Kurti sqaron reciprocitetin me dy letra për Trump dhe Pompeo
Mediat në Kosovë kanë zbardhur sot dy letra që Kryeministri Albin Kurti i ka nisur presidentit amerikan Donald Trump dhe sekretarit të Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo ku sqaron politikën e reciprocitetit me Serbinë. Ai ka nënvizuar rëndësinë që ka për Kosovën marrëdhënia me SHBA-të. Më poshtë letrat e publikuara nga mediat e Kosovës:
Kjo është letra që Kurti ia dërgoi Presidentit Trump:
Po jua drejtoj këtë letër që t’ju informoj për programin qeverisës dhe për qeverinë e re të Republikës së Kosovës. Me këtë rast, dua t’ju falenderoj për përkrahjen tuaj të vazhdueshme për Republikën e Kosovës, si dhe për angazhimin tuaj drejt krijimit të mundësive ekonomike, sigurisë, dhe paqes së qëndrueshme në Ballkan. Ne e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë interesin personal që keni treguar për të ardhmen e vendit dhe rajonint tonë.
Programi qeverisës i qeverisë së re të Kosovës është i fokusuar dhe përqëndruar në dy shtylla kryesore. E para konsiston në zotimin tonë për të luftuar në mënyrë të pakompromis korrupsionin dhe krimin e organizuar. Shtylla e dytë, si prioritiet kryesor, ka rritjen ekonomike, zgjerimin e investimeve dhe krijimin e vendeve të punës. Këto dy procese janë reciprokisht të ndërlidhura, ndaj dhe ne e mirëpresim mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë së Shteteve të Bashkuara në përpjekjet tonë për zbatuar qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit, dhe rritjen e mundësive ekonomike për popullin e Kosovës.
Qeveria ime dhe unë jemi të përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve të mbetura ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Ne mbetemi të bindur se kjo duhet bërë përbrenda procesit të dialogut, i cili do të kulmonte me njohjen e ndërsjellë të dy shteteve. Ne besojmë se kjo është rrugë e rëndësishme për integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare dhe arritjen e një marrëveshje historike që do të krijonte paqe të qendrueshme, stabilitet dhe siguri në Ballkan.
Së këndejmi, duke filluar nga 15 Marsi, ne do të fillojmë heqjen e tarifave për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, të cilat janë vendosur nga qeveria e kaluar. Fillimisht, do hiqen tarifat për lëndët e para. Këtë e bëjmë si shprehje e gjestit të mirë diplomatik dhe si shenjë për përkushtimin tonë për të punuar afër me Shtetet e Bashkuara në dialogun me Serbinë. Ne shpresojmë se veprimet tona do të kthehen me reciprocitet nga Beogradi, nga i cili presim t’i largojë të gjitha barrierat jo-tarifore për tregtinë me Kosovën, si dhe të ndalojë fushtatën për çnjohjet e Kosovës.
Ne po ashtu ftojmë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian për krijimin e mekanizmave monitorues dhe sanksionues, për të siguruar që dy palët t’i përmbahen zotimeve të bëra gjatë marrëveshjeve të tanishme si dhe atyre në të ardhmen.
Ne jemi të vetëdijshëm se gjatë dy viteve të fundit ka pasur mungesë të theksuar të koordinimit ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës për rolin, interesin dhe qëllimet në dialogun me Serbinë, si dhe për mungesën e qartësisë se kush flet në emër të Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe në tavolinën negociuese. Kjo do të përfundojë me qeverinë që drejtoj unë.
Qeveria dhe unë si kryeministër kemi mandatin kushtetues, vullnetin politik dhe detyrën ligjore, si dhe përgjegjësinë e plotë dhe ekskluzive për të marrë përsipër, udhëheqjen e këtij procesi dhe përfaqësimin e Kosovës në nivelin më të lartë diplomatik. Presim me padurim të fillojmë punën me ju, diplomatët dhe emisarët tuaj, si dhe partnerët tanë në Bashkimin Europian, për ta çuar përpara këtë proces .
Qeveria ime i sheh marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara si marrëdhënie me rëndësinë më të lartë strategjike për vendinn tonë, si aleancë që është e bazuar në vlera dhe interesa thellësisht të përbashkëta. Administrata juaj tashmë ka pasur ndikim të madh pozitiv në Ballkanin Perëndimor, duke sjellë energji të reja dhe zbatueshmëri në zgjidhjen e problemeve, gjë që ne e mirëpresim jashtëzakonisht shumë. Mezi presim ta thellojmë partneritetin dhe të punojmë së bashku me Shtetet e Bashkuara në shtimin e mundësive ekonomike, forcimin e sundimit të ligjit, rritjen e sigurisë rajonale, shtyrjen përpara të dialogut Kosovë-Serbi, si dhe për çështjet e tjera.
