FRONTEX pezullon të gjitha operacionet në Hungari
Frontex do të pezullojë të gjitha operacionet në Hungari. Lajmin e bën të ditur EU Observer, që i referohet një zyrtari të BE-së. Ky vendim vjen pasi Hungaria prej kohësh i kthen emigrantët në Serbi - në shkelje të një vendimi të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, dhënë në dhjetor. Këto shkelje po dokumentohen me kujdes nga Komiteti Hungarez i Helsinkit.
Zëdhënësja e agjencisë europiane të kufirit në Varshavë tha se Frontex është duke e vlerësuar rolin e saj në Hungari. Ndërsa pak më vonë, e njëjta konfirmoi se "Frontex po pezullon aktivitetet e tij në Hungari".
Në një postim në Tuiter, ajo tha se Hungaria ka kthyer mbrapsht mbi 4 400 njerëz që nga dhjetori, kur u dha vendimi i gjykatës së lartë të BE. Duke pasur parasysh shkeljet, Komiteti i Helsinkit në Hungari kishte kërkuar nga shefi i Frontex, Fabrice Leggeri, të tërhiqte forcat e saj kufitare nga Hungaria.
"Duke vazhduar të marrë pjesë në mbikëqyrjen e kufirit dhe aktivitetet e mbrojtjes së kufirit, Frontex rrezikon të jetë bashkëpunëtor", thuhej në letër.
Komisioni Evropian në fillim të këtij muaji, në një letër dërguar Hungarisë, kërkoi përgjigje nga qeveria në Budapest, por nuk mori përgjigje. Më herët, qeveria hungareze është shprehur se do të vazhdonte t’i kthente mbrapsht emigrantët që mbërrinin në kufijtë e saj, duke e motivuar këtë vendim me rreziqet shëndetësore të lidhura me Covid.
Add new comment