Obsesioni i kulturës perëndimore me Fundin e Kohës

Postuar në 26 Mars, 2020 13:42
Tomasz Stawiszyński - Filozof

 

Pse injorojmë se çfarë po ndodh këtu dhe tani, për t’i kërkuar katastrofat globale në horizont? Dhe pse një gjë e tillë tregon më shumë për ne sesa për kushtet e universit?

Mund të jetë një strehim i mobiluar në mënyrë luksoze, i përdorur nga ushtria amerikane vite më parë, diku në zonat rurale të Indianës. Nëse nxiton mund qtë mbërrish aty për 24 orë ngado të nisesh, Midwest apo Bregu Lindor.  Ndërtimi solid i Luftës së Ftohtë, i projektuar veçanërisht në rast të një konflikti bërthamor, garanton mbijetesë edhe në kushtet më ekstreme. Në fakt, nga jashtë gjithçka duket pak e vrazhdë, por interieri të ngjan me një hotel të lezetshëm me katër yje. Karrige të veshura me lëkurë, dhoma gjumi të rehatshme, televizorë ultra HD në mure dhe një kuzhinë e pajisur në mënyrë luksoze në të cilën – për momentin – të vetmit punëtorë janë disa kukulla të vogla me uniformë kuzhinieri.

Por mund të jetë gjithashtu një bazë ushtarake e ndërtuar në vitet ’40 të shekullit të kaluar në Dakotën e Jugut. Sigurisht nuk të jep përshtypjen e diçkaje ekzkluzive, por ka objekte të pashkatërrueshëm të cilët “mund t’i qëndrojnë virtualisht çdo gjëje”. Këtu keni dy opsione: një bunker privat më të shtrenjtë, ose një hapësirë në një bunker të zakonshëm. Më saktë: një krevat dhe akses në një dhomë të vogël me kolltukë dhe një tavolinë. Çfarëdo që të zgjidhni, do të keni garancinë se ndoshta së shpejti do të jeni në shoqërinë vetëm të njerëzve të ngjashëm me Ju, po aq të mençur sa Ju. Në shoqërinë e tyre me siguri që nuk do të mërziteni.

Ndërkohë nëse jetoni në Europë dhe nuk keni ndërmend të zhvendoseni drejt SHBA, mund të keni hapësirën tuaj individuale prej 230 m2 në një nga komplekset ushtarake nëntokësore më të mbrojtura në botë. U ndërtua në epokën paraardhëse nga specialistë largpamës të Bashkimit Sovjetik. Ditë e natë ata gërmuan me kujdes tunele dhe dhoma në Pyllin e Turingisë, një varg malesh që shtrihen nga Turingia në Bavari. Përpjeket e tyre u shpërblyen veçanërisht mirë, sepse pikërisht aty, më saktë pranë qytetit të Rotstein –ke shansin të garantosh veten dhe të dashurit e tu. T’u japësh atyre një strehë të sigurtë.

Si do të shkoni aty kur të vijë koha e duhur? Cilado qoftë situata ju mund të mbështetini në një transport profesional – për pagesën e duhur kuptohet. Helikopterë të aftë të zbresin në kushtet më të vështira, anije që nuk mbyten apo makina të blinduara, po kaq rezistente ndaj trilleve të mjedisit të jashtëm, do t’ju marrin kudo që të dëshironi dhe do t’ju sjellin në vendin ku shpëtimi i parapaguar ju pret. Por për shkak se jeni një person shumë i kujdesshëm dhe nuk mund të pushoni së menduari se në një moment kritik asnjë helikopter nuk do të vijë për ty, apo se anija nuk do të mbërrijë dot, apo makina nuk ja del dot, mos u shqetëso!

Ka edhe një zgjidhje tjetër: një numër kapsulash që janë të bollshme, por jo dhe aq, të bëra prej çeliku dhe që mund t’i rezistojnë “virtualisht çdo gjëje që qoftë Nëna Natyrë, qoftë njeriu mund ti godasë”. Këtë mund ta instalosh lehtësisht në oborrin tënd. Që të jetosh rehat në një nga këto kapsula, të duhet vetëm pak infrastrukturë e jashtme: një burim uji, një vend për të hedhur plehrat, një depozitë karburanti. Përtej kësaj, do të jeni 100% i pavarur nga burime të tjera. Të paktën për një vit, spese aq zgjasin rezervat e mbledhura në kapsulë. Kini paraysh vetëm se koha fluturon dhe çdo moment që ikën shpenzon opsionet. Kjo na është thënë si nga profecitë antike ashtu edhe nga projeksionet e fundit të klimatologëve.

