Skenaristët e “Predator” dhe Disney, betejë ligjore për të drejtat e autorit

Postuar në 16 Prill, 2021 12:49

Dy vëllezërit skenaristë Jim dhe John Thomas, autorë të filmit aksion të vitit 1987, “Predator” (Grabitqari) kanë hedhur në gjyq kompaninë filmike "20th Century" të Disney-t, për të drejtat e autorit. Ndërkohë, edhe Disney është kundërpërgjigjur me një padi, me qëllim që t’i mbajë vetë të drejtat.

Vëllezërit Thomas po përpiqen të shfrytëzojnë një dispozitë që ka të bëjë me përfundimin e së drejtës së autorit, e cila lejon autorët të anulojnë transferimin te të tjerë pasi presin për një periudhë kohe, zakonisht 35 vjet, për vepra më të reja. Duke pasur parasysh kornizën kohore, studiot po përballen me mundësinë e humbjes së të drejtave të ekskluzivitetit për shumë produksione të viteve ‘80.

“Predator” me protagonist Arnold Schwarzenegger u pasua nga tri seri të “Alien vs Predator”. Por tani Disney po planifikon një version të ri të filmit dhe e drejta e autorit mund të bëhet pengesë. Sipas padisë së vëllezërve skenaristë, data efektive e përfundimit të skenarit të tyre është 17 prill, këtë të shtunë. Jim dhe John Thomas thonë se e kanë vënë në dijeni Disney-n për këtë që në vitin 2016, dhe për katër vjet e gjysmë nuk pati asnjë kundërshtim.

Por vetëm pak orë pas padisë, Disney është bërë gati për mbrojtje. Vëllezërit Thomas përfaqësohen ligjërisht nga Marc Toberoff. Ndërsa “20th Century” i Disney-t përfaqësohet në gjyq nga Daniel Petrocelli.

Rreth një dekadë më parë, në emër të Warner Bros., Petrocelli ishte në një betejë ligjore me Toberoff për të drejtat e Supermenit. Kjo çështje zgjati për vite me radhë, por në fund u fitua nga Warner Bros.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.