Kutia e zezë post apokalips
Çfarë do të linte mbrapa njerëzimi nëse zhduket? Copëza qytetesh? Apo Statujën e Lirisë, si te “Planeti i Majmunëve”?
Një ekip studiuesish ka menduar për këtë. Një kuti e stërmadhe dhe e pashkatërrueshme që do të regjistrojë të dhëna shkencore, që do t’u bënin të qartë qytetërimeve pasuese arsyet e kolapsit të njerëzimit.
Kutia e zezë e Tokës është projekti që parashikon instalimin e një monoliti çeliku me përmasa gjigante në një zonë të thellë të Tasmanisë. Parimi mbi të cilin është ndërtuar është i njëjtë me atë të kutive të zeza të avionëve, të cilat hetuesit i përdorin për të kuptuar më shumë në raste aksidentesh ajrore.
Projekti në fjalë është një bashkëpunim mes Universitetit të Tasmanisë, agjencisë së marketingut Clemenger BBDO dhe agjencisë kreative, The Glue Society.
Në kuti do të regjistrohen të dhëna klimatike si niveli I CO2 në atmosferë, temperature e deteve dhe nivelet e konsumit të energjisë.
“Ideja është që, nëse Toka shkatërrohet si rezultat i ndryshimeve klimatike, kjo pajisje regjistrimi e pathyeshme do të japë informacion për këdo që ka mbetur për të mësuar prej saj”, tha Jim Curtis, drejtor ekzekutiv në Clemenger BBDO, për ABC.
Vetë kutia do të jetë prej çeliku me trashësi tre inç, e fortifikuar me granit. Brenda saj do të ketë një sistem disqesh magazinimi të lidhur me internetin, të mundësuar nga panele diellore në pjesën e saj të sipërme.
Pikëpyetja më e madhe për ekipin tani është se si t'i ndihmojmë qytetërimet e ardhshme të kenë akses në informacionin që kutia përmban.
Add new comment