“Xhaxhallarë” të pasur përfituan organe nga “nipër” të varfër në spitalet bullgare

Postuar në 04 Qershor, 2021 17:44

Në Bullgari janë ngritur dyshime se spitalet shtetërore janë përdorur për transplante organesh të paligjshme. Ministria e Shëndetësisë njoftoi të enjten se gjatë mandatit të kryeministrit Bojko Borisov, spitali shtetëror ka kryer transplantime organesh nga dhurues të varfër të gjallë te “xhaxhallarë” të pasur, këta të fundit të fshehur pas identiteteve të rreme. Mes përfituesve dyshohet se është edhe një zyrtar i lartë i qeverisë, i cili ka bërë transplant mëlçie, duke shmangur listën e pritjes.

Në dy vitet e fundit, 14 transplante veshkash janë kryer në spitalin shtetëror nga donatorë të gjallë. Siç raporton Euroactive, dokumentet  tregojnë se të gjithë dhuruesit e veshkave janë "nipa" të varfër nga Ukraina dhe Moldavia, ndërsa përfituesit "xhaxhallarë" të pasur nga vende si Izraeli, Japonia, Omani etj. detajet u bënë publike për mediat nga ministri aktual i Shëndetësisë, Stoycho Katsarov.

Verifikimet e kryera kanë vërtetuar se shumë prej "xhaxhallarëve" të pasur që përfituan organe përmes transplantit përdornin identitete të rreme. Kjo sepse ligji nuk lejon dhurimin e organeve për persona që nuk janë rreth familjar.

Në Bullgari, dyshimet për transplante të kësaj natyre janë hedhur prej kohësh. Por, kjo është hera e parë që praktika të tilla konfirmohen nga qeveria.

Aktualisht, Bullgaria ka një qeveri tranzitore që do ta çojë atë në zgjedhjet e parakohshme të korrikut.  Zgjedhjet parlamentare të mbajtura në prill nuk prodhuan një Parlament funksional dhe presidenti Rumen Radev emëroi Stefan Yanev, ish-ministër i Mbrojtjes, për të udhëhequr qeverinë kalimtare.

Qeveria e mëparshme, e udhëhequr nga Bojko Borisov, mbajti në këmbë ekonominë e Bullgarisë dhe e udhëhoqi vendin në rrugën e bashkimit me eurozonën, por është shoqëruar gjatë gjithë kohës me akuzën se nuk mundi të luftonte korrupsionin.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.