Çfarë ka kuptim më shumë për imagjinatën tuaj: mitet e mjegullta, apo analizat teknokratike të ofruara në formë të ndërlikuar shkencore? Një invazion nga hapësira e jashtme, apo efektet e mjerueshme të tërbimit të një perëndie të gjithëfuqishme, apo një katalizëm ekologjik shkaktuar nga një ekonomi lakmitare dhe efekti serë? Pavarësisht preferencave tuaja, një gjë është e sigurtë: një katastrofë globale është duke ardhur. Një minutë larg është.

Të pasurit mbijetojnë

E gjitha kjo nuk është në asnjë mënyrë një skenë nga ndonjë prej filmave të suksesshëm të Hollywood, mbushur me efekte speciale e që luan me shumë aftësi me frikën dhe obsesionet tona. Është e gjitha një ofertë reale nga katalogët e kompanisë Vivos, me gjasë organizata më e madhe që i dedikohet shitjes së objekteve që janë ndërtuar për të garantuar mbijetesën e rezidentëve të tyre pas afrimit të pashmangshëm të apokalipsit. Çmimet variojnë nga qindra mijëra në miliona dollarë. Dhe nuk ka mungesë oferte. Kjo është arsyeja pse kompania së fundmi zgjeroi operacionet e veta në tregun europian.

Sigurisht, identiteti i klientëve mbahet shumë sekret, por puna e shkrimtarit të New Yorker, Evan Osnos tregon se ata janë në pjesë të madhe nga pjesa e ekspertëve të Silicon Valley dhe biznesmenët më të pasur amerikanë. A nuk është një paradoks – pyet Osnos në esenë e tij të janarit 2017 “Përgatitjet e super të pasurve për Ditën e Gjykimit” – që pikërisht, njerëzit të cilëve nuk u mungon asgjë dhe jeta e të cilëve është e përmbytur nga luksi dhe të mirat materiale, janë ata që fantazojnë më shumë se mos i humbasin të gjitha?

Prirje të ngjashme janë vënë re po ashtu edhe nga Douglas Rushkofff, një sociolog amerikan dhe ekspert i mediave. Në esenë e tij “Mbijetesa e më të pasurve”(meqë ra fjala ishte për një farë kohe një hit në internet), Rushkoff përshkruan një takim të pazakonshëm me disa amerikanë të pasur. Ai duhej t’u jepte atyre një leksion për të ardhmen e teknologjisë, por siç doli, dëgjuesit e tij ishin të interesuar më shumë për diçka tërësisht të ndryshme. Për ta shprehur: si t’i mbijetojmë Ngjarjes.

Si mund të përgatitesh për të? Si mund ta mbrosh veten kundër pasojave të saj shkatërrimtare? Ku është më mirë të gjesh strehë: në Alaskë apo në Zelandën e Re? Dhe pas kataklizmës globale, a do të ketë paraja sërish vlerë? Nëse jo, si mund t’i joshësh rojet e tu që të vazhdojnë t’i shërbejnë punëdhënësve të tyre? Ka ndonjë pajisje disiplinuese që mund të vendoset përjetësisht në trupin e tyre? Dhe ndoshta ndonjë teknikë speciale psikologjike për t’i ndikuar ata për atë që do? Këto janë llojet e pyetjeve që “djemtë super të pasur – po të gjithë meshkuj – nga klasa e sipërme e fondeve të investimeve” bënin për veten.

Por ata nuk janë të vetmit që i tremben një fatkeqësie radikale. Kërkimet në opinion tregojnë se një përqindje domethënëse e pjesëtarëve të shoqërive perëndimore besojnë se një katastrofë globale po afron. Ajo imagjinohet në forma të ndryshme – që nga kolapsi klimaterik, deri te një sulm masiv zombiesh.

Në të kundërt të aparencës, kjo është në çdo drejtim një frikë kaq egoiste. Sipas një sondazhi të kryer vitin e shkuar për Now Tv, rreth 25% e britanikëve flasin për këtë mundësi me seriozitet. Por ky është vetëm një fragment nga kjo mani apokaliptike, apo ndoshta histeri që thjesht po lulëzon para syve tanë. Në ekranet e kinemave dhe prodhimet televizive, produksionet me temë apokaliptike dhe postapokaliptike dominojnë. Ora e Fundit të Botës, një tregues i kërcënimit për holokaust bërthamor, i zhvilluar nga shkencëtarët e Universitetit të Çikagos, tregon vetëm dy minuta nga mesnata, që do të thotë se ekspertët mendojnë se rreziku i një krize bërthamore është shumë i lartë. Shenjat e Luftës së Tretë Botërore duket tërësisht reale. Interneti po shpërthen nga profecitë origjinale të “ditëve të fundit”. Dhe tregu i strehimeve që mund t’i mbijetojnë “praktikisht” çdo gjëje, ku Vivos po bën biznes kaq mirë, po rritet eksponencialisht shpejt.

