Vendimi i Kushtetueses thellon përplasjen Poloni-BE

Postuar në 08 Tetor, 2021 16:38

Gjykata Kushtetuese në Poloni i cilëson në kundërshtim me Kushtetutën e vendit disa ligje të Bashkimit Evropian. Vendimi i shpallur dje shkaktoi zemërim në Bruksel dhe ka gjasa të dëmtojë më tej marrëdhëniet me BE-në. Gjykata u kërkoi institucioneve të BE-së të mos "veprojnë përtej fushëveprimit të kompetencave të tyre" duke ndërhyrë në gjyqësorin e Polonisë.

Marrëdhëniet mes Polonisë dhe BE-së janë të acaruara prej kohësh për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me reformat gjyqësore të paraqitura nga partia qeverisëse e së djathtës polake e Drejtësisë dhe Drejtësisë (PiS), e cila sipas Brukselit kërcënon demokracinë e vendit.

Qeveria e Polonisë ka injoruar disa vendime të gjykatave të BE-së.

Kryeministri polak Mateusz Morawiecki kërkoi opinionin e Kushtetueses pasi gjykata e BE vendosi që ligji i Bllokut ka përparësi mbi ligjin e Polonisë.

Vetë Gjykata Kushtetuese shihet nga BE si e paligjshme për shkak të ndikimit politik të partisë qeverisëse të Polonisë në emërimin e disa gjyqtarëve të saj. Shumë janë besnikë të qeverisë - përfshirë presidenten e gjykatës, gjyqtaren Julia Przylebska, e cila drejtoi kolegjin në çështjen aktuale.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se është "thellësisht e shqetësuar" dhe ka udhëzuar ekzekutivin e saj që ta analizojë këtë çështje për të vendosur se çfarë hapash duhet të ndërmerren.

"Prioriteti ynë kryesor është të sigurojmë që të drejtat e qytetarëve polakë të mbrohen dhe që qytetarët polakë të gëzojnë përfitimet e dhëna nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian, ashtu si të gjithë qytetarët e Unionit", tha Von der Leyen në një deklaratë të shkurtër.

Ministri francez për Europën, Clement Beaune, tha se ky është provokimi i radhës nga Polonia.

"Nuk është çështje teknike ose juridike. Është një temë shumë politike që i shtohet një liste të gjatë provokimesh që synojnë BE-në. Kur bashkohesh me një klub nënshkruan një kontratë që quhet traktat, e cila u ratifikua me referendum në Poloni. Kjo ishte zgjedhja e popullit polak. Ka 80 milionë njerëz polakë dhe ata duan të qëndrojnë në BE. Ata nuk e donin këtë", tha ai.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.