Socialistët i vjedhin zgjedhjet, pagëzuan epokën e korrupsionit në Shqipëri. Nuk e përjashtoj bashkëqeverisjen

Postuar në 04 Qershor, 2020 16:42

Analisti Mustafa Nano është shprehur se Partia Socialiste i vjedh zgjedhjet dhe demonstrimi më i qartë është transmetimi i përgjimeve të famshme nga "Bild". Nano, i ftuar në një intervistë në studion e lajmeve të televizionit TVT, theksoi se pavarësisht këtij konstatimi, socialistët kanë përuruar fillimin e epokës së korrupsionit, duke shtuar më tej se demokratët janë ata që kanë kontrolluar epokën e zgjedhjeve të manipuluara që nga viti 1996. Më poshtë pjesë nga intervista: 

Pyetje: Z.Rama i vjedh zgjedhjet dhe a ka dallim mes tij dhe z.Berisha?

Nano: Ne kemi përgjimet e famshme që janë demonstrimi më i qartë se socialistët i vjedhin zgjedhjet. Kjo nuk ka asnjë diskutim. Por, kur vjen puna tek ballafaqimi i dy palëve, unë kam bërë një diferencë. Socialistët i vjedhin zgjedhjet, ashtu si demokratët, por për mua janë demokratët ata që e kanë kontrolluar këtë epokën e zgjedhjeve të manipuluara që nga viti 1996. Ndërsa socialistët kanë përuruar fillimin e epokës së korrupsionit. Sepse, periudha 1992-’97, nuk ka qenë ndonjë periudhë e karakterizuar nga një korrupsion i dukshëm apo spektakolar. Në momentin që erdhën socialistët në pushtet, aty ka filluar epoka e korrupsionit dhe e një qeverisje të korruptuar. Kjo është diferenca që unë bëj. Këto dy parti janë shquar se kanë filluar dy epoka. Partia Demokratike ka filluar epokën e zgjedhjeve të manipuluara, ndërsa socialistët kanë filluar epokën e qeverisjes së korruptuar. Pastaj në këtë epokën e zgjedhjeve të korruptuara kanë marrë pjesë edhe socialistët, ndërsa demokratët kanë marrë pjesë në epokën e qeverisjes së korruptuar.

Pyetje: Zërat brenda opozitës po artikulojnë qëndrimin pro një bashkëqeverisje të partive të mëdha. A duhet të mendojmë se po shkojmë drejt një bashkëqeverisje?

Nano: Nuk do ta përjashtoja, sepse nuk do ta doja. S’e përjashtoj pasi vë re se të dyja palët kanë interes nga kjo gjë. Edi Rama është në fund të mandatit të dytë dhe është një qeverisje e rraskapitur, e drobitur dhe me një imazh të plasaritur. Opozita ka 8 vite që po rri në opozitë, por nuk ka bërë asnjë lloj progresi dhe asnjë lloj përmirësimi të fytyrës së vet. Përkundrazi, gjatë gjithë kohës, ajo vetëm ka humbur. Opozitë më dështake se kjo nuk ka. Besoj se kanë interesa të dyja palët që ta çojnë vëmendjen tek një bashkëqeverisje. Unë nuk e di nëse do të ishte ndonjë gjë e duhur për vendin. Është një medalje me dy anë, njëra anë do të jepte ulje tensionesh dhe gjakrash, nuk do kishim këto sherret e pafundme.

TvT

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.