Mësimi i pandemisë/Mjekësia duhet të jetë një e Drejtë e Njeriut!

Postuar në 28 Prill, 2020 14:16
Intervistoi: Veronika Hackenbroch

 

***

Kjo është një intervistë e gjatë e historianit të mjekësisë, Frank Snowden, dhënë për gjermanen “Der Spiegel”. Nuk ka rëndësi vetëm krahasimi i saktë i pandemisë së tanishme me ato të së shkuarës, pasi nëse ecet me këto ritme, CoVid-19 nuk ka për të lënë gjurmët e pashlyeshme të asaj që njerëzimi ka përjetuar më herët. Por ai mundet të gjenerojë apo katalizojë ndryshime të vërteta me shumë ndikim. Politikat mjedisore, mjekësia, mundet të marrin vëmendje të re, mundet madje të ushqejnë lëvizje politike që kanë në axhendë shndërrimin e shëndetit publik në bazë të politikave zhvillimore, duke i dhënë fund ndoshta ligjësive të tregut. Snoëden apelon pikërisht për këtë teksa vë në dukje se bllofi me CoVid-19 nuk është i shkencës, por i keqpërdorimit të saj. Është një moment kthese, që mund të rezultojë për mirë, por edhe për keq.

***

Vite më parë ju paralajmëruat se SARS, gripi i shpendëve dhe ai i derrit ishin thjesht prova gjenerale për diçka shumë më të madhe, një pandemic të vërtetë të tmerrshme që do të vinte. Kishit ndërmend një patogjen si SARS-COV-2?

Oh, po absolutisht. Dhe nuk isha vetëm unë që prisja një pandemi me një virus pulmonar. Virologët dhe epidemiologët në botë kanë paralajmëruar sërish dhe sërish. Unë realisht pyes veten: Sa të verbër mund të jemi? Kur Donald Trump tani pyet “kush mund ta dinte”, përgjigja ime është: Të gjithë!

Pse nuk u dëgjua mesazhi juaj?

Si zakonisht ky është fati i Kasandrës. Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektuese në SHBA, ka shpjeguar situatën grafikisht në vitin 2006: Nëse jetoni në Karaibe, klimatologët do t’ju thonë se një uragan është i pashmangshëm. Ata nuk mund të thonë datën dhe as sesa i fuqishëm do të jetë, por është shumë e rëndësishme që ju të përgatiteni për të. E njëjta gjë është edhe me një pandemi. Po çfarë bëmë ne? Pas në faze të shkurtër ankthi pas SARS-it dhe gripit dhe shpendëve, ne harruam çdo gjë për pandemitë. Ndaj ne nuk kemi sot politika të përbashkëta për pandemitë në BE; OBSH është e nënfinancuar dhe ne na mungojnë kapacitetet spitalore.

Disa e kanë krahasuar koronavirusin me murtajën bubonike. Por kur lexon për këtë epidemik me të vërtetë të tmerrshme, e tillë që përhapi vdekjen në Europë për shekuj të tërë, të bën të ndihesh pak si frikacak, teksa punojmë nga shtëpitë tona komode europianoperëndimore. Nuk mendoni edhe ju kështu?

E pranoj atë të të qenit frikacak. Dhe ndonëse unë e marr CoVid-19 shumë seriozisht, mendoj se nuk duhet të krahasohet me murtajën bubonike. Murtaja vrau rreth 100 milionë njerëz në Europë mes viteve 1347-1743. Rajone të tëra u shpopulluan dhe ajo shkaktoi një terror të tillë që unë realisht nuk e shoh në rastin e koronaviursit.

Mos jemi llastuar nga sistemet tona shëndetësore?

Nëse ne jemi thuajse të dëshpëruar në pritjen e një vaksine, njerëzit e Firences ndoshta do kishin kërcyer nga gëzimi nëse do t’u thoshe se do të ketë një vaksinë kundër murtajës në 18 muaj. Por unë kam menduar gjatë për këtë. Nuk është e thënë që të jetë sëmundja më vdekjeprurëse ajo që shkakton horrir dhe që ka ndikimin më të madh social dhe politik.

