Apeli i 220 revistave shkencore: Ndryshimi i klimës do të sjellë dëme të pakthyeshme
Ngrohja globale tashmë po ndikon në shëndetin e njerëzve aq shumë, saqë masat emergjente ndaj ndryshimeve klimatike nuk mund të pezullohen ndërsa bota merret me pandeminë Covid-19, paralajmëruan të hënën revistat mjekësore në të gjithë globin.
"Shëndeti po dëmtohet nga rritja e temperaturës globale dhe shkatërrimi i natyrës", thuhet në një artikull të botuar në më shumë se 220 revista kryesore përpara samitit të klimës Cop26, që mbahet në nëntor.
Që nga epoka para-industriale, temperaturat janë rritur rreth 1.1 gradë Celsius (34 gradë Fahrenheit).
Editoriali, i shkruar nga kryeredaktorët e revistave shkencore, përfshirë Lancet, Journal of African African Medical, Revista de Saude Publica të Brazilit dhe International Nursing Revieë, tha se kjo kishte shkaktuar një mori problemesh shëndetësore.
"Në 20 vitet e fundit, vdekshmëria e lidhur me nxehtësinë te moshat mbi 65 vjeç është rritur me më shumë se 50 për qind," thuhet në të.
"Temperaturat më të larta kanë sjellë dehidratim dhe humbje të funksionit të veshkave, sëmundje malinje dermatologjike, infeksione tropikale, probleme të shëndetit mendor, komplikime të shtatzënisë, alergji, dhe sëmundshmëri dhe vdekshmëri kardiovaskulare dhe pulmonare."
Në artikull, vihet në dukje rënia e prodhimit bujqësor, "duke penguar përpjekjet për të zvogëluar kequshqyerjen".
Këto efekte, të cilat godasin më së shumti ata që janë më të prekshëm si pakicat, fëmijët dhe komunitetet më të varfra, janë vetëm fillimi, paralajmëron shkrimi.
Sipas kushteve aktuale, ngrohja globale mund të arrijë +1.5C nga nivelet para-industriale rreth vitit 2030, sipas Panelit Ndërqeveritar të OKB-së për Ndryshimet Klimatike.
Dhe kjo, së bashku me humbjen e vazhdueshme të biodiversitetit, "rrezikojnë dëmtime katastrofike dhe të pakthyeshme për shëndetin", paralajmëron editoriali.
Në një deklaratë përpara botimit të editorialit, shefi i Organizatës Botërore të Shëndetit Tedros Adhanom Ghebreyesus tha: "Rreziqet që vijnë nga ndryshimet klimatike mund t'i zbehin ato të çdo sëmundjeje të vetme. Pandemia Covid-19 do të marrë fund, por nuk ka vaksinë për krizën klimatike. Çdo veprim i ndërmarrë për të kufizuar emetimet dhe ngrohjen na afron me një të ardhme më të shëndetshme dhe më të sigurt."
Editoriali vë në dukje se shumë qeveri e përballuan kërcënimin e Covid-19 me "financim të paparë" dhe bëri thirrje për "një përgjigje të ngjashme emergjente" ndaj krizës mjedisore, duke theksuar përfitimet që vijnë prej saj.
Add new comment