Kujtesa jonë e korruptuar*

Postuar në 25 Korrik, 2019 12:15
Visar Zhiti

Politika e Shqipërisë së sot me ngjan si e ngecur keq në kujtesë, si në një vorbull të ngrirë, ku përsëdyten në mënyrë fantazmagorike disa nga pësimet e historisë, të pabëra përvojë, të 109 vjetëve të shtetit shqiptar. Përshfaqen kriza të mbështjella me absurd të rrezikut ekzistencial. Aq sa janë lënë pas, po aq janë dhe përballë paqartësitë dhe infantiliteti i kabinetit të Ismail Qemalit, por ai, përkundrazi rrethohej nga burra me ideal e të zotë, në tjetër kohë, që themeluan shtetin modern shqiptar, kur sot, për çudi, përsëritet se do të bëjmë shtet. Ai është i bërë. Po, të flitet për qeverisje.

Kujtesa e Shqipërisë, e tundshmja dhe e patundshmja, pra ajo që është e shkruar, por edhe ndërgjegje e përgjegjësi, si dhe ajo që është truall, det e bregdet, qytet e ngrehina, rrugë e kështjella, etj., etj., ndjehen në një përzierje kaotike, me paqartësi dhe rrena.

Kujtesa, shpjegojnë specialistët, ka të bëjë me kodimin dhe depozitimin e informacionit të përftuar, të ngulitur, që ai të riprodhohet dhe të përdoret me vonë. Te ne, thënë metaforikisht, sundon kujtesa e “Bllokut”, që ruhej me ushtarë dhe përballë kujtesa e “Spaçit”, që ruhej me ushtarë dhe me tela me gjemba.

Pranë Kryeministrisë së sotme ngrehinat e tjera duken kundër si vegime të një qeverie në mungesë, si ajo e Durrësit p.sh., dikur, pa Kongresin e Lushnjës, në prag të 100-vjetorit të të cilit jemi, me Esat pashët e rinj që veprojnë s’dihet për ç’interesa, haxhiqamilë moderne, teksa ndjehet urrejtja partizane, pa entuziazmin kur u çlirua Shqipëria, por jo shqiptarët, përhitet lufta e klasave pa klasa, por me oligarkë dhe popull të mashtruar, që varfërohet, nostalgjia dhe sindroma e totalitarizmit, propaganda dhe frika në punë, sidomos në institucionet, votime jo gjysmake, por të çerekta a më pak akoma, gabime të rënda që ndreqen me një tjetër gabim më të rëndë etj., etj., e deri te librat që me taksën e re e ka pësuar lexuesi, po i ble më shtrenjtë dhe, megjithatë, ja po bën bujë një botimi për udhëhqjen e dikurshme, për Bllokun, po aq sa botimet për “Burgun” më parë, në mos më shumë, se kanë mjete më shumë.

Edhe kujtesa do para, lekë, euro, ç’të jenë.

Një mjek i “Bllokut”, më saktë i diktatorit, por jo i diktaturës, sipas tij, por mjafton një kujtesë e shëndetshme që të kujtosh, sipas meje, që diktatori dhe diktatura nuk bënin dot pa njëri-tjetrin, vëllezër siamezë, që s’ka doktor që t’i ndajë këtu. Doktori i diktatorit duket se ka bërë një epikrizë idilike të Bllokut që bllokoi Shqipërinë, që e mbylli dhe e bëri burg, ku vrau sa deshi, varfëroi një popull të gjithë duke ia larguar familjes së natyrshme Europiane dramatikisht…

Kujtesa politike e Shqipërisë sot i ngjan kujtesës së të çmendurve, por jo e të çmendurve të sinqertë që janë të tillë vërtet, por atyre që u duhet të jenë të tillë, në mbrojtje të interesave të tyre të dyshimta, që s’janë të Shqipërisë.

Fajin, pra, prapë e ka kujtesa. Shpërdorimi i saj. Ndarja e saj në dy kahe. E çfarë bëjmë për kujtesën? “Prona e vërtetë e njeriut është kujtesa e tij. Në asgjë tjetër nuk është ai i pasur, në asgjë tjetër nuk është ai i varfër”, – thoshte Alexander Smith. Mendo kujtesën e shtetit, ç’bën politika me këtë pasuri apo me këtë varfëri?

Ndërkaq, shumëkush kërkon atë që nuk i takon dhe duan që të jenë ata që s’janë. Dhe i rikthehen kujtesës së doktorit të diktatorit, edhe mjeku ka nevojë për mjek dhe duket që ai ende sikur po kujdeset për shëndetin politiko-moral të diktatorit post mortum dhe që nuk kuptohet në e dallon që mirësia e tij e atëhershme nuk ishte as e pacientit të tij të tmerrshëm dhe as e Bllokut dhe sot ajo nuk mund të jetë më e tillë.

Që atëherë thuhej se, nëse Marksi parashikonte ndërtimin e komunizmit njëherësh në të gjithë botën ose në shumicën e saj më të zhvilluar, Lenini e avancoi që komunizmi mund të ngrihet me dhunë edhe në një vend të vetëm, madje të varfër si Rusia e atëhershme, kurse Enver Hoxha e pasuroi marksizëm-leninizmin duke vërtetuar se komunizmi akoma më me dhunë mund të ndërtohet edhe në një lagje të vetme, në Bllok, dhe ai bëri komunizmin e tij atje, përtej të cilit ishte ferri i atdheut.

Ndërkaq, u rigjallëruan kujtesa të ndryshme shqiptarësh, çoroditja politike e tanishme, si rrjedhojë e atij Blloku vrasës, jo vetëm të ekonomisë dhe të ëndrrave dhe shpresave, të dijes, të jetëve reale të të gjithëve. Dhe të tyren. Pra, të një populli që me plot sukses varfërohej dhe mbyllej si në burg. Me burgje më të tmerrshme brenda burgut.

