Një përgjigje për artistin që merr në gojë artistët
Edi Rama kërkon të bëhet zëdhënës i njerëzve që i konvenojnë në qëllimin e tij për të prishur godinën ekzistuese të teatrit kombëtar. Pa ndonjë skrupull dhe me një përulësi që nuk përputhet me malinjitetin që e karakterizon në raport me demokracinë dhe të mirën publike, kryeministri postoi në profilin e vet një status të Mariana Kondit, duke e prezantuar si një artiste të rreshtuar pro shembjes së Teatrit.
Por nuk ka vonuar reagimi i artistes që ka ekspozuar edhe më shumë “pallavrat”pa të drejtë autori që kryeministri i publikon si miratim të ambicjeve të tij politike. Për më tepër që nderi i vlerësimit për artisten, sipas zonjës Kondi është hipokrizi e shkallës sipërore pasi ajo është hequr nga puna në vitin 2015.
Statusi i Mariana Kondit
Unë vlej !
Jam aktorja dhe punonjësja e parë e cila në vitin 2014 reformoi Teatrin Kombëtar duke më larguar nga puna ( arsyet e së cilës i di vetëm drejtuesi i institucionit). Jam aktorja që Shteti Shqiptar dëmshpërbleu me XX000000 lekë për largimin tim të padrejtë nga puna.
Jam aktorja që sot Kryeministri i Shqipërisë më dedikon një status në faqen e tij.Jam aktorja që konsiderohem nga një Kryeministër Artist si një ndër artistet që ka mbledhur më shumë duartrokitje në skenën e Teatrit Kombëtar.
Shoh që jam cituar por jo plotësisht, zakon i vjetër i politikës që në rastin më të mirë e thotë të vërtetën përgjysmë dhe kjo e bën atë të gënjeshtërt. Kryeministri apo çdo palë politike duhet t’i citojë dhe referojë artistët në gjithë të vërtetën e tyre dhe e verteta ime është që pasi kam kërkuar kushte, më kanë larguar nga puna në teatrin kombëtar, pikërisht unë që Kryeministri thotë që jam duartrokitur shumë.
Jam distancuar nga debati për teatrin dhe do të përfshihem kur të shoh që mendimi i artistit vërtetë vlen për teatrin dhe jo për përdorim politik.
Unë vlej !
Vlej sa gjithë duartrokitjet e publikut tim.
Add new comment