Diplomacia e vaksinës, Erdogan premton 15 milionë doza për Afrikën
Turqia do të dërgojë 15 milionë doza të vaksinës Covid-19 në Afrikë. Presidenti Recep Tayyip Erdogan në një samit të madh të liderëve të kontinentit tha se numri i vogël i vaksinimit është njollë për njerëzimin.
Ankaraja ka investuar shumë në zhvillimin e marrëdhënieve tregtare dhe diplomatike me kontinentin më të varfër të botës gjatë qeverisjes së Erdoganit si kryeministër dhe më pas president që nga viti 2003.
Në një samit me liderët e vendeve të Afrikës, Erdogan se Turqia është e vetëdijshme për padrejtësinë globale në aksesin ndaj vaksinës Covid-19.
“Është e turpshme për njerëzimin që vetëm gjashtë për qind e popullsisë së Afrikës janë vaksinuar”.
Turqia po zhvillon vaksinën e saj, Turkovac, e cila ka aplikuar për miratimin e përdorimit urgjent. Me hapjen e dritës jeshile, ajo do të ndahet me Afrikën.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Turqia do t’i dërgojë fillimisht Afrikës disa doza të vaksinave të miratuara ndërkombëtarisht që po përdor aktualisht, duke përfshirë ato të zhvilluara nga Pfizer-BioNTech.
Ndërkohë, në Afrikë, numri i infeksioneve të reja është rritur me 57 për qind javën e kaluar.
Afrika e Jugut është vendi më i goditur në kontinent, ku infeksionet po rriten për shkak të variantit të ri Omicron.
Varianti i ri u zbulua për herë të parë në Afrikën e Jugut dhe Botsvana muajin e kaluar.
Erdogan tha se Turqia dëshiron të forcojë marrëdhëniet me Afrikën në shumë fusha, përfshirë shëndetin, mbrojtjen, energjinë, bujqësinë dhe teknologjinë.
Tregtia midis Turqisë dhe Afrikës është rritur në 20 vitet e fundit nga 5.4 miliardë dollarë në 25.3 miliardë dollarë (4.8 miliardë euro në 22.5 miliardë euro) vitin e kaluar.
Dhe në 11 muajt e parë të 2021, ajo kishte arritur në 30 miliardë dollarë, tha Erdogan.
Objektivi i Turqisë për të ardhmen është 75 miliardë dollarë.
Në samitin ku Erdogan bëri premtimin e vaksinës morën pjesë 16 krerë shtetesh afrikane, 102 ministra dhe 26 diplomatë të lartë.
Add new comment