Diploma "jashtë" si heraldikë e rreme e një vendi të dështuar
Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike, njofton këto momente një takim me “të rinj që kanë studiuar dhe studiojnë jashtë”. Nuk ka rëndësi ajo çfarë thotë z. Basha aty. Sepse ato i dimë përmendësh. Recitalin e kësaj politike nuk ka shqiptar të mos e ketë dëgjuar e të mos jetë shurdhuar. Rëndësi ka mënyra sesi politika bën kategorizime për të perfermuar me tezën se po bën më të mirë për vendin. Dhe që këtej lind kategoria e të diplomuarve jashtë, e mistifikuar në psikenë e përgjithshme shqiptare për shkak të mitit të shkollës që kaq shumë u ngulit në mendjen e prindërve tanë.
Shkollimi jashtë, statusi i intelektualit perëndimor, modern janë tashmë klishe parazitare mbi një shoqëri që do edhe ajo heraldikën e vet, totemet e vetëzbuluara, edhe pse asgjë prej këtyre nuk jep as status real as përbën hallkë funksionale zhvillimi. Sepse shoqëria jonë, të paktën ky brez, e ka bërë zgjedhjen e vet, e ka shpallur kuptimin e tij për kapitalizmin dhe atë që quan sukses.
Ndaj edhe këto takime janë atipike, të vjetëruara dhe më e keqja, inerte në produktin e tyre. Nëse dëgjon premtimet e z. Basha dhe partisë së tij, ato nuk përfaqësojnë asnjë lloj sfide për tregun e punës në Shqipëri në kuptim të objektivave që parashtrojnë. Ulje taksash, subvencione, mbështetje, financim, kundër monopoleve, etj., premtime që më tepër synojnë të korrigjojnë një situatë që perceptohet si shumë e rënduar.
Ato nuk kanë asnjë lidhje me zhvillimin, pasi edhe nëse Shqipëria “nuk është e varfër, por e vjedhur”, ajo nuk mund të bëhet e pasur me resorte dhe ekonomi që kopjon shërbimet jashtë dhe i sjell këtu nën amballazhimin kuqezi. Do të kishte kuptim ky takim nëse z. Basha, apo partia e tij p.sh do të kishte synime që relatojnë me karakteristikën e shekullit ku jetojmë. Ta zëmë për sektorin e IT që do të shndërronte strukturën e ekonomisë meqenëse prej kohësh flitet për ristrukturim. Ka shembuj për këtë sesi vende të vogla kanë ecur duke thithur investime në këtë drejtim që nga ana e vet rinovojnë edhe strukturën e tregut të punës.
Përndryshe takime si këto me kategori të imagjinuara nga komplekset e trashëguara nuk kanë asnjë produkt real përveçse shfrytëzojnë disa fytyra të reja për dekor të par(t)ive të vjetra.
Qeveria e tanishme krijoi deri edhe një Ministri për Diasporën, organizoi samite etj., dhe asgjë nuk duket se ka ndryshuar. Kjo nuk ka sesi të jetë rastësi apo vetëm pasojë e apatisë së një administrate. Është e thjeshtë: Kjo lloj ekonomie nuk pranon asnjë influks nga jashtë që do të sfidonte status quonë. Dhe kështu shpjegohet edhe mungesa e investimeve të huaja, sidomos me qeveritë e PS-së që e shohin vendin si plaçkë të tyren.
s.zaimi
Add new comment