Gjendja e Jashtëzakonshme dhe Gjendja e Emergjencës

Postuar në 31 Korrik, 2020 20:06
Giorgio Agamben

 

Një jurist për të cilin dikur kisha njëfarë vlerësimi, përmes një artikulli të sapopublikuar në një gazetë të rreshtuar, tenton të justifikojë me argumente që do të donin të ishin juridikë gjendjen e jashtëzakonshme të deklaruar për të satën herë nga qeveria. Duke rimarrë pa e thënë dallimin shmitian(shën.red. ndarja e përcaktuar nga përkufizimet e teoricienit Carl Schmitt)mes diktaturës së komisarëve që ka qëllim ruajtjen apo restaurimin e kushtetutës në fuqi dhe diktaturës sovrane që synon nga ana e vet instaurimin e një rendi të ri, juristi në fjalë bën dallimin mes emergjencës dhe të jashtëzakonshmes(apo më saktë mes gjendjes së emergjencës dhe asaj të jashtëzakonshme).

Argumenti në fakt nuk ka asnjë bazë në të Drejtën që nga momenti kur asnjë kushtetutë nuk mund të parashikojë përmbysjen e vet legjitime(të legjitimojë përmbysjen). Për këtë arsye në veprën e vet “Teologjia politike” që përmban përkufizimin e famshën për sovranin që është ai “që vendos për gjendjen e jashtëzakonshme”, Schmitt flet thjesht për Ausnahmezustand, “gjendje e jashtëzakonshme”(stato di eccezione) që në doktrinën gjermane dhe jashtë saj është imponuar si një term teknik për të përkufizuar një zonë të askujt mes rendit juridik dhe faktit politik, si dhe mes ligjit dhe anullimit të tij.

Duke ritheksuar dallimin e parë shmitian, juristi pohon se emergjenca ka karakter konsrvativ, ndërkohë e jashtëzakonshmja ka karakter inovativ.

Drejt emergjencës shkohet për t’u rithyer sa më shpejt të jetë e mundur në normalitet, ndërkohë që drejt të Jashtëzakonshmes shkohet në fakt për të shkelur rregullin dhe imponuar një rend të ri”.

Gjendja e emergjencës “presupozon stabilitetin e një sistemi”, “e jashtëzakonshmja përkundrazi, shpërbërja që ajo sjell që hap rrugën e një sistemi të ndryshëm”.

Dallimi është, sipas çdo të dhëne, politik dhe sociologjik dhe i referohet një gjykimi të vlerësimit personal mbi gjendjen e faktit të sistemit në shqyrtim, mbi stabilitetin apo shpërbërjen e tij dhe mbi synimet e atyre që kanë pushtetin të dekretojnë anullimin e një ligji që nga pikëpamja juridike është në substancë identic, sepse përmbyllet në të dy rastet në kuadër të anullimit të thjeshtë dhe të pastër të garancive kushtetuese. Pavarësisht se cilat janë synimet e veta, të cilat askush nuk mund të pretendojë t’i vlerësojë me siguri, gjendja e jashtëzakonshme është një e vetme dhe me t’u shpallur, nuk parashikohet asnjë instancë që të ketë pushtetin të verifikojë realitetin apo rëndësinë e kushteve që e kanë përcaktuar atë.

Nuk është ky rasti ku një jurist duhet të shkruajë në një pikë të caktuar:

Është e padiskutueshme që ne sot jemi para një emergjence sanitare

Një gjykim subjektiv, i dhënë në mënyrë kurioze prej dikujt që nuk mund të pretendojë asnjë autoritet në lëmin e mjekësisë dhe që gjithësesi ndaj të cilit mund t’i kundërvësh të tjerë patjetër më me autoritet, aq më tepër që ai pranon se “nga komuniteti shkencor vijnë zëra të ndryshëm kundërthënës” ndaj edhe në instancë të fundit vendos ai që ka pushtetin për të dekretuar emergjencën.

Gjendja e Emergjencës, vazhdon ai, në dallim nga gjendja e jashtëzakonshme, që përfshin pushtete të papërcaktuar, “përfshin vetëm pushtetet e destinuar për realizimin e qëllimit të paracaktuar të rikthimit në normalitet”, e megjithatë, shton menjëherë ai, pushtete të tilla “nuk mund të specifikohen paraprakisht”.

Nuk ka nevojë për ndonjë kulturë të madhe juridike për të kuptuar se, nga pikëpamja e anullimit të garancive kushtetuese, që do të duhet të ishte e vetmja me rëndësi, mes dy gjendjeve në fjalë nuk ka asnjë ndryshim.

Argumentimi i juristit është dyfish çorientues, sepse jo vetëm se i jep vlerë juridike një dallimi që nuk është i tillë, por për të justifikuar me çdo çmim gjendjen e jashtëzakonshme të dekretuar nga qeveria, është i detyruar të mbështetet në argumente faktualë dhe opinionale që tejkalojnë kompetencat e tij. Dhe kjo është edhe më befasuese, që nga momenti kur duhet ta kuptonte se në atë që për të është vetëm një gjendje e emergjencës, janë anulluar dhe dhunuar të drejtat dhe garancitë kushtetuese që nuk ishin vëë kurrë më parë në diskutim, as edhe gjatë dy luftërave botërore dhe fashizimit;  dhe që nuk bëhet fjalë për një situatë të përkohshme afirmohet me forcë nga vetë qeverisësit që nuk lodhen së përsëritur se virusi jo vetëm nuk është zhdukur, por mund të riaktivizohet në çdo moment.

Ndoshta për shkak të një mbetjeje të ndershmërisë intelektuale, në fund të artikullit juristi përmend opinionin e atyre që “jo pa argumente të forta mbështesin idenë se me apo virusin bota e gjithë jeton megjithatë në një gjendje të jashtëzakonshme” dhe se “sistemi ekonomiko-social i kapitalizmit” nuk është në gjendje të përballojë krizat e veta me aparatin ekzistues të së drejtës. Në këtë perspektivë, ai pranon se “infeksioni pandemik i virusit që mban të mbyllura shoqëri të tëra është një rastësi dhe mundësi e papritur për të mbajtur nën kontroll të nënshtruarit”. Është e ligjshme që ta ftojmë atë të reflektojë me më shumë vëmendje mbi gjendjen e shoqërisë në të cilën jeton dhe të mbajë parasysh se juristët nuk janë vetëm, siç janë për fat të keq prej kohësh, burokratë mbi të cilët bie vetëm barra e justifikimit të sistemit ku jetojnë.

Burimi: Quodlibet

Përkthimi: Skerdilajd Zaimi 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.