Raporti: 74% e fëmijëve janë të traumatizuar nga tërmeti

Postuar në 15 Dhjetor, 2019 13:48

Rreth tre të katërtat e fëmijëve në zonat e prekura nga tërmeti janë ende të traumatizuar. Një anketë e kryer nga World Vision me prindërit në zonat e Durrësit, Kamzës, Kurbinit dhe Lezhës gjeti se 74% e fëmijëve janë ende të frikësuar. Ata, por edhe një pjesë e të rriturve, manifestojnë shenja të stresit pas traumës, përfshirë këtu pagjumësi, frikë, ankth dhe humbje oreksi. Këto shifra janë më të theksuara te banorët që jetojnë në çadra (88.4%) dhe ata që ende jetojnë në shtëpitë e dëmtuara (85.2%).

Frika që tërmeti la pas tek secili prej nesh është e dukshme, prandaj është e nevojshme që të gjithë familjes t’i ofrohet mbështetja e duhur”, thotë Eljona Boçe Elmazi, drejtoresha e World Vision Albania.

Sipas të njëjtit anketim, 85% e familjeve të prekura vazhdojnë ta kenë strehimin si shqetësimin e tyre kryesor. Në Bashkinë e Kurbinit, gjetjet tregojnë se përveç shtëpive të dëmtuara, situata në këtë zonë vështirësohet edhe nga faktorë të tjerë siç është numri i lartë i personave me aftësi të kufizuara dhe varfëria.

Rezultatet e raportit japin informacion për situatën e 2460 banorëve, mes tyre 951 fëmijë. Pesë fushat kryesore të anketimit lidhen me strehimin; shëndetin; të ardhurat; edukimin; aksesin në informacion dhe nevojën për ujë, ushqim dhe mbrojtje. Raporti mund të shërbejë si udhërrëfyes për pushtetin qendror, vendor, organizatat e shoqërisë civile dhe aktorë të tjerë të angazhuar me emergjencat. Fakti që pjesa më e madhe e fëmijëve janë të frikësuar dhe të traumatizuar, tregon se ata duhet të jenë në fokus të çdo mase të marrë nga të gjithë aktorët në çdo sektor.

World Vision Albania është një organizatë zhvillimi komunitar, e krishterë, humanitare dhe avokatie. Ajo punon në 220 komunitete në nevojë, me mbi 30 mijë fëmijë në 13 bashki që prej vitit 1999.

TvT

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.