Dekriminalizojeni, por mos e De-gallatizoni!

Postuar në 06 Mars, 2020 16:00
Shaptilografisti

 

Sot ka dalë në media një copëz nga fjala e deputetit Kostaq Papa. Papa flet me siguri absolute, për kohët e burrërisë me flokë dhe lekë në xhep, kur femrave u qeraste uiski dhe jo ujë. Kohë kapedanësh, kohë aventurash, kohë emocionesh. Rrëfenja e dalë nga një deputet tashmë pa flokë, me një xhaketë modeste përballë kolegëve milionerë të Partisë Socialiste, me shpinë nga qeveria e miliarderëve, ofron një pamje të rrallë. Papa, të cilin mediat ia kanë rrasur PD-së nuk është i askujt. Ai është një pjesë e Shqipërisë së sotme, që nuk di se çfarë të thotë as për të sotmen, e as të ndërtojë diçka për të ardhmen. Kjo Shqipëri ka nostalgji për lirinë e tërbuar të viteve ’90, për atë kohë që nuk përsëritet më dhe që ka ngulitur në memorie kujtime të një rinie naive dhe pa frerë, që nuk kuptonte as botën dhe as veten, por që ëndërronte.

I tillë duhet të ketë qenë edhe ky Papa që po na thotë: Të më njihnit kur kisha flokë!

Me kaq pak sa ka folur e ka sfiduar denjësisht yllin në ngjitje të parlamentarizmit shqiptar, Kujtim Gjuzin, monarkistin liberal që është oponenca shumëngjyrëshe e Edi Ramës. Ka sfiduar edhe Rudina Hajdarin të cilës i stonon serioziteti dhe ambicia për të bërë ndryshimin, apo edhe Ralf Gjonin që vazhdon të skuqet pse është deputet.

Por Papa, një protagonist i romanit parlamentar shqiptar që nuk ka fund, sfidon edhe kryegastorin e asaj salle, kryeministrin Edi Rama, që ka dëshmuar aftësi të shajë, ironizojë, gjestikulojë, bërtasë e ulërasë, të akuzojë dhe të bëjë duel verbal me Berishën, Gjuzin, Flamur Nokën dhe Edi Palokën.

Kohë të lavdishme që për një çast menduam se i humbëm përgjithnjë. Është Kostaqi që na kujtoi, na qetësoi se brumi i kësaj lavdie nuk ka shterur. Se Shqipëria nuk ka për të vuajtur kurrë për shfaqje cirku dhe palaço që thirren të marrin vendime. Dikush, krejt jashtë vendi dhe kohe mund të pyesë: Kë përfaqësojnë këta që flasin aty? Por a mundet që një pyetje budallaqe të vërë në diskutim kënaqësinë tonë të përbashkët? E çfarë ka Papa më keq apo ndryshe nga Fate Velaj apo Fidel Ylli? Asgjë veç xhepit dhe xhaketës. 

Të gjithë përfaqësojnë veten e tyre, për atë që janë. Përfaqësojnë historinë personale, përpjekjen për të ecur lart, për të qenë pranë pushtetit. Asgjë më shumë. Ne nuk jemi të përfaqësuarit, as edhe zgjedhësit. E shumta jemi votues, dhe e sigurtë është se jemi spektatorë. Si të tillë kemi të drejtë të kërkojmë që kjo shfaqje, ky serial të mos ndërpritet. Ky cirk – parlament të mos shpërndahet në asnjë çast. Shikueshmëria e tij është e garantuar. Argëtimi ynë po ashtu. Le të jetë kështu deri më 2021, pa e degallatizuar, pa e çkomedizuar të gjithë këtë shfaqje spontane të të gjithë neve. Pa përjashtim. Duhet kjo shakaqeshje, se ndoshta na shpëton edhe nga coronavirusi që po na vjen vërdallë.

Comments

Submitted by g.o.n.e. (not verified) on

Deputeti është antik fare, na ke kënaqur me shkrimin; ...më shumë satira të tilla, që të paktën të qeshim aty ku s'qajmë dot. Faleminderit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.