Pompeo me mision antirus në Ballkan
Mike Pompeo do të nisë javën e ardhshme një turne në Itali dhe Ballkan në një përpjekje për të zvogëluar ndikimin rus në rajon.
Turi i Sekretarit amerikan të Shtetit do të fillojë të martën në Romë, ku Pompeo, një evangjelist i krishterë që shpesh deklaron se gjithmonë e ka Biblën të hapur në zyrën e tij, do të ketë një takim privat me Papa Françeskun. Ai gjithashtu do të marrë pjesë në një forum në Vatikan për të forcuar bashkëpunimin midis organizatave fetare.
Përveç takimeve të tij me Presidentin Italian Sergio Matarella, Kryeministrin Giuseppe Conte dhe Ministrin e Jashtëm Luigi Di Maio, Pompeo do të shfrytëzojë rastin të vizitojë Aubruzzon nga ku ka prejardhjen. Edhe pse nuk flet italisht, gjyshërit e tij emigruan nga ky rajon në lindje të Romës në Shtetet e Bashkuara.
Më 4 tetor, Mike Pompeo do të jetë në Mal të Zi dhe Maqedoninë Veriore. "Ne do të flasim për përpjekjet ruse për të mbjellë mosmarrëveshje në këto zona"-tha një zyrtar i lartë amerikan në Neë York në takimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB. "Varet nga shtetet sovrane dhe të pavarura dhe popujt e tyre se çfarë duan të bëjnë me të ardhmen e tyre”-shtoi ai.
Mali i Zi u bashkua me NATO-n në 2017, pas një përpjekje misterioze të "grushtit të shtetit" që synonte të parandalonte pikërisht këtë zhvillim. Agjentët rusë u dënuan në mungesë për përfshirjen e tyre në grusht shteti. I njëjti zyrtar amerikan, gjithashtu vlerësoi se Moska po përpiqej të kundërshtonte marrëveshjen e Prespës që i hapte rrugën anëtarësimit të ardhshëm të Maqedonisë Veriore në NATO. Në ndalesën e fundit të turneut të tij, Pompeo do të jetë në Athinë për bisedime me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.
Mesdheu Lindor është një zonë me rëndësi strategjike. Ne kemi parë shumë lëvizje muajt dhe vitet e fundit, dhe bashkëpunimi ynë me aleatin tonë Greqinë është thelbësisht i rëndësishëm për këtë"- ka theksuar Pompeo para se të nisë turin.
Add new comment