që është përshkruar shpesh si “Shteti i Tel-Avivit” apo thjesht “Smolanim” – majtistët. Ata konsistojnë në grupe të shumta veprimi, disa prej të cilëve thuajse për të mos u konsiuderuar dhe në konflikt me njëri-tjetrin.
Ata përfaqësojnë vlera elitiste, shpesh të amerikanizuara. Këto grupe lidhen kryesisht me origjinën “Ashkenazi”(perëndimore), por në të tërën, ata bashkoheshin thuajse vetëm në ambicien për të hequr qafesh Bibin.
“Bibistët” nga ana tjetër i përmbaheshin kryesisht traditave konservatore, religjioze dhe nacionaliste. Ata ishin kryesisht trashëgimtarë të Mizrahi (“Orientalëve”), njerëz që kishin imigruar në Izrael nga Afrika e Veriut dhe vendet e Lindjes së Mesme. Dhe kështu, mëritë e vjetra etnike, të supozuara se ishin lënë pas prej kohësh – u rishfaqën sërish.
Si një i lindur elitist, Netanyahu ndoshta i urrente “Bibistët” brohoritës, por e ndan besimin e tyre se ai ka qenë viktimë e disa komploteve klandestine për ta shkatërruar. Deri në fund, ai ia doli mirë në gjitha sondazhet, përherë mbi kandidatët e tjerë potencialë për kryeministër. Dhe ai thuajse ia doli, përherë me mungesën e vetëm dy apo tri vendeve në Knesset, parlamentin izraelit. Në dy vjet nuk u prezantua asnjë alternativë. Dhe në të njëjtën kohë, pandemia goditi.
Sistemi shëndetësor publik i Izraelit funksionon me të vërtetë mirë. Bazuar në vlerat socialdemokrate që burojnë nga ditët e Ben-Gurion, ai është modernizuar përgjatë dekadave dhe renditet ndër më të mirët në botë. Izrael ishte një nga vendet e para që ofroi dhe administroi vaksinimin për të gjithë.
Sipas narrativës së Netanyahut, ai negocioi vetë marrëveshjet për vaksinën e Pfizer përmes një duzine telefonatash me drejtorin ekzekutiv të kompanisë, Albert Bourla. Ndërkohë që vende të tjera grindeshin me njëri-tjetrin për vaksinat – Netanyahu thjesht telefononte, paguante dhe i merrte. Siç tregonte me krenari Netanyahu, të paktën një herë, Bourla hapi telefonin në orën 3 të mëgjesit. Ai e përshkruante atë si mikun e tij dhe për një kohë, Bourla, djalë i prindërve greko-hebrej që i mbijetuan Holokaustit, u nderua si një heo kombëtar i Izraelit, krah për krah me vetë Bibin. Sipas të gjitha mundësive, kjo histori ishte të paktën diçka më e ndërlikuar se kaq. Për disa arsye të panjohura, pjesë të kontratës me Pfizer nuk janë bërë publike, sikur ato të përmbajnë ndonjë sekret madhor të shtetit. Njësoj si liderët e vendeve të tjera, Netanyahu mori disa vendime që mbeten kontroverse, përfshirë një mbyllje thuajse totale dhe të dëmshme. Në Izrael po ashtu, për shkak të pandemisë vdiqën mijëra njerëz.
Megjithatë, menaxhimi i krizës nga Netanyahu mund të kujtohet si momenti i tij më i shkëlqyer. Por paradoksalisht ajo tregoi sesa i dobët ishte lidershipi i tij. Pasi miliona izraelitë thjesht i injoruan rregulloret e qeverisë së tij dhe nuk mund të detyroheshin që t’u bindeshin atyre. Në një pikë, situata për pak nuk shkoi në një lëvizje masive të mosbindjes civile, që përfshinte 1/3-ën e vendit.
Më shumë se 1 milion izraelitë(rreth 15% e popullsisë çifute të vendit) i përket një larmie komunitetesh ortodokse që shpesh e konsiderojnë më të lartë lidershipin e tyre shpirtëror përkundrejt atij shtetëror. Kështu që kur, si pjesë e betejës kundër pandemisë, qeveria urdhëroi mbylljen e të gjitha shkollave, disa rabinë me ndikim dekretuan mbajtjen hapur të shkollave ortodokse. Dhe kështu ndodhi: fëmijët ortodoksë vijuan mësimin sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Është e qartë se policia nuk mund të detyronte fëmijët të shkonin në shtëpi. Në përputhje me traditën e tyre komunitare, të gjitha qytetet ortodokse injoruan rregulloret për distancimin social. Shkalla e vaksinimit mes ortodoksëve renditet ndjeshëm më ulët sesa ajo e përgjithshme. Shkalla e infeksionit ishte ndjeshëm më e lartë. Tensionet mes fetarëve dhe shekullarëve kanë dominuar historinë e Izraelit për dekada, por vështirë se ky antagonizëm ka qenë më armiqësor sesa përgjatë pandemisë. Edhe antipatia arabo-çifute mori zjarr.
