Lobimi "me pesë shifra" për Gruevskin çon në dorëheqje deputetin e CSU-së në Gjermani
Një deputet i CSU-së në Bavari dhe dorëheqjen pas akuzave për konflikt interesi, që lidhet me fushatën e ish-kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski, pesë vjet më parë.
Tobias Zech, nga radhët e CSU, partia motër e partisë CDU të Angela Merkel, u dorëhoq të enjten, raportuan Passauer Neue Presse dhe Münchner Merkur.
Zech ka një firmë konsulence dhe përmes saj ai ka ndihmuar në vitin 2016 fushatën e VMRO-së së ish-kryeministrit Nikola Gruevski, duke qenë në të njëjtën kohë anëtar i Bundestagut.
Lajmi për dorëheqjen erdhi pasi “Der Spiegel” raportoi se Zech kishte pranuar në vitin 2016 një shumë "me pesë shifra” për të bërë fushatë për Gruevskin dhe për të lobuar për partinë e tij.
“Për mua, ligjërisht nuk është një veprim problematik. Por politikisht, nuk mund të veprosh në atë mënyrë”, tha Zech për PNP.
Gruevski u dënua për korrupsion në Maqedoninë e Veriut dhe u dënua me dy vjet burg, por ia doli të arratisej përmes Shqipërisë në Hungari në 2018, për të shmangur burgun.
Në një letër për aleatët e tij politikë, e cila citohet nga agjencia e lajmeve DPA, Zech shprehet: "E bëj këtë për të mbrojtur familjen time dhe për të shmangur dëmtimin që mund t’i shkaktohet partisë paragjykimet e mundshme".
Zech ka qenë anëtar i Bundestagut gjerman nga viti 2013 në 2017.
Dorëheqja e Zech është e katërta në radhët e aleancës së Merkel CDU / CSU në Bundestag këtë muaj. Georg Nüßlein i CSU dhe Nikolas Löbel i CDU lanë grupin e tyre parlamentar dhe njoftuan se nuk do të kërkonin të zgjidheshin pasi emrat e tyre u përfolën për ryshfet lidhur me marrëveshjet e prokurimit të maskave anti-Covid. Ndërsa Mark Hauptmann i CDU dha dorëheqjen pas akuzave për disa pagesa nga Azerbajxhani.
Add new comment