Një hap nga lufta Rusi-Ukrainë
Lufta nuk ka qenë kurrë më afër se ditët e fundit në kufirin mes Ukrainës dhe Rusisë. Situata mbetet e tensionuar dhe incidentet, përfshirë ato me shkëmbim zjarri, nuk kanë munguar. Qeveria ukrainase thotë se përgjatë javëve të fundit, Rusia ka dislokuar në Krime rreth 40 mijë trupa dhe 40 mijë të tjera në rajonet pranë kufirit lindor të Ukrainës.
Përqendrimi ushtarak përfshin këmbësorinë elitare, automjete, tanke, artileri raketa, njësi të luftës elektronike, sisteme të mbrojtjes ajrore, cisterna karburanti dhe spitale fushore.
Ndërkohë, brenda Ukrainës, në republikat e vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskut janë 30 000 separatistë dhe trupa të tjera ruse.
A po planifikon Rusia një pushtim të ri? Apo thjesht po bën sikur? Përgjigjen për këtë e ka vetëm Vladimir Putin.
Ndërkohë, nga ana tjetër e kufirit, janë gati për luftë. Gjeneralmajori Viktor Ganushchak, zëvendës komandanti i asaj që Ukraina e quan Operacioni i Forcave të Bashkuara, thotë se do të kundërpërgjigjen në rast sulmi.
"Nuk mund t'ju them se çfarë kalon nëpër kokat e liderëve politikë në Kremlin. Ne po shohim rritjen e numrit të trupave dhe pajisjeve në kufirin tonë, por nuk mund të themi me siguri se çfarë do të ndodhë. Nuk mund të bëjmë asnjë lloj parashikimi. Por ata po sjellin grupe taktike të batalionit në kufirin tonë. Ne jemi gati për sulmin nëse do të ndodhë", citohet ai nga “The Telegraph”.
Lufta në Donbas nisi shtatë vjet më parë, kur një grup njerëzish të armatosur të udhëhequr nga një ish kolonel i inteligjencës ruse filluan të vinin nën kontroll stacionet e policisë në rajonet Donetsk dhe Luhansk.
Në shkurt 2015, beteja e fundit e madhe e tankeve dhe artilerisë përfundoi me fitoren e rusëve dhe një marrëveshje armëpushimi i dha Moskës dhe përfaqësuesve të saj lokalë në kontrollin e një pjese të rajoneve Donetsk dhe Luhansk.
Procesi i paqes hyri në një rrugë pa krye ndërsa Ukraina i bëri rezistencë një marrëveshjeje që e kishte nënshkruar nën armë.
Që atëherë, llogoret janë shtuar, armëpushimet janë shpallur dhe prishur, dhe numri i viktimave është ngritur ngadalë.
“Nëse e krahasoni me armëpushimin, është një përshkallëzim. Nëse e krahasoni me atë si ishte më parë, nuk është shumë”, thotë komandanti i brigadës ukrainase.
Rusia e ka bërë të qartë se e sheh konfliktin në Ukrainë në kontekstin e një konfrontimi më të gjerë me Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin.
Për general-majorin Viktor Ganushchak, shqetësimi kryesor mbetet t’i frenojë forcat e tij të kundërpërgjigjen ndaj bombardimeve provokuese dhe të shtënave nga ana tjetër.
Të dy palët gjithmonë e kanë mohuar shkeljen e armëpushimit që nga viti 2015. Por ndërsa Kremlini duket se po kërkon pretekst, forcat e Ukrainës përpiqen të ruajnë durimin, duke qenë të gatshëm për kundërpërgjigje nëse marrin një sinjal të qartë sulmi.
Vladimir Putin është treguar i hapur për të diskutuar fatin e konfliktit me presidentin e SHBA, Joe Biden. Çëshja pritet të jetë në krye të axhendës së një samiti SHBA-Rusi pas disa muajsh.
Një teori popullore është se Rusia po përdor kërcënimin e pushtimit për ta detyruar Ukrainën të respektojë marrëveshjen e paqes në Minsk 2015. Ukraina i ka rezistuar zbatimit të elementeve politike të marrëveshjes, të cilat mendon se janë krijuar për t'i dhënë Rusisë një kalë të përhershëm Troje, me të cilin mund të kontrollojë politikën e jashtme të Ukrainës.
Në Kiev janë kundër idesë së liderëve të tjerë që vendosin fatin e këtij konflikti, pa pasur në tryezë një delegacion ukrainas.
Por në një farë mënyre, vëmendja ndërkombëtare për këtë çështje i leverdis edhe Ukrainës.
Presidenti Volodymyr Zelenskiy, ashtu si paraardhësi i tij Petro Poroshenko, ka deklaruar shpesh se kjo është një sfidë jo vetëm për Ukrainën, por për Evropën dhe Perëndimin në tërësi. Kjo, argumenton ai, është arsyeja pse Ukraina meriton mbështetjen perëndimore.
Add new comment