Harresa, tregues i eficiencës së trurit
Një studim i ri hedh dritë mbi mënyrën sesi truri i kap kujtimet. Studiuesit në Universitetin Bond kanë analizuar në mënyrë specifike mënyrën se si reagon truri kur njerëzit hasin për herë të parë një person ose objekt jashtë kontekstit.
Dr. Oliver Baumann, i cili ka udhëhequr studimin, sjell një shembull që mund t’i ketë ndodhur kujtdo prej nesh: Rastis të takojmë një koleg në supermarket dhe nuk e njohim. Bauman thotë se përgjithësisht, sistemi i kujtesës gjeneron një fotografi që bashkon personin dhe zyrën së bashku.
"Truri ynë mendon se ai person i përket asaj hapësire", thotë dr. Baumann.
"Nëse i hasni diku tjetër, kjo krijon një problem dhe ju mund të mos i njihni. Kjo nuk ndodh pasi truri ynë mëson se personi ekziston në mënyrë të pavarur nga ajo hapësira e punës. Herën e dytë dhe herën e tretë, truri ynë nuk e përsërit atë gabim, por i kodifikon personin dhe zyrën veç e veç."
Dr. Baumann thotë se fenomeni tregon që truri ynë është "thelbësisht i efektshëm ose pothuajse dembel".
"Nëse shohim një pemë dhe është e lidhur me një pyll, atëherë mund të jetë efikase të supozojmë se jo të gjithë pemët dhe gurët e ndryshëm janë njësi të ndara, por janë të koduara si njësi. Kjo siguron që ne nuk jemi duke e mbingarkuar trurin tonë dhe duke humbur hapësirë dhe energji", thotë ai.
Në funksion të studimit, një grupi studentësh që iu nënshtruan skanimit të trurit iu kërkua të memorizonin imazhe të shumta objektesh (të tilla si një çantë shpine, orë ose kek i vogël) në një sfond (duke përfshirë një palestër, lavanderi dhe kopsht).
Gjysma e objekteve u ishte treguar studentëve një ditë më parë. Kjo bëri të mundur shikimin e ndryshimeve në përgjigjet e trurit kur objektet ishin të njohura ose ishin hasur vetëm një herë.
Në fazën pasuese të testimit, studiuesit ndërruan sfondin e disa objekteve dhe zbuluan se kjo çoi në vështirësi për të kujtuar objektet e panjohura.
Harresa shoqërohej me ndryshime të aktivitetit të hipokampusit, një nga zonat kryesore të kujtesës njerëzore.
Dr. Baumann tha se gjetjet sugjerojnë se sistemi ynë i kujtesës përpiqet për efikasitet dhe kodon vetëm atë që i nevojitet absolutisht.
"Harresa mund të shihet si një tipar sepse ne nuk duhet të kodifikojmë më shumë sesa kemi nevojë dhe më shumë nuk është gjithmonë më e mira", tha ai.
"Harresa ndihmon në rregullimin e hapësirës tonë mendore dhe gjithçka ka të bëjë me efikasitetin."
Dr. Baumann tha se kërkimi mund të jetë një hap i vogël drejt implanteve të trurit që rikthejnë kujtesën.
"Aktualisht, implantet retinale dhe kokleare funksionojnë dhe mbase në 100, 200 vjet mund të kemi implantime të kujtesës. Ky është një bllok i vogël ndërtimi në përpjekjen për të kuptuar plotësisht se si funksionon sistemi ynë i kujtesës", thotë ai.
Hulumtimi ishte një bashkëpunim midis Shkollës së Psikologjisë dhe Qendrës Ndërdisiplinore për Mendjen Artificiale në Universitetin Bond, Institutin e Trurit Queensland në Universitetin e Queensland dhe Qendrën Max Planck UCL për Psikiatrinë Kompjuterike dhe Kërkimet mbi Plakjen.
Studimi është botuar në revistën “Frontiers in Psychology”.
Add new comment