Ikën dhe Bolton, këshilltari i linjës së ashpër
Presidenti amerikan Donald Trump, njoftoi se ka miratuar dorëheqjen e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, John Bolton duke thënë se "kundërshtonte me forcë" shumë nga sugjerimet e Bolton.
"Unë e njoftova John Bolton mbrëmë se shërbimet e tij nuk janë më të nevojshme në Shtëpinë e Bardhë. Unë nuk jam pajtuar me shumë nga sugjerimet e tij, ashtu si të tjerët në qeveri"- tha Trump në një postim në Twitter, duke deklaruar se do të njoftonte zëvendësimin e tij javën e ardhshme.
Rreth një orë para njoftimi të dorëheqjes ishte njoftuar zyrtarisht se Bolton do të jepte një konferencë të përbashkët shtypi me Mike Pompeo, pa sqaruar çështjen. Bolton, këshilltari i tretë me radhë i Trump për sigurinë kombëtare njihej gjerësisht si mbështëtes i linjës se ashpër për një numër çështjesh, si marrëdhëniet me Korenë e Veriut. Ai ishte gjithashtu arkitekti i vijës së fortë drejt Iranit dhe mbrojti një qasje më të rreptë për çështjet që kanë të bëjnë me Rusinë dhe Afganistanin.
Javët e fundit, mes përshkallëzimit të tensioneve në marrëdhëniet e Uashingtonit me Teheranin, presidenti amerikan ka dërguar mesazhe të paqarta dhe kontradiktore, duke deklaruar, ndër të tjera, një gatishmëri për t'u takuar dhe negociuar me udhëheqjen iraniane.
Bolton e mori këtë post në Prill 2018, duke u përballur me Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo, një nga ministrat më besnikë të Trump. Ai vetë, megjithatë, në një postim lakonik dhe enigmatik në Tëitter, dha një version tjetër të për largimin nga posti: "Unë u ofrova të jepja dorëheqjen mbrëmë dhe Presidenti Trump më tha: Le të flasim për këtë nesër"
Add new comment