Prandaj, së pari shpërthen kujtesa e errët e kundërshtarëve të pandreqshëm, “armiqve të brendshëm”, siç quheshin atëherë, të mashtruar nga Blloku i ri i qeverisjeve postdiktatoriale.

Si kundërpërgjigje vërshon kujtesa rozë e nostalgjikëve të Bllokut, që i mallëngjen ende Enveri dhe u duket largpamës e strateg, qoftë dhe për atë që tregon doktori i diktatorit, kur nuk mori në veturë ministrin e tij të përbrendshëm, Kadri Hazbiun dhe ku do të shkonin? 100 m më tutje, nga vila në zyrë, në Komitetin Qendror. Nga Enveri në Enver. Dhe vilat për të tjerët ndërkaq ishin borgjezi, dukuri e dënueshme kapitalisto-revizioniste. Dhe ka nga ata që mërziten, se nuk duhet të dalin të palarat e Bllokut, qoftë dhe nga doktori.

Që Shqipëria u mbush me burgje, duhet ta dëshmojmë vetëm ata, që u mbyllën në ato burgje. Pra, dhe kujtesa kolektive është ndarë, ku privatizohet çdo nënndarje nga klanet. Dhe nga këto nënndarje përshfaqen ca kujtesa të fantaksura, kundër gjithçkaje, të Bllokut dhe kundërshtarëve të Bllokut, janë veç me veten pa vete, narcizizëm ku atyre u reflektohet se kanë bërë aktin më heroik, që çanë murin dhe ikën, kur edhe lejohej dhe nga andej japin mend, që s’i kanë mjaftueshëm as për vete, se ç’duhet bërë këtej. Në fakt, ngërçi i tyre duket se ka mbetur te Blloku, një nervozizmin ziliqar nga që pikërisht Blloku i kishte refuzuar dhe adhurimi subkoshient ndaj tij i ruajtur nga etërit, u kthehet në urrejtje ndaj gjithçkaje, ku të mundin, mjafton të dinë një emër. Më tipikët që më vijnë ndërmend si të kësisojshëm, mund të jenë do analistë të papërmbajtur, që më kanë thënë se dalin në ekrane televizive dhe flasin nga përtej oqeanit. K ë t o kujtesa me njolla acarohen dhe acarojnë, arrijnë të bërtasin pa asnjë zgjidhje në kokë apo gjoja jepnin mbështetje duke qenë askushi, shumë-shumë, puthadorës shembullorë.

Por, janë edhe të kundërtit e tyre, të shkolluarit andej, që kanë arritje, biznese, shoqata, gazeta, botime, katedra etj., dhe u dhimbet atdheu, kritikojnë me mend që të frymëzojnë jo “ndërtim për të shkatërruar” kujtesën, të tundshme dhe të patundshme, por “shkatërrim të së keqes për të ndërtuar” normalen e jetës.

Presidenti i Republikës tha se mësoi nga libri i porsadalë “Blloku” që regjimi, jo i tij, por i dikurshmi, ishte mbajtur në dy kolona: propaganda dhe hetimi. Propagandë bëhet gjithandej, madje dhe hetim, për të zbuluar se cilët janë të tjerët. Rëndësi ka se si i përgjigjet shteti këtij hetimi. Unë do të shtoja se ai regjim mbahej po aq shumë nga dhuna dhe frika, që shpërndaheshin pa racion, mbahej nga shpronësimet dhe kolektivizimi i asgjësë, ideologjizimi dhe injoranca, nga prishja e superstrukturës së kujtesës, të tundshmes dhe të patundshmes, që vazhdon ende.

Më shumë teatër bëhet jashtë teatrit, prandaj ai ndihet dhe është i kërcënuar, pa u kuptuar dhe kujtesa e së ardhmes.

Gjeta që shkrimtari argjentinas Jorge Luis Borges të ketë thënës se “duhet pasur kujdes në zgjedhjen e armiqve, pasi njeriu përfundon duke u ngjarë atyre”. 

Armik i përbashkët, ja, që qenka dhe kujtesa, kujtesa e kësisojshme kolektive, e copëzuar dhe klanore, e privatizuar egërsisht. Dhe gjithkushi dhe gjithçka duket se e lufton tjetrin, individ apo klan, parti apo qeverisje, për të bërë si ai/ si ajo/ si ata, duke ngjarë si e kundërta, mundësisht sa më shumë të pasur kot. Dhe kjo po ndodh…

Panorama 

*Titulli i ResPublica

Comments

Submitted by X (not verified) on

Mjaft o burre me bllokun, komunizmin, totalitarizmin, propaganden etj.
Na cate ka...n ketu e 30 vjet.Rregullojeni pra meqe e mbani vehten per fshatundare te mencur.Ky vend po cbehet e ti nga se nuk ke cfare ben ne Vatikan, na cane bythen. Ja psh: rregullo skemen e pensioneve apo nuk ja ke idene. Nese nuk ja ke idene shaji bythes aty ku je.

Submitted by Spridonis (not verified) on

Ki Zhiti do te bente mire te na tregonte ate meselene se si arriti qe e bindi Erion Velian t'i vendoste nje rruge ne Tirane emrin e te birit te tij.
A mos valle e dha jeten per "clirimin" e atdheut apo per rritjen e mireqenies se popullit?
Zhiti eshte llum i kesaj klase te sotme politike qe privilegjohen familjarisht, per se gjalli e per se vdekuri qe as komunistet nuk e benin.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.