SHBA: Putin ka në plan të pushtojë Ukrainën
Forcat ruse kanë një plan për pushtimin e Ukrainës. Tensionet janë rritur javët e fundit në kufirin mes dy vendeve, por Kremlini e ka mohuar gjithnjë të ketë plane për veprime ushtarake kundër fqinjit të saj të vogël në perëndim.
Por një zyrtar i inteligjencës amerikane i ka thënë AP, në kushte anonimiteti, se zyrtarët rusë e kanë një plan për një ofensivë të mundshme në 2022.
Zyrtari tha se 100 grupe taktike batalioni, forca të blinduara, artileri dhe pajisje janë pjesë e planit të Rusisë. Inteligjenca gjithashtu vlerëson se gjysma e personelit të propozuar rus – i cili mund të arrijë në 175 000 gjithsej – janë tashmë të shpërndarë nëpër pika të ndryshme pranë kufirit me Ukrainën. Kërcënimi i afërt vjen në një moment kur Rusia kërkon që presidenti Joe Biden të mos e lejojë Ukrainën të bëhet pjesë e NATO-s.
Biden deklaroi të premten se SHBA do t’ia bëjë të vështirë Putinit pushtimin e Ukrainës.
"Ajo që po bëj është të bashkoj atë që besoj se do të jetë grupi më gjithëpërfshirës dhe më kuptimplotë i iniciativave për t’ia bërë shumë, shumë të vështirë zotit Putin që të vazhdojë dhe të bëjë atë që njerëzit janë të shqetësuar se ai mund të bëjë", tha Biden.
Një tjetër shenjë paralajmëruese sipas inteligjencës amerikane është edhe fakti se kohët e fundit është shtuar propaganda ruse për Ukrainën dhe NATO-n.
Biden dhe Putin mund të takohen javën e ardhshme. Pritet që takimit t’i paraprijë një telefonatë.
Add new comment