Arketipi nga fillimi në fund

Ndoshta fundi i botës po vjen me të vërtetë dhe të gjithë ne mund ta ndjejmë atë. Por mundet gjithashtu të jetë në kulturën tonë të sotshme një lloj fantazie e lashtë, arketipale që është bërë veçanërisht aktive: një mit themelor i imagjinatës perëndimore. Dhe puna me mitet dhe fantazitë është se ato veprojnë në një mënyrë pabesueshmërisht të fuqishme mbi sjelljen njerëzore. Historiani anglez, Nicholas Goodrick-Clarke që vdiq para kohe pak pasi botoi veprën e tij, tashmë klasike: “Rrënjët okulte të Nazizmit”, shkruante:

Për Historianë të edukuar ekskluzivisht në vlerësimin e ngjarjeve konkrete, shkaqeve dhe qëllimeve racionale, kjo botë e nëndheshme e fantazisë mund të duket e rreme. Ata do të argumentojnë se ndryshimi politik dhe historik udhëhiqen vetëm nga interesa materiale të vërteta. Megjithatë, fantazitë mund të arrijnë një status shkakësor sapo ato të jenë instituconalizuar në besime, vlera dhe grupe sociale. Fantazitë janë po ashtu një simptomë e rëndësishme e ndryshimeve të pashmangshme kulturore dhe veprimit politik.

Çfarë mësojmë për kulturën bashkëkohore nga këto imagjinime të një apokalipsi të pashmangshëm që po afrohet e që përshkrojnë ndërgjegjen kolektive? Sigurisht, klimatologët kanë paralajmëruar prej kohësh se nëse prirja e tanishme në shfrytëzimin e mjedisit nuk ngadalësohet, specia e Homo Sapiens nuk do të jetë më në gjendje të ekzistojë mbi Tokë. Por këtu një sërë sjelljesh janë të mundshme: nga mobilizimi racional me qëllimin e zgjidhjes graduale të problemeve aktuale, deri në zhytjen në fantazitë apokalipitike. Duket se qoftë në nivelin e kulturës së masës, ashtu edhe në atë të bindjeve të elitës financiare, ne po përballemi me një intensifikim të procesit të fundit.

Imagjinimi i fundit të botës nuk është një shpikje moderne, por thjesht një arketip – në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Dhe kështu ka qenë brendashkruar në kulturën perëndimore që në rrënjët kristiane(apo judeo – kristiane). Kristianët e parë – dhe e harrojmë shpesh këtë gjë – ishin në masë dhe ekstremisht të bindur për ardhjen e dytë të shpejtë të Krishtit. Do të duhet të ndodhte në gjallje të tyre. Kjo atmosferë e çuditshme eskatolgjike u saturua me ndjenjën se po jetohej në Ditët e Fundit, ajo kaloi në Krtistianizëm nga judaizmi i asaj kohe. Dhe te ky i fundit depërtoi nga mitologjia orientale, veçanërisht ajo perse, si dhe babilonase apo egjiptiane. Në librin e Zbulesës të Shën Gjonit, libri profetik Testamenti i Ri, që zakonisht datohet në fund të shekullit I, fraza “koha është afër” shfaqet disa herë. Historianët thonë se besimi se Ardhja e Dytë e Krishtit do të ndodhë në çdo moment, ka qenë e pranishme në Kristianizëm pak a shumë që nga mesi i shekullit II. Vetëm më pas, gradualisht ai ndryshoi drejt një pritjeje, horizonti i së cilës nuk ishte i specifikuar. Në imagjinatën perëndimore, Zbulesa thotë se fundi i kohës do të shoqërohet nga një seri ngjarjesh spektakolare që përfundojnë me Gjykimin e Fundit të njerëzimit.

