BE i vë sanksione Kinës për herë të parë pas 30 vitesh
Ambasadorët e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord të sanksionojnë katër zyrtarë kinezë dhe një organizatë, lidhur me dyshimet për shkelje të të drejtave të njeriut dhe abuzime në Xinjiang. Ministrat e Jashtëm të BE-së do të votojnë për këtë më 22 mars.
Sanksionet janë praktisht ndalim i udhëtimit dhe ngrirje e aseteve financiare. Emrat e zyrtarëve kinezë nuk janë bërë ende të ditur.
"Masat kufizuese janë kundër shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut dhe abuzimeve të miratuara", i tha një diplomat i BE-së agjencisë Reuters.
Diplomatët thanë se kinezët u akuzuan për shkelje të të drejtave të njeriut, në lidhje me trajtimin e ujgurëve në provincën Xinjiang të Kinës Veriperëndimore.
Të tilla shqetësime kanë ngritur edhe vende të tjera si SHBA, Kanadaja dhe Holanda, të cilat e kanë cilësuar gjenocid mënyrën si po e trajton Pekini popullsinë e pakicës myslimane.
Misioni kinez në BE paralajmëroi kundër sjelljeve të tilla "konfrontuese" në Twitter. Ambasadori Zhang i cilësoi konfrontuese këto sanksione. “Ne duam dialog, jo konfrontim. Ne kërkojmë që pala e BE të mendohet dy herë. Nëse disa insistojnë në konfrontim, ne nuk do të tërhiqemi, pasi nuk kemi mundësi tjetër përveç përmbushjes së përgjegjësive tona ndaj njerëzve", shkroi ai në rrjetin social.
Nëse sanksionet miratohen zyrtarisht, kjo do të jetë hera e parë që BE vendos të tilla ndaj Kinës në tre dekadat e fundit. Hera e fundit që Brukseli vendosi sanksione ndaj ekonomisë më të madhe në Azi ishte pas ngjarjeve të vitit 1989 në sheshin “Tiananmen”, kur miratoi një embargo armësh.
Add new comment