Kometa e integrimit shfaqet mbi Shqipëri/Ndryshimet kushtetuese janë një hap para!!!
Mirë gomari që ngordhi, nuk të lënë rehat edhe mizat.
Është një proverb i vjetër shqiptar, me gjasë pas pushtimit osman, kur supozohet se në këto treva heroike shqipesh dhe kuajsh rrace, osmanët prezantuan modestin gomar, i cili na dolli aq i dobishëm. Mund të tingëllojë pak brutale ky ilustrim në rastin e mesazhit të kryenegociatorit të Shqipërisë me BE-në Zef Mazi, por kriza nervore e shoqërisë është e tillë saqë me siguri nuk ka mënyrë tjetër për ta shembullizuar.
Ndryshimet kushtetuese në Shqipëri kanë prodhuar në mos një krizë politike reale, një mundësi për riprodhimin e pozicioneve të krizës meqenëse ato stabilizojnë për opozitën jashtëparlamentare një reformë zgjedhore të njëanshme që favorizon shumicën. Kjo nuk kërkon ndonjë analizë të madhe, mirëpo në kushtet kur edhe selitë diplomatike në Tiranë po bëjnë përpjekje të gjejnë një pikë konsensusi, vjen mesazhi i Zef Mazit:
Miratimi sot nga Parlamenti i Shqipërisë i disa ndryshimeve kushtetuese, në vijim të miratimit parlamentar të datës 23 korrik, për të zbatuar marrëveshjen e 5 qershorit, sipas rekomandimeve te OSBE/ ODIHR-it, është me rëndësi të madhe për vendin tonë. Ky miratim është një hap tjetër përpara, një afrim i mëtejshëm i vendit me BE, ai është përmbushje e një kërkese tjetër që Këshilli Europian bëri në mars të këtij viti.
Ndërtimi i marrëdhënieve kontraktuale për anëtarësim me Europën e shoh si ushtrimi më i vështirë që ka marrë vendi ynë përsipër për të realizuar në këto 70 vite të të historisë moderne të shtetit tonë
Pra kjo që ndodhi është shumë mirë për të gjithë Ne. Thjesht ne jemi mbyllur në guackën e tensioneve artificiale dhe nuk shohim se çfarë po ndodh. Ndaj njerëz si Mazi që kanë një distancë higjenike nga këneta e Tiranës janë aty që të ajrosin mbarë shoqërinë.
Mirëpo kriteri politik na është përmendur sa herë në këto vite dhe mbi këtë fabul është insistuar te dialogu dhe konsensusi. Sigurisht që ndryshimet janë legjitime, puna është se ato nuk prodhojnë stabilitet, por hedhin farën e destabilizimit. Po çfarë rëndësie ka kjo? Rëndësi ka që ky të quhet një hap më para. Ne kemi 30 vjet që bëjmë vetëm hapa para por askush nuk di të shpjegojë se pse mbetemi përherë mbrapa!
Në këtë tallava ku të gjithë flasin në emër të Shqipërisë dhe tonin janë tanimë të gjithë. Në emër të Shqipërisë flet Edi Rama, që po do të deklarohet so kryeministër i të gjithë shqiptarëve, presidenti po ashtu, kryetari i PD-së që i ka revolucionet si normën e kooperativës. Tani edhe z. Mazi që ndihet mirë për ndryshimet për të cilat të gjithë morëm vesh kur i propozoi z. Rama. Po a nuk është z. Rama Shqipëria? Patjetër që po. Ndaj edhe kryenegociatori luan rolin e tellallit të Europës në Tiranë: Europa po na thotë se u bë mirë që u ndryshua Kushtetuta edhe pse ishin kundër gjysma.
Të kuptosh politikën është privilegj dhe me kësi deklaratash z. Mazi ka rastin që ta na e dëshmojë këtë. Por vetëm kaq ama.
Add new comment