Protesta për Teatrin, protestues “ngujohen” brenda në godinë
Një protestë e intensifikuar është duke u zhvilluar që nga orët e para të paradites para godinës së Teatrit Kombëtar për shkak të rrethimit të saj nga forca policore. Mediat që kanë qenë në vendngjarje kanë raportuar për përplasje fizike me policinë dhe një qytetar të lënduar.
Artistë të ndryshëm kanë mundur të hyjnë në godinë dhe po qëndrojnë brenda, një shenjë se protesta mund të përshkallëzohet formalisht drejt një greve të mundshme urie.
Në protetë ka shkuar edhe kryetari i PD-së, Lulim Basha që ka dhënë deklaratat e rastit, ndërkohë që Presidenti i Republikës ka përcjellë një mesazh në faqen online.
Protesta ka riaktualizuar elementë emocionalë, përplasjen dhe qëndrimet verbale të forta. Por asaj i mungon argumenti juridik dhe mbi të gjitha ndjekja e rrugës juridike. Në momentin e tanishëm qeveria mbrohet me faktin se po zbaton ligjin, ndërkohë që përballë ka disa njerëz që refuzojnë një projekt. Do të duhej që artistët të kishin përpunuar mbrojtje juridike dhe ta kishin formalizuar atë për shkak se koha po provon se protestat nuk marrin zgjidhje me rezultanten fizike, por me zgjidhjen ligjore. Do të ishte ideale nëse artistët që meritojnë respektin më të madh për një protestë kaq të qëndrueshme dhe të drejtë, të kishin me vete një pjesë të madhe të shoqërisë, por edhe opozitën. Kjo nuk ndodhi për fat të keq, ndaj edhe një mënyrë për ta fuqizuar protestën dhe ndikimin e saj është rruga juridike që duhet të ecë paralel me reagimin qytetar.
Add new comment