Mircea Eliade, sudiuesi i shkëlqyer rumun i religjionit(dhe njëherazi një person me një të kaluar shumë të errët, fashiste) thotë se imagjinimi i apokalipsit, apo në çdo rast, i një fundi spektakolar të botës, është çmimi për historicitetin e kulturës perëndimore. Me fjalë të tjera, të paturit një të shkuar dhe një të ardhme; të menduarit me kategoritë e një fillimi dhe një fundi. Shoqëritë antike, si dhe kulturat e Lindjes si Hinduizmi dhe Budizmi, operonin, dhe ende sot disa herë operojnë, me një koncept tërësisht të ndryshëm të kohës. Në vend të linearitetit judeo-kristian, me një fillim dhe një fund, që përcaktohen nga një perëndi e gjithëfuqishme, aty ne kemi ciklikë. Në këtë model, koncepti i një apokalipsi nuk ka kuptim, sepse koha nuk rrjedh nga pika A në pikën B, por në një rreth. Kështu që çdo fund është njëherazi një fillim, çdo fillim një fund dhe çdo gjë rikthehet në mënyrë konstante dhe përsëritet pambarim. Ndërkohë lienariteti judeo-kristian, që nisi me një përjashtim nga kopshti i parajsës në të cilin përjetësia hyjnore triumfoi, karakterizohet nga një prirje e pandalshme drejt kulminacionit në histori, një lloj zgjidhjeje finale, fundi, mbylljeje.

Dhe është pikërisht për këtë arsye që në imagjinatën perëndimore ka zënë vend një pritje konstante për një fund tragjik, një ndjenjë e një kërcënimi të pakapshëm që pret diku në horizont. Disa herë(p.sh në religjionet fondamentaliste) është përkufizuar shumë saktë; në kohë të tjera është qartësisht e padeklaruar, duke ekzistuar diku në vijën e hollë mes ndërgjegjes dhe të pandërgjegjshmes.

Sigurisht ndikimeve të këtij kushti historik dhe njerëzor nuk i shpëton jo vetëm politika dhe struktura ekonomike e shoqërive perëndimore, por gjithashtu edhe psikologjia individuale. Dhe gjithashtu pikat e shumta ku këto sfera lidhen. Një shembull? Ja i pari që më vjen ndërmend. Shumë komentatorë në politikën amerikane vënë në dukje faktin se pushtimi i Irakut në vitin 2003 ishte determinuar në një shkallë të madhe nga besimi fetar i George W. Bush dhe një pjese të rëndësishme të elektoratit të tij, që do të thotë ata që ushtrojnë versionin ungjillor të Kristianizmit dhe që kanë prirjen ta lexojnë literalisht Biblën. Shumëçka tregon se pas sulmeve në Qendrën Botërore të Tregëtisë, ata u bindën sinqerisht se duhet të përgatiteshin për betejën finale me forcat e së keqes. Një betejë që duhet të pasohej nga fundi i kohës.

Efektet e kësaj përfshijnë radikalizmin e Luftës ndaj Terrorit, si dhe zgjedhjen për rrëzimin me armë të Saddam Husseinit dhe regjimit të tij si dhe instalimin në vend të tij të një modeli amerikan të demokracisë. Sigurisht, ka një listë të tërë me shpjegime alternative, por duke u kthyer në citimin e sipërshkruar të Goodrick-Clarke, është po ashtu me vlerë të llogarisësh forcën e botës delikate të fantazisë dhe imagjinatës, që zakonisht nënvlerësohet dhe injorohet.

Shembulli i pushtimit të Irakut ilustron po ashtu mekanizma të tjerë tipikë të imagjinatës apokaliptike. James Hillman, një psikolog amerikan që vdiq në vitin 2011, nënvizonte se ajo dallohet saktësisht nga dualizmi(bindja se në botë, në veten time përplasen dy forca të kundërta, zakonsisht e mira dhe e keqja) dhe nga nevoja për të patur një armik të përkufizuar qartë, që ecën dora-dorës me këtë besim. Të tjera atribute përfshijnë të menduarin binar, përqendrimin se çfarë të ardhmeje do të sjellë, më tepër sesa çfarë është sot dhe ndoshta më e rëndësishmja, pritmërinë konstante të një krize; të një ndryshimi pas të cilit asgjë nuk do të jetë më si më parë.

Improvizim total

Në librin e tij, “Shoku i tanishëm: Kur çdo gjë ndodh tani”, publikuar pak vjet më parë…Rushkoff prezantoi tezën se një prirje e fortë apokaliptike është karakteristike e erës sonë.

Në një botë të teknologjive të zhvilluara dixhiale, ku çdo gjë ndodh këtu dhe tani, në këtë transmision të pandalshëm dhe të pafundëm 24 orë në 24, imagjinimi i një fundi radikal sjell paradoksalisht lehtësim

thotë ai.

