Për cilën demokraci është fjala?

Postuar në 02 Maj, 2020 16:55

Në Kosovë po zhvillohet një komedi politike që nuk ka të dytë. Behgjet Pacolli udhëtoi nga Zvicra në Shqipëri dhe mandej thuhet se ka dalë në Kosovë me makinën dhe nën kujdestarinë e presidentit Hashim Thaçi duke thyer rregullat e karantinës. 

Ministri i Brendsëm në detyrë, Xhelal Sveçla ka deklaruar se nëse Pacolli do të shfaqet në publik ai do të arrestohet. 
Deri këtu ka folur ligji, sepse karantina është e zbatueshme për të gjithë. Ka folur edhe sjelljë e dyfishtë e qeverisë shqiptare që nuk e vendosi në karantinë të detyruar Pacollin, por e lejoi të ikte – siç shprehet ky – në shtëpinë e tij ku po mendon për projektin e rindërtimit të Thumanës. 

Këtu ka një seri shkeljesh të dyshuara. Ka një lloj privilegjimi karakteristik për shoqëri klanore dhe tribale.

Mund të tolerohej një gjë e tillë për shërbime të posaçme të rëndësishme, por jo për individë. Mirëpo nëse deri këtu kemi përballjen e një qeverie me një shkelës të dyshuar ligji, intermexua presidenciale ngjan si një aksident i vullnetshëm për arsye të paqarta. 

Hashim Thaçi ka dalë me një qëndrim personal. Ai po flet për kërcënim të demokracisë nga akte të tilla, pa u ndalur për asnjë çast në leximin e faktit se ndoshta Pacolli ka shkelur ligjin. Dhe ligji është i barabartë për të gjithë. 

Kërcënimi që një ushtrues detyre i ministrit të një Qeverie në dorëheqje ia bën ish-presidentit Behgjet Pacolli, lider partiak dhe aktualisht i zgjedhur i popullit në Kuvendin e Kosovës, se do të arrestohet nëse shkon në Kuvend për ta ushtruar mandatin e tij, është i papranueshëm dhe tejet i rrezikshëm për demokracinë tonë të re. Kërcënimet që vijnë nga grupi i Kurtit dhe të tjerëve duhet të ndalën urgjentisht. Kuvendi i Kosovës duhet ta adresojë këtë kërcënim dhe t’i marrë masat e nevojshme që të mbrohet demokracia në Republikën e Kosovës

shkruan Thaçi. 

Beson kush se Thaçi shqetësohet për demokracinë? Ndoshta, por këtu kemi një ndërhyrje pa vend, sa kohë që nuk është shprehur me aq sa dimë Kuvendi, që është organi ku Pacolli bën pjesë.

Presidenti i kujton Kuvendit detyrat e veta, duke harruar ndoshta se ai është zgjedhur nga Kuvendi që është një organ kushtetues i pavarur?

Çfarë kërkon Thaçi atëherë? Po kërkon atë që nuk e ka bërë dot deri më tani: të diskreditojë me mjete retorike- edhe pse shumë të varfra dhe gati recitale banale të një pioneri që ka mësuar përmendësh direktivat e kongresit të fundit – Kurtin dhe Vetëvendosjen. Të ndërtojë profilin e një diktature majtiste, aty ku e shqetëson shumë fakti se VV nuk po vjedh. Nuk po evoluon drejt modelit standard politik. 

Pasi gatoi puçin ndaj qeverisë dhe i la peshqesh Kosovës një qeveri të Isa Mustafës – një tjetër aksident i rëndë për Kosovën e shekullit të 21 – Thaçi po mendon të ulë kostot e këtij operacioni që nxori zbuluar një klasë politike që ka vetëm një synim: të ruajë të paprekur privilegjet dhe pasuritë e veta. 

Ajo që po refuzohet dhe herët a vonë dhe të ketë pasoja, është fakti se krijimi i qeverisë së re nuk e kapërcen krizën, por e thellon atë dhe zgjidhja janë Zgjedhjet. Të cilat nuk mund të presin sa Hashim Thaçi të mbyllë mandatin dhe të rihyjë në garë. Këta në botën shqiptare i quajnë Liderë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.