Raporti: Emetimet e karbonit, konstante përgjatë dekadës së fundit
Ndryshe nga sa mendohej, niveli i emetimeve të karbonit ka qëndruar konstant përgjatë viteve të fundit. Ky është konkluzioni i një grupi studiuesish në kuadër të Projektit Global të Karbonit (GCP).
Ky i fundit parashikon që emetimet fosile në vitin 2021 do të arrijnë 36.4 miliardë ton CO2 (GtCO2), vetëm 0.8% nën nivelin e tyre para pandemisë prej 36.7 GtCO2 në 2019. Kina dhe India udhëheqin për nivelin më të lartë të emetimeve.
Studiuesit thonë se ata “prisnin një lloj rikthimi te rritja në 2021” pasi ekonomia globale u vu sërish në lëvizje pas Covid-19, por kjo rritje rezultoi më e madhe.
Ndërsa emetimet fosile pritet të kthehen në nivele gati rekord, studimi gjithashtu rivlerëson emetimet historike nga ndryshimi i përdorimit të tokës, duke zbuluar se prodhimi global i CO2 mund të ketë qenë efektivisht konstant gjatë dekadës së fundit.
GCP 2021 pothuajse përgjysmon vlerësimin e emetimeve neto nga ndryshimi i përdorimit të tokës gjatë dy viteve të fundit - me një mesatare prej 25% gjatë dekadës së fundit.
Këto ndryshime vijnë nga një përditësim i grupeve bazë të të dhënave të përdorimit të tokës që ulin vlerësimet e zgjerimit të tokës bujqësore, veçanërisht në rajonet tropikale. Emetimet nga ndryshimi i përdorimit të tokës në grupin e ri të të dhënave GCP janë ulur me rreth 4% në vit gjatë dekadës së fundit, krahasuar me një rritje prej 1.8% në vit në versionin e mëparshëm.
Megjithatë, autorët e GCP paralajmërojnë se pasiguritë në emetimet e ndryshimit të përdorimit të tokës mbeten të mëdha dhe "kjo prirje mbetet për t'u konfirmuar".
Më parë, po sipas të dhënave të GCP, emetimet globale të CO2 u rritën me një mesatare prej 1.4 GtCO2 në vit midis 2011 dhe 2019 – përpara rënies së emetimeve të lidhura me Covid. Të dhënat e reja të rishikuara tregojnë se emetimet globale të CO2 ishin në thelb të sheshta – duke u rritur me vetëm 0,1 GtCO2 në vit nga 2011 dhe 2019. Kur përfshihen vitet 2020 dhe 2021, të dhënat e reja të GCP i tregojnë në fakt emetimet globale paksa në rënie gjatë dekadës së kaluar, megjithëse kjo duhet të trajtohet me kujdes për shkak të natyrës së përkohshme të rënieve të lidhura me Covid.
Të dhënat e reja të GCP i vendosin gjithashtu emetimet totale historike (1750-2020) rreth 19 GtCO2 më të ulëta se në versionin e mëparshëm të 2020-s, afërsisht të barabartë me një gjysmë viti të emetimeve aktuale globale.
Autorët paralajmërojnë, megjithatë, se vlerësimet e tyre të reja mund të mos reflektojnë plotësisht rritjen e shpyllëzimit brazilian në vitet e fundit. Po ashtu, rezerva kanë edhe për degradimin e pyjeve - përkeqësimin e ekosistemeve pyjore që nuk përfshin reduktimin e sipërfaqes pyjore.
Add new comment