Por realiteti dixhital nuk është githçka. Ndotja e mjedisit dhe ndryshimet alarmuese klimetarike, kriza ekonomike dhe efektet e saj të thella, krisja radikale dhe që thellohet akoma mes një përqindjeje të vogël të më të pasurve dhe pjesë tjetër të njerëzimit, zhvillimi i pakontrolluar i teknologjive mjekësore që lejojnë perfeksionin dhe modifikimin e trupit njerëzor në një shkallë përtej të imagjinueshmes – të gjitha këto pra bëjnë që shumë prej nesh të besojnë apo ndjejnë se bota nuk mund të vazhdojë gjatë kështu. Në këtë kuptim rishfaqja e imazhit të pranishëm ndër ne të apokalipsit – krahas metodave dhe mekanizmave me të cilët ne supozohet se do t’i mbijetojmë – mund të kthehet në një lloj testi që na tregon më shumë për atë se ku jemi sot sesa për atë që do të ndodhë nesër.

Pra le të mendojmë: çfarë na thonë për vizionin tonë për komunitetin dhe marrëdhëniet ndërpersonale kilometrat e bunkerëve në Indiana dhe Dakotën e Jugut, apo ato të ndërtuara në malet gjermane pranë qytetit tërheqës ë Rotstein? Çfarë na thonë këto anije shpëtimi të nëndeshme – të disponueshme vetëm për një shumë të madhe parash për të cilën vetëm një grusht të zgjedhurish mes super të pasurve do të transportohen nga helikopterë special, mjete amfibe apo makina të blinduara – na thonë për solidaritetin dhe aftësin për të kapërcyer problemet dhe kërcënimet? Çfarë mund të mësojmë për empatinë, afërinë apo ndjenjën e vëllazërisë nga diskutimet për mënyrën sesi punëtorët mund të mbrohen kundër tërbimit të punëdhënësve të tyre në një moment kur metodat e zakonshme të kontrollit social-policia, sistemi ekonomik, moraliteti kolektiv – nuk funksiojnë më?

A nuk na mundësojë këto fantazi kolektive – filmat, romanet, dramat dhe profecitë, përllogaritjet shkencore dhe zbulimet fetare – që ne të identifikojmë një frikë jashtëzakonisht të fortë pas së cilës forma e botës së sotme, në dukje e qëndrueshme, është në fakt tërësisht e improvizuar?

Se idealet tona të larta të barazisë, lirisë, mosdiskriminimit, emancipimit, aksesit universal në të mirat e ndryshme, toleranca, mbrojtja nga dhuna dhe të drejtat e njeriut janë më mirë të zbatuara në teori, në fjalime të bujshme, apo në letër, por ato nuk kanë të bëjnë fare me praktikën e përditshme? Se ndërverprimi i sinqertë, apo të paktën i përshtatshëm mes njerëzve të klasave sociale të ndryshme, mes punëdhënësve dhe punëtorëve, mes të pasurve dhe të varfërve, aktualisht maskon mërinë brutale, që do të shpërthejë sapo themelet e rendit social të bien në kolaps?

Siç e thekson Goodrick-Clarke, fantazitë kanë fuqinë e profecive vetëpërmbushëse. Por vetëm kur ne i marrim ato literalisht si të vërteta dhe harrojmë përmasën e tyre metaforike. Nëse është kështu, atëherë edhe sot ne kemi një zgjidhje: të investojmë të gjitha kursimet tona në kapsula çeliku apo bunker të pashkatërrueshëm, duke kërkuar gjithë kohës të shmangim vdekjen nga bashkëqytetarët tanë, ose të perceptojmë në frikën apokaliptike diçka që na paralajmëron dhe një impuls ndryshimi.

Por nuk është afrimi i ndryshimit radikal apo fundamental për të cilët duhet të bëjmë përgatitje të veçanta. Është më tepër vetëdija se rreth nesh mund të ketë probleme shumë konkrete për të zgjidhur. Shumë zgjedhje reale për të bërë. Dhe mund të ketë shumë njerëz realë me të cilët ne ndajmë – dhe do të vazhdojmë të ndajmë – fatin tonë.

Të fantazosh për apokalipsin është mënyra më e mirë që të harrosh këtë realitet. Dhe të ngecesh në atë që duket si një imagjinim narkotizues i një katastrofe globale, e cila me një goditje do të zgjidhë të gjitha problemet tona. Por mes tyre pyetja se çfarë të zgjedhësh – një bunker në Indiana, Dakotën e Jugut, Gjermani apo ndoshta edhe oborrin tënd – është të paktën në parim, më pak shqetësuesja.

Burimi: Przekroj

Përkthimi: Skerdilajd Zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.