#Llogjejopunë/Projekti pilot në shëndetësi u premtua 4 vjet më parë

Postuar në 09 Shkurt, 2021 17:58

Sot kryeministri Edi Rama ka prezantuar para gazetarëve atë që e ka quajtur reform në sistemin shëndetësor. Sipas z. Rama tani nis një projekt pilot i administrimit që ndër të tjera u mundëson mjekëve të jenë pjesë e sistemit publik, por edhe të fitojnë më shumë të ardhura në këmbim të shërbimit ekstra.

Që nga QSUT ne do të fillojmë në formën tjetër të reformës, që është autonomi dhe dhënia mundësisë për mjekët, që mund të jenë jo vetëm shërbëtorë të publikut në spital, por të jenë aty si në pronën e tyre në kuptimin më të mirë të fjalës

tha z. Rama ndër të tjera.

Më poshtë video nga konferenca për këtë pjesë:

 

Problemi këtu është vetëm një: z. Rama e ka premtuar këtë gjë që në vitin 2016. Në një vizitë të majit 2016 në QSUT, ai do të fliste pikërisht për këtë ide të cilën sot e prezanton si reformë.

…ne duhet të kalojmë tek shpërblimi i mjekëve sipas volumit të punës dhe jo me rroga fikse. Ne duhet të fusim volumin e punës dhe të drejtën e mjekëve për të marrë sipas volumit të punës. Nuk mund të vazhdojmë me tavanet fikse, si punove apo si nuk punove, si përballove volum 5 apo 0.5 merr të njëjtën rrogë, se je në të njëjtën fashë të borderosë. Kjo është hapësira tjetër që duhet të krijojë reforma...Në qoftë se mjekët nuk e kanë pronë të tyre spitalin, në kuptimin e interesit të drejtpërdrejtë, jo privat të pronës private, nuk funksionon. Duke u njohur mjekëve të drejtën të shfrytëzojnë kapacitet spitalore për të punuar edhe për vete pas orarit të shërbimit publik. Kjo mbron investimet, mjetet, njerëzit

deklaronte asokohe kryeministri.

Më poshtë video e këtij aktiviteti:

Parimisht është gjë e mirë që mund të nisë një reformë e këtillë. Pyetja këtu lidhet me pretendimin e z. Rama, “punë jo gjumë”, përmes të cilit sulmon opozitën, pasi të kujtohesh pas 4 vjetësh për një ide  që e ke folur vetë, është njësoj sikur të thuash: fjete ca si shumë. Por z. Rama mundet ta shohë këtë kohë heshtjeje si periudhë inkubimi të reformës në shëndetësi dhe veten si klloçka që ngrohu vezët duke marrë ndërkohë një dremëz.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.