Perëndimi po humbet avantazhin teknologjik
Perëndimi mund të përballet me kërcënimin që paraqet teknologjia. Kreu i agjencisë së inteligjencës GCHQ, Jeremy Fleming, thotë se ekziston mundësia që teknologjitë kryesore në të cilat ne mbështetemi të mos formësohen nga Perëndimi. "Na duhet të evoluojmë qasjen tonë, nëse duam të ruajmë këtë ritëm", tha ai duke iu referuar sfidës që paraqet Kina në këtë drejtim.
Sipas tij, qytetet inteligjente (smart cities), të cilat do të mbledhin sasi të mëdha të dhënash, janë vetëm një shembull.
"Rreziku është që teknologjia të aplikohet në një mënyrë në të cilën ne nuk mund të garantojmë sigurinë e saj", paralajmëroi ai.
Leksione nga 5G
Sfida që paraqet Kina është më e rëndësishmja për shefat e inteligjencës në të gjitha vendet perëndimore, veçanërisht kur bëhet fjalë për teknologjinë.
"Rreziku, siç e shoh sot, është që mund të humbasim kontrollin e standardeve që formësojnë mjedisin tonë të teknologjisë," i tha ai BBC.
Fleming thotë se duhen nxjerrë mësime nga debati mbi rolin e kompanisë kineze Huawei në ndërtimin e një sistemi të ri 5G. Fillimisht, gjigantit kinez të teknologjisë iu dha një rol në Britani, përpara se të përjashtohej pas sanksioneve të SHBA. Por në atë kohë të pakta ishin kompanitë e tjera që kishin kapacitetet për të garantuar teknologjinë më të fundit.
"Debatin për 5G e humbëm një dekadë më parë, kur vendet perëndimore vendosën që nuk do të investonin në infrastrukturat mbështetëse ... dhe rezultati ishte që ne thjesht nuk kishim zgjedhje", tha ai.
Sipas Fleming, është e domosdoshme të garantohet që në të ardhmen Britania dhe vendet e tjera të mos marrin vendime të tilla me “rreze të gjatë” , për t’u siguruar që ka zgjedhje – në mënyrë që të mos lindin të njëjtat probleme.
Në lidhje me të ashtuquajturat smart cities, Fleming thotë se duhet kujdes që ato të mos shndërrohen në një hapësirë për përdorimin e të dhënave.
"Nëse nuk e kontrollojmë teknologjinë, nëse nuk e kuptojmë sigurinë e kërkuar për t'i zbatuar ato në mënyrë efektive, atëherë do të përfundojmë me një mjedis ose ekosistem teknologjik ku të dhënat nuk përdoren vetëm për të lundruar, por mund të përdoren edhe për të na gjurmuar", thotë ai.
Kina është një nga furnizuesit kryesorë të teknologjisë së “qytetit të zgjuar” (smart city). Këshillat lokalë në Britani blejnë kamera nga kompanitë kineze.
Add new comment