Në Mal të Zi, aty ku ministri dorëhiqet dhe ku kryeministri nuk bën interpretimin e përgjimeve
Ja një lajm që na kujton llojin e vendit ku jetojmë dhe pse vota kundër e Francës duhet të na bëjë të mendojmë përpara sesa të na ndërsejë në bërjen e shqiponjës më duar. Në Malin e Zi – i cili për ata që e dinë Shqipërinë qendrën e botës është një vend i vogël ngjitur me ne – ka dhënë dorëheqjen ministri për Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe Turizmin, Pavle Raduloviç. Arsyeja: disa inspektorë që janë në ministrinë e tij u filmuan duke marrë rryshfet.
Ky thuhet se është rasti i parë në Malin e Zi kur një ministër jep dorëheqje për shkak të korrupsionit në institucione. Ndaj edhe nuk duhet absolutizuar. Megjithatë në raport me Shqipërinë dallimi është epokal. Në Shqipëri, që për ata që nuk e dinë është Perla e Jonit, Adriatiku, Mesdheut dhe një vend shumë interesant, jeton e punon një kryeministër që interpreton përgjimet e publikuara përpara sesa të kërkojë përgjegjësi politike.
Interpreton përgjimet e ministrave të vet dhe të të kryetarit të Bashkisë së Bashkisë të dytë më të madhe, interpreton vendimet e një shteti tjetër si p.sh ato të Departamentit amerikan të Shtetit prej nga ku merr këshillime për reformën në drejtësi, interepreton kërkesat për heqje imuniteti nga Prokuroria dhe në fund deklaron se Përgjimi nuk është provë.
Kush ka të drejtë? Të dyja palët kanë. Edhe në Mal të Zi që njohin përgjegjësinë politike pavarësisht se deri në vendimin e gjykatës dy inspektorët janë të pafajshëm, edhe në Shqipëri ku procedura e gjykimit vazhdon. Mirëpo kjo lloj “drejtësie” vendos llojin e standardit të shtetit dhe këtu nis dallimi. Që është i madh. Dhe po flasim për Malin e Zi, vend që ka një pjesë të lidershipit politik të akuzuar publikisht për përfshirje në afera korruptive.
Add new comment