Por?

Mendoj se ndikimi i një sëmundjeje të re, të panjohur që shfaqet papritmas, si koronavirusi, është veçanërisht i madh – sëmundje që janë nga pikëpamja mjekësore të paqëndrueshme si CoVId-19. Lija p.sh ishte një sëmundje e tmerrshme që ka vrarë më shumë se gjysmën e atyre që u infektuan, shpesh fëmijë dhe që i disfiguronte ata që mbijetonin. Dhe sigurisht, njerëzit kishin frikë prej saj. Por në fillim të shekullit të 18-të, njerëzit ishin mësuar deri diku me të. Ishte pranuar si një fat.

E ngjashme me tuberkulozin?

Ndoshta po, me dallimin se nga tuberkulozi nuk vdes shpejt. Shumica e njerëzve treteshin përgjatë shumë viteve. Në shekullin e 19-të të kishe tuberkuloz ishte disi romantike. Njerëzit binin të vdekur në mjedise publike për shkak të murtajës bubonike apo kolerës. Doktorët ishin të pavlefshëm përballë murtajës, të paaftë për ta përballur atë. Pamje të ngjashme vijnë nga Vuhani përmes televizionit. Mundet ta imagjinoj fare mirë sesi rrethana të tilla të veçanta mund të ushqejnë ndryshim politik dhe kriza ekonomike, edhe nëse shkalla e fatalitetit është krahasueshmërisht e ulët, siç është me CoVid-19.

Disa njerëz mendojnë se Kina mund të ngrihet në statusin e superfuqisë për shkak të koronavirusit.

Njësoj si SHBA falë etheve të verdha.

Si është kjo?

Dakord, unë mendoj të kem dhënë informacion mbështetës. Rreth viteve 1800, kolonia franceze në Haiti ishte një nga më të pasurat në botë, për shkak të plantacioneve të veta të sheqerit që kultivohej nga skllevërit. Por skllevërit nisën një revolucion. Napoleoni, që kishte ambicie për të zgjeruar fuqinë e Francës në Botën e Re, dërgoi më shumë se 60 mijë ushtarë për të shtypur revolucionin. Por shumica e tyre vdiqën nga ethet e verdha. Napoleoni duhej të hiqte dorë nga ambiciet e veta përtej oqeanit dhe në vitin 1803 apo po i shiti po ashtu Louisiana-n SHBA-ve. Kjo do të thoshte dyfishim i territorit kombëtar të SHBA-ve – një hap i rëndësishëm ky në shndërrimin në superfuqi.

A janë zhdukur superfuqitë për shkak të mikrobeve?

Shumë prej tyre. Murtaja e Athinës, një sëmundje vdekjeprurëse dhe misterioze që krijon flluska në të gjithë trupin, kontribuoi në rënien e Greqisë së Lashtë. Lidhur me rënien e Romës Antike, krahas shumë faktorëve të tjerë, ishte edhe malaria. Për shkak të ndryshimeve klimaterike, malaria nisi të përhapej në Europën Jugore në shekullin e 5-të. Të mbijetuarit vazhdimisht periudha të shkurtra me temperaturë për të gjithë jetën dhe sigurisht nuk mund të punonin njësoj si më parë, fakt ky që kontribuoi në rënien e bujqësisë. Në Britaninë e Madhe, lija i dha fund sundimit të Shtëpisë së Stuartëve dhe ushtria e Napoleonit në Rusi nuk u shkatërrua në fushëbetejë, por nga tifoja dhe dizanteria.

Pandemia e tanishme është shoqëruar nga një dramë etike siç është diskutimi mbi masat e marra që kanë paralizuar jetën publike. Në thelb, është një përplasje mes nevojës për të shpëtuar jetë dhe shpëtimit të ekonomisë.

