Muri i Madh i Korrupsionit nuk është një Stigmë paragjykuese

Postuar në 31 Korrik, 2020 20:19

Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka nxituar të ndajë sot një lajm që ai e quan të mirë. Marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë franceze “Voltalia” për ndërtimin e Parkut Fotovoltaik të Karavastasë parashikon investimin e 100 milionë eurove. Nuk e dimë sesi do të qarkullojë në treg ky mall, pasi kryeministri ka dashur të përcjellë një tjetë mesazh:

Do kemi një dëshmitar francez që do mund të thotë se si u gjend si u ndje si e kaloi kaloi procesin me qeverinë e korruptuar shqiptare, qeverinë që shihet shpesh përmes një dylbie tradicionale paragjykimi që është paragjykim lidhur me vetë Shqipërinë.

Besoj dhe për ‘Voltalian’ do ndodhë sic ka ndodhur për TAP e një sërë investimesh që kur flasin për eksperiencën e tyre do gjenden përballë njerëzish që s’kanë për ti besuar ato që thonë se paragjykimet janë shumë të forta.

Besoj ministria ka treguar për partnerët tanimë, se qeveria e korruptuar e Shqipëria e korruptuar janë stigma të ndërtuara në kohë, jo pa arsye, në 30 vite të vështira të një kalimi nga një regjim jo thjesht diktatoriale komunist por që e kish mbyllur Shqiperine e kishte bërë Korenë e veriut në mes të Evropës.

Patjetër që kemi për të bërë shumë për luftën ndaj korrupsionit e transparencën me proceset. Ajo që dua ti them këtu drejtuesit të kompanisë është që ju lutem mos përtoni të tregoni historinë tuaj me qeverinë shqiptare, se do na ndihmojë shumë

tha ndër të tjera z. Rama.

Është patjetër një nga detyrat e kreut të një qeverie që të sajdisë, mbështesë, investitorët e huaj, të lehtësojë hallkat burokratike, të propozojë politika etj..

Por kjo nuk do të thotë që një kryetar qeverie të flasë të pavërteta. Korrupsioni i  qeverisë shqiptare, i kësaj të tanishmes, nuk është një stigmë paragjykuese “e ndërtuar jo pa arsye për 30 vjet”, por një raport konkret, i përhershëm dhe i prekshëm me të. Partnerët e kësaj qeveri konsiderojnë se korrupsioni është i shpërndarë në të gjitha degët e qeverisjes, dhomat e biznesit të gjitha ankohen rregullisht për administratë të korruptuar, legjislacioni i paprecedent ka rezultuar joefikas në sjelljen e investimeve pikërisht për shkak të MURIT të MADH të KORRUPSIONIT.

Reforma në drejtësi është quajtur prej vetë z. Rama e paprecedentë pikërisht sepse reflekton atë gjendje të kapjes së shtetit, korrupsionit dhe penetrimit të krimit, saqë përligj ndërhyjre të tilla, apo ndërhyrje si OFL, apo sistemi 41 Bis.

Nuk mundet që korrupsioni të jetë një oqean që toleron me stuhitë e veta vetëm qeverinë si anije e të ndershmëve të kësaj bote, pasi kjo mund të tingëllojë kalorsiake, por nuk ngjan e vërtetë. Korrupsioni derivon aty ku shpërndahen paratë. Kjo është ligjësi dhe paratë në këtë vend i shpërndan Ekzekutivi. Nuk mbulohet dielli me shoshë, sepse shosha në këtë vend ka mbetur me pak vrima që sa vijnë e hapen, shqyhen aq sa dielli të bie në sy. Sigurisht që kompania franceze mund të tregojë fabulën që preferon, kjo nuk ndryshon gjë. Por ajo duhet të tregohet e mëshirshme, nuk mund ta stigmatizojë qeverinë e z. Rama si të pakorruptuar.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.