Stadiumi i ri, një Aferë që po shitet si triumf i zhvillimit dhe modelit estetik
Agjencia Telegrafike Shqiptare përcjell sot një qëndrim të ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali për stadiumin e ri të Tiranës.
Skuadra kuqezi e ka hak një stadium të këtyre përmasave. Këtë nuk e them për patriotizëm virtual, por me ndienjën e fortë të përkatësisë si qytetare e këtij vendi, që deri dje përhumbte nga shëmtia e një ngrehine që mbrohej me pseudo-patriotizëm nga ata që vetëm me punën e të bukurën s’kanë lidhje
citohet zëdhënësja e qeverisë.
Fotografia që shoqëron këtë mesazh ka brenda pjesë të mashtrimit, pasi ish-stadiumi “Qemal Stafa” nuk ka qenë ndonjëherë ajo rrënojë që paraqitte aty. Ka qenë një stadium modest kuptohet, por jo rrënojë. Mund të jetë e vërtetë që ata që mbronin stadiumin nuk merrnin vesh nga e bukura, por është e sigurtë si drita e diellit se zonja Spiropali ka po kaq pak lidhje me të bukurën dhe arkitekturën sa ata të cilët sot i ironizon me tekste që ja përgatisin ndoshta të tjerë.
Stadiumi i ri i Tiranës, përpara se të jetë gjithçka, është një aferë e pastër. Firma që e ndërtoi u përzgjodh nga kryeministri që e ka mbrojtur atë publikisht. E ka bërë këtë në një vend ku nuk ka gjykata dhe prokurori dhe ku shoqëria ngjan e dorëzuar. Përndryshe, edhe shumëpërdorimshit si Eliza Spiropali do mendoheshin mirë përpara se të dilnin e të bënin moralin dylekësh të qytetarit ndaj katundarit që është përralla e preferuar dhe e vetmja që dinë e këtyre që po e zhvasin këtë vend si kampionë të bashibozukizmit. Siç mund të merret me mend, mbi këtë model po synohet edhe shembja e Teatrit.
Add new comment