Kjo tingëllon shumë e njohur. Për shkak të kolerës, janë mbajtur konferenca të rregullta ndërkombëtare që nga viti 1851 deri rreth vitit 1910 ku diskutohej sesi të ndalohej përhapja e kësaj sëmundjeje – p.sh përmes anijeve karantinuese apo ndalimit të udhëtimeve. Problemet ekonomike të shkaktuara nga këto masa diskutoheshin në mënyrë të qartë – si p.sh fakti se 5 ditë karantinë do ta bënin të padobishëm përdorimin e Kanalit të Suezit.

Njësoj si argumentet që sillen sot.

Ka edhe shembuj të tjerë. Në vitin 1720, një anije që transportonte pëlhura të çmueshme nga Izmiri në Tripoli mbërriti në Marsejë në Jug të Francës. Kur ishte ende në det, 8 marinarë të saj, një pasagjer dhe doktori i anijes kishin vdekur tashmë nga murtaja. Zakonisht karantina zgjaste për 40 ditë, porn ë këtë rast nën presionin e tregëtarëve lokalë u shkurtua në 10 ditë dhe pëlhurat e çmuara nuk u dogjën. Si pasojë, më shumë se gjysma e 100 mijë banorëve të Marsejës vdiqën nga murtaja. Karantina e shkurtuar u quajt “karantina e vogël”. Më sjell ndërmend Donald Trump që e shpërfilli CoVid-19 duke e quajtur fillimisht si “një i ftohtë i zakonshëm” apo “grip”.  

Pra ka gjithësesi disa paralele mes koronavirusit dhe murtajës?        

Ndoshta po. P.sh paralelja se super të pasurit po ikin tani nga koronavirusi në vende të largëta, njësoj 10 të rinj iu larguan murtajës bubonike në një vilë jashtë Firences në librin e famshëm “Dekameroni” të autorit Italian Giovanni Boccaccio. Gjithashtu fakti se Kina dhe SHBA po përpiqen tani të akuzojnë njëra-tjetrën për pandeminë, të kujton murtajën: Gjatë murtajës bubonike prostitutat dhe hebrejtë u bënë koka turku që çoi në progrome të tmerrshme. Dhe në romanin historik të Alessandro Manzonit “I promessi sposi”(sjellë në shqip me titullin: “Të fejuarit”) tregohet historia e katër spanjollëve që u ekzekutuan mizorisht sepse ishin akuzuar për përhapje të qëllimshme të murtajës. Me kolerën ishte e njëjta gjë: një ilustrim historik tregon sesa me irritim qytetarët amerikanë përpqieshin të mbronin vendin e tyre kundër imigrantëve që mund të ishin të infektuar me sëmundjen në fjalë. Tani me koronavirusin, ata që duken si kinezë janë fyer verbalisht, apo sulmuar fizikisht në shumë vende.

Murtaja bubonike goditi kaq rëndë saqë shumë njerëz humbën edhe besimin te Zoti. Çfarë mendoni se do të sjellë koronavirusi me besimet që ne kemi te shoqëria jonë shekullare?

Mendoj se vë në pikpëyetje besimin tonë te globalizmi. Ne tani kuptojmë sesa të ekspozuar jemi bërë përgjatë kohës së globalizimit. Mendoj se kjo pandemi prek me të vërtetë ankthet më të mëdha të psikës sonë, shqetësimet më të mëdha që kemi si njerëz. Por globalizimi nuk është një akt i Zotit. Ne e krijuam atë. Duke krijuar mitin se ne mund të rrisim ekonominë tonë eksponencialisht dhe pafundësisht, me gati 8 miliardë njerëz që jetojnë mbi tokë, udhëtimet e jashtëzakonshme, ndotjen mjedisore, duke e zmbrapsur përherë e më shumë natyrën, ne krijuam kushte thuajse ideale për shfaqjen e koronavirusit, përhapjen e tij dhe goditjen e rëndë ndaj nesh.

A mund të rezultojë diçka pozitive nga kjo pandemi?