Letra që ia dërgoi Sekretarit Pompeo:
I dashur z. Sekretar,
Ju falenderoj shumë për letrën tuaj të urimit për formimin e qeverisë së re të Republikës së Kosovës. Ju falenderoj për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën si dhe për zotimin tuaj që këtë do ta bëni edhe në të ardhmen.
Qeveria ime është shumë e vendosur në luftën e pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Përveç kësaj, prioritetet kryesore të qeverisë sime do të jenë rritja ekonomike, zgjerimi i investimeve, dhe krijimi i vendeve të reja të punës. Këto dy procese janë të ndërlidhura dhe ne e mirëpresim ndihmën tuaj të vazhdueshme në përpjekjet tona për implementim të qeverisjes së mirë, sundim të ligjit dhe krijimin e mundësive për popullin e Kosovës.
Gjykatat efikase, profesionale dhe të paanshme janë të domosdoshme për drejtësi dhe sundim të ligjit. Ne kemi vendosmëri të palëkundur t’iu japim fuqi prokurorëve dhe t’i mbrojmë ata në misionin dhe detyrat për ta luftuar krimin. Por, sigurisht kemi nevojë për përkrahjen dhe ndihmën tuaj.
Jemi të vendosur për zgjidhjen e çështjeve të mbetura në mes të Kosovës dhe Serbisë, përmes procesit të dialogut, i cili do të përfundojë me njohjen e ndërsjellë në mes të dy shteteve. Ne besojmë se kjo është rrugë e rëndësishme drejt integrimit të plotë të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare si dhe arritjen e marrëveshjes historike, e cila do të krijonte paqe të qëndrueshme në Ballkan.
Lidhur me këtë, që nga 15 marsi ne do të fillojmë me fazën e parë të heqjes së tarifës në mallrat nga Serbia dhe Bosnia e Hercegovina, e cila ishte vendosur nga qeveria e kaluar. Ne po e bëjmë këtë si gjest diplomatik të vullnetit të mirë, me shpresë që Serbia do të veprojë reciprokisht duke i hequr të gjitha barrierat jotarifore në tregti me Kosovën, si dhe të ndalojë fushatën për çnjohje të Kosovës.
Ne e rezervojmë të drejtën për ta rikthyer tarifën në periudhë prej 90 ditësh nëse Serbia nuk jep shenjë të vullnetit të saj të bashkëpunojë për këto çështje. Ne, poashtu, i lutemi Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian të krijojë mekanizëm monitorimi dhe sanksionimi, për t’u siguruar që të dyja palët t’i përmbahen premtimeve të bëra në marrëveshjet e tashme dhe të ardhme në mes të dy palëve.
Jemi të vetëdijshëm se gjatë dy viteve të kaluara ka pasë moskoordinim serioz në mes të përfaqësuesve të Kosovës, lidhur me rolin, interesin dhe qëllimet e Kosovës në dialog me Serbinë, si dhe mungesën e qartësisë se kush flet për Kosovën në skenën ndërkombëtare dhe në tryezën e negociatave. Kjo do të përfundojë me qeverisjen time.
Qeveria dhe unë si kryeministër kemi mandate, vullnetin politik, si dhe detyrë kushtetuese ta marrim përgjegjësinë e plotë dhe ekskluzive në udhëheqjen e këtij procesi dhe në përfaqësimin e Kosovës në nivelet më të larta diplomatike. Me kënaqësi presim bashkëpunimin me ju dhe partnerët tanë në Bashkimin Evropian, për ta shtyrë këtë proces përpara.
Qeveria ime i sheh marrëdheniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara si marrëdhënie me rëndësinë më të lartë strategjike për vendin tonë, si aleancë që është e bazuar në vlera thellësisht dhe interesa thellësisht të përbashkëta. Angazhimi afatgjatë i Shteteve të Bashkuara për Kosovën ka vlerë të jashtëzakonshme për mua, qeverinë time dhe popullin e Kosovës. Ne presim me ndjeshmëri të lartë thellimin e partneritetit dhe punës së përbashkët me Shtetet e Bashkuara në shtimin e mundësive ekonomike, forcimin e sundimit të ligjit, rritjen e sigurisë rajonale, shtyrjen përpara të dialogut Kosovë-Serbi, si dhe në çështjet e tjera.
Add new comment