Një në pesë izraelitë është një arab. Që të mos ngatërrohen me palestinezët që jetojnë në Bregun Perëndimor dhe Gaza, arabët i përkasin një seksioni shumë të deiversifikuar të popullsisë së Izraelit. Ata po ashtu regjistruan një shkallë ndjeshëm më të lartë infeksionesh dhe shkalle të ulët vaksinimi krahasuar me pjesën tjetër të popullsisë. Doktorët dhe infermierët arabë në spitale punonin krah për krah me personelin çifut, e sërish shumë prej arabëve izraelitë janë pjesë e segmenteve më të dobëta socioekonomike të vendit; shumë prej tyre jetojnë në zona rurale dhe i përmbahen traditave. Shumë prej tyre nuk ia dolën as të kuptojnë rregulloret e koronës.
Shtuar kësaj, trashëgimia e katastrofës palestineze të Nakbas më 1948, ka sjellë si pasojë që shumë arabë izraelitë të jenë dyshues për shtetin e Izraelit dhe ta sfdojnë autoritetin e tij. Edhe këtu , njerëzit shpesh mund të mos jenë të bindur apo edhe t’u binden rregulloreve mjekësore të sigurisë. Po ashtu, shumë izraelitë arabë ishin të neveritur nga fakti se vetëm ata palestinezë nga Bregu Perëndimor apo Gaza që kishin leje të punonin në Izrael përmbushnin kushtet për t’u vaksinuar. Miliona të tjerë u lanë në fatin e tyre.
Në një pikë të caktuar, Izraeli i ofroi palestinezëve doza që ishin në kufij të skadencës, por palestinezët refuzuan t’i pranonin dhe vendosën të menaxhonin pandeminë vetë. Vështirë të gjesh një moment tjetër ku karakteri inhuman i politikës së Izraelit përkundrejt palestinezëve të jetë më turbullues. Shumë shpejt pasi humbi vendin e tij, Netanyahu shkoi me pushime në Havai si i ftuar i një një prej miqve të tij pasanikë. Në një prej aeroportëve tranzit, ai u fotografua mbështetur mbi valixhe; dukej disi patetik.
Është spekulluar se në varësi të ecurisë së gjyqit të tij, ai mund të tërhiqet nga politika po ashtu. Për herë të parë, anëtarë drejtues të partisë së tij, Likud, po guxojnë të konsiderojnë kandidatë të tjerë. Frau Merkel, që kreu një vizitë lamtumire në Izrael në muajin tetor, e injoroi atë. Por Bibi gëzon ende mbështetje të ndjeshme popullore dhe mund të kthehet.
Pasardhësi i tij, 49 vjeçari, Naftali Bennett, drejton një parti të vockël të së djathtës. Ai ishte në gjendje që të krijonte thuajse mrekullisht një koalicionin shumë të paqëndrueshëm që ka shumicën me vetëm një votë, e ku përfshien edhe disa vota arabësh. Bennett është i pari nga 13 kryeministrat e Izraelit të cilin nuk e kam takuar personalisht; ai duket si një njeri i denjë, ndonëse i squllët, për të cilin nuk ka shumë se çfarë të thuash. Ideja se ai do të ulet në zyrën e Ben-Gurion mua më duket e pabesueshme.
Muajt e tij të parë në detyrë duket se tregojnë se ai apo ndjek hapat e Ben-Gurion dhe Netanyahut. Në një prej deklaratave të tij të para si kryeministër, ai përjashtoi mundësinë e paqes me palestinezët për momentin. Hija e Netanyahut duket se e përndjek atë pa ndalim. Vlerësimi i tij për poizicionin aktual tingëllon i ekuilibruar: “Njerëzit më presin me shumë ngrohtësi – por nuk do të votojnë për mua”, u shpreh ai 100 ditë pas marrjes së detyrës.
Burimi: Spiegel
Përkthimi: Skerdilajd Zaimi
Add new comment