Po. Ne jemi në kryqëzim në këtë moment. Nëse kthehemi pas në nacionalizëm, ne po heqim dorë nga shansi që të promovojmë me të vërtetë ndryshimin. Nga gripi i shpendëve te SARS, Ebola dhe koronavirusi, të gjitha këto sëmundje janë shfaqur nga burime zoonotike. Ne kemi kontakt me kafshët në një shkallë të tillë dhe përhapje si asnjëherë më parë në historinë e njeriut. A nuk kemi patur shembuj mjaftueshëm? Sa herë duhet të vuajmë që të themi: A ka një model këtu? Se ne duhet të ndalim zgjerimin e habitatit tonë përherë e më shumë?

A na duhet një ekonomi e gjelbër?

Po, mua më duket se lëvizja për mjedisin dhe shëndeti publik duhet të ecin dora - dorës. Por kjo përfshin detyrimisht nevojën që të mos mendojmë si kombe. Mikrobet nuk respektojnë kufijtë kombëtarë. Ne duhet të mendojmë si specie – si specie që jeton në një botë mikrobesh.

A mundet shkenca të na mbrojë nga epidemitë?

Pa dyshim, shkenca ka bërë shumë përparim dhe ne e shohim këtë përditë tani gjatë pandemisë së koronavirusit. Gjatë murtajës, njerëzit mendonin se ajo ishte një ndëshkrim i Zotit që shkaktoi një terror të vërtetë. Dhe në vitin 1973, kur isha në Romë për epideminë e kolerës, ministri italian i Shëndetësisë ishte kaq supersticioz saqë ai nuk u bazua te masat higjenizuese kur vizitonte një spital të kolerës, por bënte shenja me dorë pas shpinës për të mbajtur larg të keqen. Këto kohë kanë ikur dhe edhe në krahasim me SARS 17 vjet më parë, shkenca ka bërë shumë përparim.

Por jo mjaftueshëm?

Problemi është se ne nuk e përdorim shkencën në mënyrë konstruktive. Pas SARS-it, duhet të ishte ndërtuar një platformë që të bënte të mundur zhvillimin e vaksinës së koronavirusit shumë shpejt. Por nuk u bë. Jo sepse shkenca ishte e papërshtatshme, por sepse nuk kishte përfitim në një gjë të tillë. Në industrinë farmaceutike çdo gjë lidhet me fitimin. Dhe ky është një problem edhe në sektorin e kujdesit shëndetësor. Përgatitja për pandeminë nuk sjell përfitime si p.sh procedurat invazive. Kështu që askush nuk e mori parapërgatitjen seriozisht. Dhe në shumë vende, gjithashtu në SHBA, miliona njerëz nuk kanë akses në standardin më të mirë të kujdesit mjekësor. Ne po shohim pasoja të tmerrshme. Një mësim nga kjo pandemi është: Mjekësia duhet të jetë një e drejtë e njeriut!

A bini dakord me Louis Pasteur, pionierin e sëmundjeve infektive, sipas të cilit mikrobet do të kenë fjalën e fundit?

Unë mendoj se kjo do të varet nga ajo sesa ne do të kemi dëshirë të mësojmë nga gabimet e së shkuarës. Ne i njohim dobësitë tona që i hapin rrugë pandemive si kjo që po përjetojmë. Ne kemi kapacitetin të bashkëpunojmë dhe mjetet për të parandaluar pandemi të së ardhmes apo të paktën t’i bëjmë ato më pak të mundshme. Por a do të veprojmë? Unë me të vërtet shpresoj që po. Por nuk jam i sigurtë. Thjesht mendoni sesa tmerrësisht ngadalë po përparon mbrojtja e klimës.

E megjithatë në kontrast me pasoja e ndryshimeve të klimës, koronavirusi nuk mund të injorohet kaq lehtë.

Keni të drejtë, ndoshta ne do të ndryshojmë tani që jemi kaq drejtpërdrejt të prekur nga koronavirusi. A nuk është kjo esenca e dramës greke, se mësimi është i mundshëm për qeniet njerëzore, por se ai zakonisht vjen përmes vuajtjes?

Përkthimi: Skerdilajd Zaimi 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.