Lufta nuk ka mbaruar

Postuar në 23 Gusht, 2021 22:35
Intervistoi: Yannis Palaiologos

 

Një fund që pritej për shkak të gabimeve të shumta. Kështu e quan tërheqjen e turpshme amerikane nga Afganistani, ish-këshilltari i Sigurisë i Presidentit amerikan, Trump, gjenerali H.R. McMaster. Në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini” ai thekson se lufta nuk ka mbaruar dhe se herët apo vonë, bota do të merret sërish me Talibanin. 

***
 

U befasuat nga shpejtësia e kolapsit të ushtrisë dhe qeverisë afgane? A nuk ishte ky një dështim masiv i shërbimeve inteligjente, i ngjashëm me Iranin në vitin 1979?

Nuk u befasova, nisur nga mënyra si iu qasëm tërheqjes – ne humbëm totalisht besimin e tyre duke bërë lëshim pas lëshimi ndaj Talibanit. Përfshirë detyrimin e qeverisë afgane për nxjerrjen nga burgu të 5000 terroristëve – duke përforcuar forcat e Talibanit – dhe duke mos lejuar madje qeverinë afgane të merrte pjesë në atë që u bë marrëveshja jonë e kapitullimit me Talibanin. 

Sa e rëndësishme është që ShBA të udhëheqë evakuimin e sa më shumë afganëve të ekspozuar? Sa e angazhuar është administrata Biden sipas jush për këtë gjë? 

Është shumë e rëndësishme për ne që të ndihmojmë aleatët afganë që punuan me ShBA në 20 vitet e shkuara dhe tani kanë frikë nga hakmarrja e Talibanit. Asgjë nuk kontribuon më shumë në katastrofën humanitare që po shohim tani. Mënyra sesi do të menaxhojmë evakuimin ka rëndësi edhe gjeostrategjike. Shpresoj se presidenti do ta kthejë këtë në prioritet kryesor- sidomos në dritën e sakrifcave të shumta të bëra prej shumëkujt në luftën kundër atij që është kufiri modern mes barbarizmit dhe qytetërimit. 

Duke parë përtej çështjes kyçe të ekzekutimit të tërheqjes, a bëri Joe Biden gjënë e duhur me këtë akt? A nuk tregon dështimi i afganëve për të luftuar se humbja ishte e pashmangshme? A nuk është opinioni publik amerikan vendosmërisht pro tërheqjes? 

Lufta nuk mbaron kur njëra pakë zgjedh të çmobilizohet. Ne dëgjuam se nuk kishte zgjidhje ushtarake për luftën në Afganistan, por Talibani qartësisht e kishte një të tillë në mendje. Talibani dhe të tjera organizata terroriste po zhvillojnë një luftë pa fund kundër të gjithë popujve të qytetëruar.

Dhjetëra mijëra afganë kanë bërë sakrificën më të madhe në luftën kundër armiqve tanë të përbashkët dhe ne nuk mund të nënvlerësojmë goditjen psikologjik që solli braktisja e papritur e Amerikës. Ata po mbanin pjesën më të rëndë të luftës për të ruajtur liritë që gëzonin qëkurse ne i ndihmuam të mposhtin Talibanin në vitin 2001.

Presidenti Trump kishte një strategji solide për Azinë Jugore siç e përvijoi ai në fjalimin e tij të gushtit 2017, strategji që ishte e logjikshme dhe e mundshme. Por ai e braktisi atë për të ndjekur marrëveshjen e kapitullimit, duke përsëritur gabimin e presidentëve të tjerë, në kërkim të fundit të “luftës së pafundme”, duke mos kuptuar se lufta nuk mbaron kur një palë tërhiqet.  

Cilat janë implikimet më të gjera gjeopolitike të restaurimit të Talibanit? Si e fuqizon kjo rolin e Kinës, Rusisë dhe Turqisë më gjerë në rajon? 

Kjo i dërgon një sinjal pjesës tjetër të botës – përfshirë kundërshtarëve tanë – se ShBA është e pabesueshme – tërheqja jonë nga Afganistani e bën ShBA të duket e dobët dhe e paangazhuar me aleatët e vet. Rusia dhe Kina po kërkojnë për mundësi dhe do ta mbushin me shumë dëshirë boshllëkun e lënë prej nesh. Kjo do ta trimërojë Rusinë në Detin e Zi dhe Kinën në Detin e Kinës Jugore. 

Kjo luftë në Afganistan nuk po mbaron thjesht sepse ne tërhoqëm forcat tona – pala tjetër, Talibani do ta vazhdojë këtë luftë – dhe bota e qytetëruar do të duhet sërish të merret, në një mënyrë apo tjetër me pasojat e saj. Kjo është thjesht çështje kohe. 

Përkthimi me shkurtime: ResPublica

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Cfare dmth "Talibani". Intervista i referohet ndonje personi ne vecanti, ndonje vendi, ndonje organizmi juridik a dicka? Nuk po e kam fare te qarte

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.