Njihuni më në fund me ideatoren e reformës në drejtësi
Lexoni në faqen e Ministrisë së Drejtësisë se çfarë thuhet në një nga njoftimet për Ditën Kombëtare të Drejtësisë:
Isha me fat të isha pjesë e protokollit të Kryesisë së Veteranëve të LANÇ- it, “NDERI I KOMBIT”, me të nderuarit, Odhise Porodin Sekretar i Përgjithshëm të LANÇ, Servet Agalliu, shef i aparatit administrativ të LANÇ-it.
Shoku Odhise Porodini, kishte punuar që në moshë të re deri sa doli në pencion në sistemin e drejtësisë. Ai hodhi përshtypjet e tij në bllokun e pështypjeve për punën e bërë për Reformë në Drejtësi dhe efektet që priten në vazhdimsi në këtë institucion serioz. Aty ishte historiku në shtrirje i themeleve të drejtësisë në Shqipëri.
Kjo ngjarje si, Dita Kombëtare e Drejtësisë, ka si bazë vizionin e Ministres së Drejtësisë znj. Etilda Gjonaj si ideatore e Reformimit të Sistemit të Drejtësisë!
Pra Ministria e Drejtësisë shpall publikisht dhe për rrjedhojë zyrtarisht se kush qëndron pas Reformës në Drejtësi. Kush na qenkësh vizionari që i hapi udhën e frymëmarrjes vendit tonë. Të mos tallemi me këtë që lexojmë. Edhe sikur të jetë një status servilësh, apo një delir i ministres. Sepse në Shqipëri ky soj ka vendosur përherë. Ka nëpunës administrate, drejtorë drejtorish, agjencish që qarkullojnë miliona dhe kalojnë akte administrative me pasoja, që miratohen më lart, ca për tuhafëri, ca për ligësi dhe interes.
Në këtë rast kemi një ministre, një anonime që nuk thotë asgjë për t'u shënuar për jurisprudencën shqiptare - edhe kështu një satirë tranzicioni- që na shpallet ideatore e një reforme të tërë, e cila në të vërtetë mund ta justifikojë veten si kandar në CV-në e ministres vetëm po të shohim dështimin dhe dëmin që po sjell.
Të shohim pak CV-në e ministres Gjonaj. Ajo ka lindur në vitin 1981 dhe në vitin 2017 ka qenë zv.ministre e Drejtësisë. Pra në moshën 36 vjeç ky individ katapultohet në një post me shumë rëndësi. Ndërkohë e ashtuquajtura reformë kishte nisur diskutimin në vitin 2013 dhe në vitin 2015 u miratuan ndryshimet kushtetuese, një faqe e turpshme – nëse turpi i shkon ende këtij vendi – për Kushtetutën.
Pra zonja pretendon se në moshën 32 vjeçare ka propozuar reformën në drejtësi si ideatore dhe me gjasë prej të paktën 5 vjetësh, qysh në moshën 27 vjeçare e ka përpunuar atë në kokë si të vetmin mendim që e shqetësonte, që i jepte kuptim ekzistencës së saj profesionale dhe qytetare. 26 vjeçe pedagoge e jashtme… e kështu me radhë, një karakteristikë tipike e kësaj kohe, kur lindin e krijohen pedagogë dhe ekspertë, e të cilët kur i dëgjon se çfarë thonë, si përdorin terminologjinë dhe si mbrojnë punën e tyre, mund të kuptosh në variantin më dashamirës së idetë e mëdha mesa duket strehohen në lëvozhga të paqëndrueshme cerebrale.
Comments
Ne 2016 jane miratuar
Ne 2016 jane miratuar ndryshimet kushtetuese.
Turpi eshte dicka njerezore..
Turpi eshte dicka njerezore.................... nuk vlen per bimet etj. etj. etj.
Add new comment