Zoran Zaev dorëhiqet pas humbjes së zgjedhjeve lokale
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, u dorëhoq pas humbjes së zgjedhjeve lokale. “Përgjegjësia për këtë rezultat është e imja dhe unë jap dorëheqjen si kryeministër dhe si lider i Bashkimit Social Demokrat”, tha Zaev mbrëmjen e së dielës, pa u shpallur ende rezultatet zyrtare.
Në Shkup, garën e fitoi Danela Arsovska, e qendrës së djathtë. Ajo bëhet kështu kryebashkiakja e parë grua që do të drejtojë Shkupin.
Kandidatët e mbështetur nga partia kryesore e opozitës, VMRO-DPMNE e qendrës së djathtë pritet të marrin të paktën gjysmën e 80 komunave të vendit, ndërsa socialdemokratët nuk do t’i kalojnë 20 të tilla.
Në zgjedhjet e fundit komunale, në vitin 2017, socialdemokratët fituan 57 njësi vendore dhe VMRO-DPMNE vetëm pesë.
Në pranimin e humbjes, Zaev doli kundër zgjedhjeve të parakohshme kombëtare, duke thënë se do të mbështesë një qeveri të udhëhequr nga socialdemokratët nën një lider të ri.
Ndërkohë, Hristijan Mickoski, kreu i partisë kryesore opozitare të qendrës së djathtë, VMRO-DPMNE, ngul këmbë për zgjedhje të parakohshme.
“Partia qeverisëse tani është delegjitimuar dhe ky është një realitet i ri. Mënyra më e mirë tani janë zgjedhjet e parakohshme”, tha Mickoski, pas shpalljes së fitores në zgjedhjet lokale.
Zgjedhjet e fundit kombëtare në Maqedoninë e Veriut janë mbajtur në korrik 2020. Zgjedhjet e radhës janë ato të vitit 2024, por tani gjithçka varet nga Parlamenti.
Nëse Parlamenti pranon dorëheqjen e Zaevit pritet nisja e negociatave për të formuar një kabinet të ri nën një lider tjetër socialdemokrat.
Kjo është hera e parë në historinë 30-vjeçare të Maqedonisë së Veriut që një kryeministër jep dorëheqjen pas një humbjes në zgjedhjet lokale.
Add new comment